Pacolli: Haradinaj u përball me presion për heqje të taksës

Aktuale

Pacolli: Haradinaj u përball me presion për heqje të taksës

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:20
Behgjet Pacolli

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Samitit e Berlinit ka pasur presione të shumta për pezullimin e taksës.

Ai madje tha se ambasadori i SHBA-së në Gjermani, me të cilin janë takuar krerët e Kosovës para Samitit, i ka kërkuar delegacionit kosovar ta pezullojë taksën për dy javë, por një kërkesë e tillë është refuzuar nga kryeministri Haradinaj.

Pacolli: Të gjithë kërkuan heqjen e taksës

“Kush iu është afruar atij ka kërkuar të pezullojë taksën, një pezullim i taksës për dy javë është kërkuar edhe nga ambasadori i SHBA-së, thotë vetëm për dy javë pezulloje taksën, unë nesër udhëtoj për Uashington dhe sigurisht do të pasojë informata për takimin e delegacionit tuaj me eksponentët e lartë, nuk përmendet presidenti Trump në New York, dhe normalisht zotëri Haradinaj thotë se taksa nuk hiqet dhe ky presion tash vazhdon te shtetet e Ballkanit Perëndimor. Secili që ka shkuar ka kërkuar suspendimin e taksës”, tha Pacolli.

Ai ka konfirmuar se presion për largim të taksës kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pasur edhe nga nikoqirët e Samitit të Berlinit, konkretisht nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Këto kërkesa Pacolli tha se organizatorët i bënë pas konferencës së parë, konkretisht gjatë një kokteji.

Pacolli:  Mekel dhe Macron kërkuan suspendim të taksës

“Nuk ka qenë presion kanë qenë këshilla thotë hiqeni, suspendojeni këtë taksë nëse për një kohë të caktuar dhe në këtë kohë të caktuar i definojmë gjërat që duhet të ndodhin, nëse nuk ndodhin ato në këtë kohë të caktuar je i autorizuar dhe i legjitimuar ta veshë taksën prapë dhe askush nuk do të jetë kundër asaj takse më, dhe ju nuk do të jeni më fajtor  në këtë proces. Pason propozimi i presidentit Macron, e njëjta retorikë, edhe mbaron kjo pjesa e koktejit, hyjmë në raundin e dytë të konferencës dhe në raundin e dytë është folur vetëm për Kosovë”, tha Pacolli.

I pyetur nëse mos uniteti i presidentit Hashim Thaçi me kryeministrin, Ramush Haradinaj, ka dëmtuar raportet bilaterale të Kosovës në nivelin rajonal, Pacolli tha se në Samitin e Berlinit presidenti Thaçi nuk i ka bërë presion kryeministrit Haradinaj për taksën, por vetëm në fjalimin e tij ka qenë kritik ndaj BE-së dhe ka konsideruar se taksa është legjitime dhe se duhet të mbetet në fuqi.

Ai tha se janë dakorduar që takimi i radhës të jetë në Samitin e Parisit, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Ekipit Negociator.

Duke folur për ecurinë e Samitit të Berlinit ku ishte edhe ai prezent, Pacolli tha se pret që edhe verbalisht Kosova ta merr një ‘po’ nga Gjermania sa i takon liberalizimit të vizave.

Pacolli: Optimistë se do të ketë heqje e shpejtë të vizave

“Gjermania është vend kyç për liberalizim të vizave, ashtu do të ndodh si vepron Gjermani. Nëse Gjermania është pro, do thotë ne do të kemi liberalizim të vizave. Ju e dini se është një gjë, e cila diskutohet në mes ministrave të shteteve anëtare të BE-së. Ne kemi Poloninë, e cila na mbështet, kemi disa shtete evropiane, mirëpo pa një shtet tjetër të madh nuk kemi mundur të kalojmë, Gjermania derisa tani nuk ka qenë e definuar dhe vizita jonë te ministri i Punëve të Brendshme që patën në Berlin na bënë optimistë dhe më bënë t’ju konfirmoj se Gjermania është në anën tonë“, tha ai.

Pyetje rreth Samitit të Berlinit pati edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, e cila kërkoi të di sa persona kanë qenë pjesëmarrës në Samiti nga Kosova dhe sa i ka kushtuar udhëtimi me aeroplan privat, dhe se më shumë po punon me shtetet afrikane, sesa me 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovë.

Fitore Pacolli: A ju kompenson shteti për udhëtimet me aeroplanin privat

“Sa zyrtarë kanë shkuar nga MPJ-ja, sepse ne patëm një informatë që 40 zyrtarë kanë shkuar nga Kosova. A ka qenë i nevojshëm ky numër kaq i madh të shkojë në samitin e Berlinit, dhe a mund të na tregosh se a kompensohesh që shkon me aeroplanin tënd privat. Kush i paguan derivatet”, tha deputetja e VV-së. 

E këto pyetje si duket pak e tensionuan shefin e diplomacisë teksa i ka  konsideruar si tendencioze, duke thënë se në Samitin e Berlinit ka qenë i shoqëruar vetëm nga këshilltari i tij dhe se nuk e di për pjesën tjetër të institucioneve tjera qeveritare.

Pacolli: Sa paguan shteti për aeroplanin tim, pyetni në MPJ

“Jemi duke punuar edhe me Spanjën dhe është tendencioze të thuhet që po hezitoj me shtetet evropiane. Zonjë, unë jam një qytetar evropian, jetoj në qendër të Evropës, punoj në Zvicër ku çdo gjë është transparente mos keni dert për mua, sado që është munduar dikush të njollosë figurën time unë vijë prej perëndimi...Nëse keni ndonjë dyshim, shkoni në kontabilitetin e Ministrisë së Jashtme, ose të Financave dhe merrni konfirmimin se sa para ka paguar shteti i Kosovës për aeroplanin tim. Ku është interesi yt për t’i paguar gjithë këto para. Interesi im se e dua Kosovën më tepër se që po e doje ti”, tha ai.

Ndërsa, deputeti, Glauk Konjufca  kërkoi të di se a është momenti i duhur tani që Kosova të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe se a shkakton pengesë në këtë proces Gjykata Speciale.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli tha se emërimi i sekretarit të ri të Këshillit të Evropës i ka mundësuar Kosovës që të aplikojë së shpejti në këtë Këshill.

Pacolli: Së shpejti aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

“Unë besoj që menjëherë pas zgjedhjeve, ne do të aplikojmë, sa i përket punës sonë ne patëm vitin e kaluar një task- forcë për këtë një grup informues, kemi punuar dhe kemi sqaruar dhe ne jemi të gatshëm të aplikojmë në Këshillin e Evropës tani. Ka qenë një strategji, ka qenë mendim edhe i diplomatëve kosovarë, por edhe i faktorit politik që të vijë sekretari i ri dhe të ndodhin zgjedhjet. Në asnjë rast nuk është përmendur Gjykata Speciale këtu prej njerëzve me të cilët kam kontaktuar, por Gjykata Speciale nuk është përmendur në këtë drejtim”, u shpreh ai. 

Sa i përket Interpolit, gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Jashtme, ministri Pacolli kërkoi që raportimi të bëhet pa praninë e mediave për çka anëtarët e komisionit u pajtuan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat