"Asociacioni me kompetenca ekzekutive, opsion më i rrezikshëm se shkëmbimi i territoreve"

Aktuale

"Asociacioni me kompetenca ekzekutive, opsion më i rrezikshëm se shkëmbimi i territoreve"

Më: 2 maj 2019 Në ora: 00:29
Ilustrim

Drejtori ekzekutiv i Organizatës ”Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë se shkëmbimi i territoreve është opsion i rrezikshëm, por Asociacioni me kompetenca ekzekutive e kalon edhe shkëmbimin për nga rrezikshmëria.

Demhasaj, në “Debat Plus”, ka thënë se ka informacione që Franca është për shkëmbimin e territoreve në mënyrë që Serbia ta njeh Kosovën.

“Por as ky opsion, pra edhe nëse shkëmbehen territoret nuk ka garanca që Serbia do ta njeh Kosovën si shtet. Pra, po hymë në një lojë të tillë të shkëmbimit që nuk e dimë nëse Serbia do ta njeh Kosovën”.

Drejtori ekzekutiv i organizatës ”Çohu”, ka thënë se Asociacioni me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe është shumë më i rrezikshëm se shkëmbimi i territoreve.

“Pa dyshim se asociacioni është më i rrezikshme, sepse ta krijon një kantonizim brenda Kosovës që mund të jetë një problem që pas 20 viteve duhet të ulemi përsëri e t’i japim zgjidhje çështjes. Pra [asociacioni] mund të hap probleme shumë më tepër se që ka sot Kosova”, tha ai.

Demhasaj ka thënë se është shumë e pakuptimtë që ende s’kemi ndonjë deklaratë zyrtare nga liderët tonë që thuhet se po kërkohet korrigjim e ne jemi për atë korrigjim.

“Nëse e dëgjoni deklaratën e Presidentit pas samitit, ai thotë “nuk ka për të ndodhur korrigjimi i kufijve”, madje shton se “është angazhimi im personal, që Luginën e Preshevës të ja bashkoj Kosovës”. Pra çfarë po flasim këtu, s’ka me pas korrigjim por Luginën do ta marrim ne”.

Analisti ka thënë se edhe liderët tjerë nuk janë të çartë çfarë po kërkojnë.

“E para në procesin dialogues duhet të futemi me një qëndrim unik. Cila është kërkesa e Kosovës në këtë proces dialogues. Si në Berlin ashtu edhe në Washington, Presidenti dhe Kryeministri flasin ndryshe nga njëri tjetri”, tha ndër të tjera Arton Demhasaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat