Fakte të reja mbi rastin e Drenasit, biseda, skenarë e montime

Aktuale

Fakte të reja mbi rastin e Drenasit, biseda, skenarë e montime

Më: 3 maj 2019 Në ora: 11:53
Polici Vesel Veseli, avokati Gazmend Halilaj dhe profesori Shkelzen Xhekaj

Tre muaj më parë, një ngjarje e ndodhur në Drenas u bë lajmi më i përfolur në vend. Një polic hetues dhe një profesor u arrestuan për keqtrajtim seksual të një të miture ndërsa një doktor u kap nga organet e rendit me dyshimin se ka kryer abort të paligjshëm. Por pas zhvillimit të hetimeve rasti u zgjerua në disa pista ndërsa i dyshuar për keqtrajtim seksual të të miturës doli të jetë edhe një avokat. 

Polici hetues Vesel Veseli, i cili dje është liruar nga Qendra e Paraburgimit për të qëndruar në arrest shtëpiak, nga organet e rendit është hetuar për keqpërdorim seksual të së miturës A.G., duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin. 

Për të njëjtën vepër dhe për të njëjtën viktimë, është hetuar edhe profesori Shkelzen Xhekaj ndërsa gjinekologu Fehmi Ahmeti për “ndërprerje e palejuar e shtatzënisë”.

Kurse avokati Gazmend Halilaj, i cili u paraqit si hero për nxjerrjen në publik të këtij rasti dhe kinse për ta mbrojtur viktimën A.G., (tashmë e rritur) në fund doli të jetë vet i përfshirë në këtë ‘valle’.

Polici Vesel Veseli, avokati Gazmend Halilaj dhe profesori Shkelzen Xhekaj

Ai u arrestua me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim seksual ndaj të miturës A.G., duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penal të Kosovës.

Avokati Halilaj kohë më parë ishte mbrojtës i profesorit Shkelzen Xhekaj, i cili ishte hetuar për shfrytëzim seksual të viktimës A.G. Rast ky i mbyllur nga Prokuroria atë kohë për mungesë të provave dhe tërheqje të deklaratës nga A.G. 

Që të gjithë të lartpërmendurit janë liruar nga paraburgimi ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak deri në nisjen e procesit gjyqësor.

Burimet kanë treguar se policia e ka ekzaminuar telefonin e vajzës A.G., ku ka gjetur biseda dhe koordinime të ndryshme të saj me mbi dhjetë persona që tashmë janë intervistuar dhe janë në procesin e hetimit.

Po ashtu sipas prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se vajza në fjalë është përdorur nga avokati Gazmend Halilaj dhe ka pasur marrëdhënie seksuale me të. 

Avokati Gazmend Halilaj ka bërë përpjekje që të hakmerret në forma të ndryshme ndaj policit Vesel Veseli, me të cilin një kohë të gjatë e kanë ndarë edhe një zyre së bashku. Po ashtu, polici Veseli Veseli ka qenë hetues edhe në një rast në familjen e ngushtë të avokatit dhe hakmarrja e tij ka marrë përmasa edhe më të mëdha pas këtij rasti. Po ashtu në hetime është përfshirë edhe një zyrtare policore, e cila i ka rrjedhur në mënyrë selektive informacionet në publik kundër Vesel Veselit.

Ajo dyshohet se ka lidhje të forta me avokatin, dikur ish-kolegun Halilaj.

Edhe pretendimi se polici Vesel Veseli ka qenë hetues i rastit (profesor- viktimë e mitur) dhe se i njëjti i ka bërë foto asaj lakuriq është hedhur poshtë, sepse këtë gjë e kanë konfirmuar dy police të rastit që e kanë bërë pranimin dhe janë marrë rastin në fjalë.

Sipas informacioneve që posedon IO, polici Veseli Veseli tani po hetohet vetëm për abort të detyrueshëm dhe për këtë si dëshmi është duke u përdorur një video e xhiruar nga vetë viktima, e që në bazë të provave të prokurorisë viktima është nxitur që ta bëjë një gjë të tillë. 

Sipas deklaratave të Vesel Veselit dhënë prokurorisë, i dyshuari ka pranuar marrëdhënien me A.G., po ka mohuar atësinë e fëmijës së abortar.

Në aktvendimin e siguruar të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Gazmend Halilaj, për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, thuhet se: Ekziston dyshimi i bazuar se duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar si avokat, derisa në një rast të evidentuar në prokurori me numër PPIInr.5763/17 e ka mbrojtur me autorizim profesorin Shkelzen Xhekaj, që ka qenë i dyshuar për një keqpërdorim seksual që ka bërë ndaj tani të dëmtuarës A.G., Gazmendi si avokat i të dyshuarit ka përfituar nga ky rast dhe sipas tij që nga fundi i vitit 2017 është njoftuar më për së afërmi me tani të dëmtuarën A.G., ka filluar të shoqërohet me të dhe me të njëjtën është hy edhe në lidhje gjegjësisht raporte dashurie dhe seksuale, për çka ekzistojnë provat e mjaftueshme që janë nxjerrë nga ekzaminimi i telefonit të dëmtuarës, ku bazuar në fotografitë e gjetura (screnshot) dhe audio incizimeve të bisedave mes tij dhe viktimës, vërtetohen lidhjet dhe raportet e të pandehurit me të dëmtuarën, se të njëjtën e ka keqpërdorur edhe seksualisht e krejt këtë e ka bërë duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij në profesion, por në të njëjtën kohë duke shfrytëzuar edhe pozitën dhe gjendjen materiale, emocionale dhe shpirtërore të të dëmtuarës.

Po ashtu në aktvendimin e njëjtë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndër të tjera thuhet se: Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Gazmend Halilaj është afruar shumë me të dëmtuarën A.G., sa që edhe vet pastaj ka filluar ta keqpërdorë seksualisht dhe të manipulojë me të duke e shtyrë që ajo të denoncojë personat tjerë për keqpërdorimet seksuale që ja kanë bërë asaj.

I pandehuri, Gazmend Halilaj edhe përkundër faktit se ju ka tërhequr vërejtja nga organet institucionale, IPK dhe Prokuroria që të mos i pengojë hetimet për rastin kundër Vesel Veselit, ai ka vazhduar të komunikojë dhe të ndikojë të e dëmtuara A.G./Indeksonline

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat