Veseli: Taksa është bërë bajat, nuk do t’i nënshtrohemi Serbisë

Aktuale

Veseli: Taksa është bërë bajat, nuk do t’i nënshtrohemi Serbisë

Më: 3 maj 2019 Në ora: 12:53
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot ishte nikoqir i presidentit, kryeministrit dhe delegacionit për dialog Kosovë-Serbi.

Pas takimit kryetari Veseli tha se kanë zhvilluar një takim mjaft pozitiv dhe konstruktiv, në të cilin është konstatuar nga të gjithë se Samiti i Berlinit është një lajm i mirë.

Veseli tha është konstatuar po ashtu nga të gjithë inkurajimi i Bashkimit Evropian në fillimin e involvimit serioz në proceset historike të Kosovës, por sipas tij, në mënyrë të veçantë, ishte qëndrim unanim i të gjithëve që të inkurajohet edhe një nga shtete më mike të Kosovës, SHBA-ja, me rolin më të fuqishëm global të saj.

Veseli: Qëllimi përfundimtar është anëtarësimi në OKB me sovranitet dhe integritet të pa cenuar

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe kështu do të jetë për jetë. Nuk do të ketë dhe as që do të flitet ndonjëherë për shtetin tonë në sovranitetin tonë. Qytetarë të Republikës së Kosovës, ne po flasim për obligimet që duhet t’i merr Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ndaj qytetarëve të vet, ndaj fqinjëve dhe ndaj Bashkimit Evropian. Për ne me rëndësi është ky proces. Ne do të marrim pjesë në proceset e tilla ku do që na ftojnë, në mënyrë të unifikuar dhe qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar, është vetëm një, Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me sovranitet dhe integritet të pa cenuar. Kosova do të shkoj edhe në Paris edhe ku do që ftohet. I falënderojmë Merkel dhe Macron për këtë involvim dhe këtë iniciativë”, tha Veseli.

Ai shtoi se po ashtu Ekipit Negociator iu është dhënë përkrahje e iniciativës konform edhe rezolutave të cilat janë nxjerrë, si dhe për platformën e tribunalit për trajtimin e krimeve serbe mbi Kosovë.

Mirëpo, kur u pyet nga mediat për taksën ndaj Serbisë, Veseli tha se kjo çështje është bërë bajat.

Veseli: Çështja e taksës u bë bajat

“Edhe diçka për taksën se për besë u bë bajat. Thjesht nuk e kemi ndërmend me marrë vendim i cili e vënë në qoshe asnjë udhëheqës të shtetit të Kosovës. Kurrë s’kemi me u nënshtruar ndaj Serbisë dhe ndaj Vuçiqit. E marrim (vendimin) ashtu siç është interesi ynë i përbashkët si shtet i pavarur dhe sovran, me maturi dhe me mençuri, me atë çka thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë në Bashkimin Evropian,  kështu që këtë punën e taksës, largojeni se e keni bërë shumë të madhe pa nevojë”, tha ai.

Duke folur për mundësinë e heqjes së taksës, Veseli tha se do të shkohet gradualisht, por kurrë s’do të ketë nënshtrim ndaj presidentit Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë.

Veseli: Mos me më ardhur keq, kisha vrapuar si kryeministri

 “Mos me më ardhur keq, kisha vrapuar sikur kryeministri nga njëherë kur... ka të bëjë me çështjen e Kosovës. Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz i shtetit tonë ndaj Serbisë. Pse po e bëni të madhe. Taksa është dashur të konsumohet vetëm në raport me Serbinë. Ky ndoshta është gabimi me taksën. Nga një herë në një iniciativë tha njëri: “Foli një fjalë, e në fund pastaj, nuk e njohu fjalën e vet”. Kur e kam propozuar taksën 100 përqind, ka qenë përgjigje e drejtpërdrejt ndaj Serbisë, jo SHBA-ve, Gjermanisë dhe Francës. Andaj, do të shkojmë gradualisht, por kurrë s’do të ketë nënshtrim ndaj Vuçiqit dhe Serbisë”, theksoi Veseli.

Ai tha se në këtë takim nuk kanë biseduar fare për liberalizmin e vizave, derisa shtoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, ndoshta sipas tij, ka plotësuar më shumë kushte se sa shumica e vendeve që e kanë përfituar liberalizimin.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Shpend Ahmeti me arsye nuk ka qenë në takim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat