Ky lloj pushteti jo funksional, duhet të largohet i tëri

Aktuale

Ky lloj pushteti jo funksional, duhet të largohet i tëri

Nga: D. B. Më: 1 maj 2019 Në ora: 20:46
Mirsad Voca

Populli i Kosovës, nuk ia ka borxh pushtetin askujt dhe ka urgjentisht nevojë për ngritje të cilësisë së jetës. Kështu ka vlerësuar njohësi i integrimeve evropiane Mirsad Voca, i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se vetëm një detaj mjafton për të ilustruar “ kualitetin qeverisës”.

“Të rikujtojmë se me dhjetëra miliona euro qytetarët e Kosovës kanë shpenzuar në spitale private në Maqedoni dhe rajon në vitin 2018 në mungesë të një shëndetësie të mirëfilltë në Kosovë. Me këtë pozitë nuk mund të ketë ndryshim kualitativ ani pse zyrtarët e saj deklarojnë se opozita duhet ta korrigjoj pozitën. Deklarata të tilla dëshmojnë se sa shumë shteti i Kosovës ka nevojë për një frymë të re lidershipi. Është absolutisht e papërgjegjshme t’i kërkohet ndihmë opozitës për të krijuar kualitet. Megjithatë edhe kur Ambasadori amerikan bëri thirrje për manifestime paqësore kundër kapjes së shtetit, nuk është e kuptueshme heshtja dhe pasiviteti aktual i LDK-së si pjesë e opozitës edhe pse gjenden në një periudhë të zgjedhjeve të brendshme”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se ky lloj pushteti jo funksional, duhet të largohet i tëri dhe një qeverisje me figura të reja duhet të filloj një ndryshim rrënjësor.

“Kjo që kemi parë deri më sot që nga shpallja e pavarësisë nuk i ngjanë aspak një mekanizmi kualitativ qeverisës në vend por më shumë kemi të bëjmë me disa grupe interesi e mafioze nga të cilët disa individë bëjnë milionat brenda periudhave rekord të shkurtra e disa tjerë bëjnë deklarata formale me definicione gjeneralë të nxënë nga librat shkollorë lidhur me atë se çfarë nënkuptojmë me Pozitë dhe Opozitë. Deklarata të tilla nuk janë aspak relevante dhe nuk kanë të bëjnë fare me realitetin në Kosovë. Në fund, kjo pozitë nuk është Pozitë e mirëfilltë dhe nuk meriton dhe aq vëmendjen e Opozitës por është një kapje e imponuar edhe më e zgjeruar e pushtetit dhe vështirë se mund të largohet pa një ri organizim të gjithmbarshëm shoqëror mbi një frymë të lirë dhe demokratike. Dua të besoj se së shpejti do të hyjmë në një periudhë të një organizimi të vërtetë të shtetit me figura të reja që si mision patriotik e kanë funksionalizimin e plotë të Shtetit duke filluar nga Drejtësia si bazë për progres e prosperitet edhe në fusha tjera”, ka thënë njohësi i integrimeve evropiane Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat