Ragmi Mustafa: Nuk i kemi dërguar letër të re Mogherinit

Aktuale

Ragmi Mustafa: Nuk i kemi dërguar letër të re Mogherinit

Më: 2 maj 2019 Në ora: 17:43
Ragmi Mustafa

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, përmes një letre kanë kërkuar që çështja e shqiptarëve të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, i kanë dërguar një letër Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëkryesuesve të dialogut me Serbinë, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, përmes së cilës kërkonin përfshirjen e çështjes së shqiptarëve në procesin e dialogut.

Kjo iniciativë është marrë nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, Ragmi Mustafa, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani.

Mediet serbe raportuan se një letër e tillë është dërguar sot, mirëpo, kryetari i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve, Ragmi Mustafa, ka thënë, se kjo iniciativë ishte marrë në fillim të këtij viti.

“Letra ka qenë një iniciativë e përbashkët me deputetin popullor Fatmir Hasani dhe me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi. Ajo letër është dërguar në fillim të muajit janar, me 4 ose 5 janar, para se të ndodhte takimi mes Mogherinit dhe delegacionit shtetëror të bashkëdrejtuar nga zotëri Ahmeti e Limaj”, ka treguar Mustafa.

Ai ka thënë se përmes kësaj iniciative kanë kërkuar që çështja e shqiptarëve të Luginës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi.

“Në të njëjtën ne kemi kërkuar që në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, të trajtohet çështja e Luginës së Preshevës, përkatësisht një rast i mirë për t’u përfshirë edhe çështja e Luginës së Preshevës në kontestit të një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ndërkombëtarisht obliguese për të dyja shtetet. Gjithsesi për ne është shumë e rëndësishme që kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vazhdimësi të bëj të ditur të gjitha institucioneve ashtu siç në korrikun e vitit të kaluar kur përfaqësuesit shqiptar në Kuvendin e Këshillit Shqiptar të Luginës së Preshevës miratuan deklaratën e përbashkët politike me ç’rast kërkuan nga Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti që të trajtojnë në këtë proces çështjen e Luginës së Preshevës dhe të kërkohet një zgjidhje edhe për Luginën e Preshevës, duke u bazuar në dokumentet që ka nxjerrë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe dokumentet zyrtare ndërkombëtare. Duke u bazuar në fund në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, atëherë kur shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin deklaruar për autonomi territoriale politike me të drejtë bashkimi me Republikën e Kosovës”, ka treguar Mustafa.

Mirëpo ai ka thënë se pasi që është miratuar Platforma për Dialogun me Serbinë nga Kuvendi i Kosovës, më nuk kanë dërguar asnjë kërkesë, sepse siç u shpreh ai,  në këtë platformë është paraparë edhe trajtimi i çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Nga ajo kohë nëse ju kujtohet, Parlamenti i Kosovës ka miratuar Platformën dhe Ligjin për Dialogun. Në Platformë është paraparë edhe trajtimi i çështjes së Luginës së Preshevës dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës, përkatësisht institucioneve relevante të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Luginës së Preshevës, përfshirë edhe Këshillin Kombëtar Shqiptar vihen në dispozicion për ta lehtësuar dhe ndihmuar këtë proces të rëndësishëm edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe Shpend Ahmeti, bashkëkryesuesi i Dialogut me Serbinë, ka konfirmuar se sot nuk ka pranuar asnjë kërkesë dhe asnjë letër nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Nuk kam marrë asgjë ende”, është përgjigjur shkurt Ahmeti.

Kujtojmë, se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi që Kosova ka vendosur taksë preh 100 për qind për mallrat me origjinë serbe dhe në këtë mënyrë Serbia, vazhdimin e dialogut po e kushtëzon me heqjen e taksës.

Mirëpo, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e Berlinit, ka thënë se taksa nuk do të hiqet dhe se dialogu duhet të vazhdojë mirëpo, pa asnjë kushtëzim nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat