Parregullsi dhe përleshje fizike – përmbyllen zgjedhjet brenda PDK-së, Tahiri thotë se u treguar “kulturë e lartë”

Aktuale

Parregullsi dhe përleshje fizike – përmbyllen zgjedhjet brenda PDK-së, Tahiri thotë se u treguar “kulturë e lartë”

Më: 4 maj 2019 Në ora: 14:48
Abelard Tahiri

Me parregullsi dhe një përleshje fizike mes anëtarëve të saj në Skënderaj, Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur procesin e zgjedhjeve të brendshme të saj.

Pavarësisht telasheve që u raportuan në media – madje disa herë nga vet anëtarët e saj – zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri thotë se subjekti i cili udhëhiqet nga Kadri Veseli, ka treguar kulturë të lartë përgjatë këtij procesi.

“Pas angazhimit të mijëra anëtarëve, pjesëmarrësve dhe mbështetësve të PDK-së, sot përmbyllëm me sukses kuvendin zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri, duke ia shtuar kështu edhe këtë qytet unik, hartës së qyteteve që për muaj me radhë i dhanë shpirt Dekadës së Re dhe vizionit të liderit të PDK-së, Kadri Veselit. Tashmë ka mbetur edhe pak kohë nga momenti kur Partia Demokratike e Kosovës, kulturën e lartë politike të gjeneruar përmes zgjedhjeve të brendshme nëpër degë, ta bartë në zgjedhjen e strukturave të reja të saj në nivel kombëtar”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.

“Fryma e Dekadës së Re që është duke zënë vend legjitim dhe jashtëzakonisht të fuqishëm në shoqërinë tonë do ta prodhojë një formulë të progresit, zhvillimit dhe ngritjes së njeriut të Kosovës në vendin që atij i takon me të drejtë”, ka deklaruar Tahiri.

Por, Tahiri nuk i ka përmendur parregullësitë që u paraqitën gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, e të cilat janë raportuar në medie gjatë javëve të kaluara..

Rreth dy javë më parë, në nëndegën e PDK-së së Skenderajt, në Klinë të Epërme, pati përplasje fizike mes anëtarëve. Madje, gjatë procesit të zgjedhjeve të brendshme në Skenderaj, anëtarët e kësaj dege të PDK-së u grushtuan mes vete.

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, në një njoftim për media nuk e kishte mohuar përplasjen fizike mes anëtarëve të nëndegës, por as nuk kishte dhënë detaje për të.

“Sa për sqarim të opinionit, kuvendi zgjedhor i nëndegës së Klinës së Epërme është anuluar, për shkak të disa pakënaqësive në mesin e të pranishmëve. Në këtë rast, Komisioni Lokal Zgjedhor ka vendosur që t’i anulojë këto zgjedhje deri në një vendim të ri”, ka thënë Lushtaku, në profilin e tij në Facebook. Lushtaku për përleshjen: Në Klinë të Epërme pati pakënaqësi, u anuluan zgjedhjet Ndërkohë ai ka treguar se zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Skenderaj, janë mbajtur në Kllodërnicë, Rakinicë dhe Krasmirofc”, kishte deklaruar Lushtaku.

Ndërkaq, parregullësi ishin shfaqur edhe në një nëndegë të PDK-së në Rahovec.

Kryesia e nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës në Hoçë të Vogël të Rahovecit, javë më parë njoftoi se delegatët e saj janë përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvendin e degës së PDK-së, i cili ishte mbajtur në Rahovec.

Sipas kësaj nëndege, shkas i përjashtimit ishte fakti se kryetari i kësaj nëndege Ramadan Krasniqi ishte kandidat për kryetar të degës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat