Flasin nga Berlini, tregojnë a i thanë “Po” Haradinajt për vizat

Aktuale

Flasin nga Berlini, tregojnë a i thanë “Po” Haradinajt për vizat

Më: 2 maj 2019 Në ora: 16:49
Horst Seehofer dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimit që ka pasur me Ministrin e Brendshëm të Gjermanisë, Horst Seehofer, ka thënë se ka marrë “PO”-në e Berlinit sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. 

Tashmë gjithçka është në dorën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nëse do të vendosin të lejojnë kosovarët të lëvizin pa viza nëpër Zonën Shengen. E për të ndodhur një gjë e tillë, Kosova duhet të marrë mbështetjen e 28 shteteve anëtare, përfshirë këtu edhe pesë prej tyre të cilat vazhdojnë të mos e njohin si shtet.

Duke e parë këtë, kryeministri Haradinaj ka filluar përpjekjet që të marrë mbështetjen për liberalizim prej shteteve të cilat diktojnë politikat e BE-së. Pas Samitit të Berlinit, me 30 prill, kreu i Qeverisë ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer. Pas këtij takimi, Haradinaj ka thënë se ka marrë një “PO” të Gjermanisë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo ministri thotë se mbështet Kosovën, në përpjekjet për të arritur deri tek liberalizimi i vizave.

“Ministria e Punëve të Brendshme mbështet Kosovën në synimet e saj për të arritur liberalizimin e vizave”, ka thënë Glösenkamp.

Por nga zyra për media e Ministrit të Brendshëm gjerman, ngurrojnë që të ndajnë detaje nga ajo se çfarë është diskutuar brenda takimit.

 “ Ka pasur një takim në mes të Ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës me 30 prill.  Ajo se çfarë është diskutuar brenda takimit është konfidenciale, dhe nuk mund të ndajmë detaje rreth përmbajtjes së saj”, ka thëne zëdhënësi i MPB-së gjermane, Stefan Ruwwe-Glösenkamp.

Ndër të tjera në përgjigje është rikujtuar fakti se në fund të nëntorit të vitit 2018 presidenca Austriake kishte konstatuar se ende nuk ishin pjekur kushtet që t’i hiqet Kosovës regjimi i vizave.

Ruëëe Glösenkamp  ka treguar se në konsultimet nëpër komisionet e BE-së ka marrë pjesë edhe Gjermania, dhe thotë se kanë diskutuar rezultatet e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rrezikun e  migracionit.

“Nga pikëpamja e Presidencës Austriake në fund të nëntorit, nga diskutimet në komisionet e BE-së u konstatua se ende nuk është koha që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Konsultimet në të cilët ka marrë pjesë edhe Gjermania, është diskutuar në veçanti rezultatet në parandalimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe rreziqet e migracionit”, ka përfunduar ai.

Liberalizimi ka qenë temë diskutimi edhe përgjatë takimeve në Samitin e Berlinit. Madje para nisjes për atje krerët e shtetit të Kosovës, kishin thënë se në Berlin do të kërkojnë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave. Madje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ua kishte thënë para syve, Merkelit dhe Makronit, se Bashkimi Evropian e kishte gënjyer hapur Kosovën kur i kishte premtuar liberalizim të vizave në këmbim të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërsa Haradinaj ka thënë se kosovarët duhet të jenë të duruar, dhe së një vendim pozitiv për vizat mund të merret në fillim të qershorit, pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e brendshme në Bashkim Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat