Ligji i ri, 300 të emëruar politikë më pak se sa aktualisht në Qeveri

Aktuale

Ligji i ri, 300 të emëruar politikë më pak se sa aktualisht në Qeveri

Më: 5 maj 2019 Në ora: 12:26
Qeveria e Kosovës

Shpenzimet e shumta në paga, mëditje dhe shërbime të tjera për të emëruarit politik në Qeverinë Haradinaj pritet të zvogëlohen me Ligjin e ri për Qeverinë. Përveç bartjes ose shuarjes së ministrive, dhe dërgimit në 16 sosh, pritet të ulen nga 500 të emëruar politik nën 200 të tillë.

Zyrtarët e qeverisë presin që kjo të kursej buxhetin. Sipas disa përllogaritjeve, ky ligj pritet të kursej rreth 600 mijë euro. Këtë shifër e mohojnë ata që e kanë bërë ligjin, ndërkohë, nuk japin shifër të saktë.

Në parametrat aktual, sipas parashikimeve fiskale të Ministrisë së Financave në shpenzimeve buxhetore për vitin 2019 janë rreth 1 milion e 561 mijë euro, për paga, mëditje, mallra dhe shërbime për të emëruarit politik.

Sipas kordinatorit nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ligji i ri për Qeverinë do të jetë lehtësim për buxhetin e shtetit, pasi siç thotë ai, kosto buxhetore e pagesave për të emëruar politike do të ulet.

Ndonëse drafti i ligjit për qeverinë është përgatitur, ende nuk është vendosur se cilat ministri do të shuhen apo shkrihen në dikastere të ministrive të tjera.

Tahiri: Tani për tani nuk e dina sa do të kemi kursime

“Ligji përveç që e ulë numrin e ministrive dhe të emëruarve politik, duke përfshirë zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, këshilltarët politik, po ashtu ulë koston dhe barrën buxhetore mbi buxhetin e Kosovës... Ministria e Financave planifikimin buxhetor e bën mbi parametrat që i ka tash, jo mbi parametrat që një ligj i caktuar mund të hyj në fuqi. Ajo që unë e siguroj publikun është që ky ligj nuk është barrë shtesë për buxhetin e Kosovës, por në fakt është barrë lehtësuese buxhetore për buxhetin e konsoliduar të Kosovës, që nënkupton nuk do të ketë implikacione financiare, por të kundërtën, do të minimizim të shpenzimeve buxhetore në raport me funksionimin e qeverisë”, u shpreh Tahiri.

Edhe Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të financave, Bedri Hamza, beson se ligji për Qeverinë do të kontribuojë në buxhetin e shtetit. Sipas tij, ulja e numrit të stafit politik nga 500 në 200, pa dyshim se do të ulë edhe shpenzimet buxhetore. 

Rafuna: Të emëruarit politik të ulen nga 500 nën 200 të tillë

“Deri tani sa janë përafërsisht, ose mund të them lirisht rreth 500 të emëruar politik që me ligjin e ri mos të shihen më shumë se 200 të emëruar, por të jenë nën 200. Vet ulja e këtij numri, padyshim  se e ulë koston e shpenzimeve, qoftë në mallra, shërbime, qoftë në paga, apo në kategori të tjera, kështu që në rast se finalizohet ligji ashtu siç është deri më sot duke u punuar një ligj i mirë. Atëherë unë besoj shumë që edhe pse nuk e kemi koston e parë, padyshim që do të kemi ulje të shpenzimeve”, thotë këshilltari Rafuna.

Skeptike për realizimin e këtij ligji shprehet anëtarja e Komisionit për  Buxhet dhe Financa, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, është pikërisht kjo qeveri që është duke i shkaktuar dëme buxhetit të shtetit me vendimet e saja për rritje të pagave dhe emërimin e shumë zyrtarëve politik.

Nagavci: Me këtë qeveri nuk presim diçka të mirë

“Ligji për Qeverinë është shumë i rëndësishëm, sidomos për situatën çfarë jemi aktualisht me qeverisjen PAN, ku jemi dëshmitar që në mënyrë abuzive kanë keqpërdorur buxhetin e vendit duke emëruar numër enorm të numrit të zëvendësministrave, këshilltarëve, kordinatorëve e kështu me radhë...me këtë qeveri, e cila që prej ardhjes njëra ndër vendimet e para i ka pasur vendimin për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, nuk është që presim diçka shumë të mirë. Një gjë tjetër është që duhet pasur parasysh është që mos të ndodh si me ligjet e kaluara”, tha deputetja Nagavci.

Por Besnik Tahiri, i cili ka udhëhequr me ekipin për draftim të këtij ligji, shpreh bindjen se ky ligj do të gjejë zbatim brenda mandatit të qeverisë Haradinaj. Përkundër se do të ulen numri i ministrave, ai theksoi se ka pajtueshmëri brenda të gjithëve që të ulet numri i tyre. 

Të domosdoshëm e sheh këtë ligj dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, i cili thotë se përveç që do të ketë kursime buxhetore, do të ketë implikime dhe në krijimin e një mjedisi më të favorshëm institucional.

Sipas tij, kjo është një pikënisje që do të thellon  procesin e reformave në sektorin e administratës publike dhe sektorin e shërbyesve civil.

Sadiku: Kjo është një pikënisje për reforma

“Ky ligj do të ketë implikime në kursimet buxhetore. Do të ketë implikime në krijimin e një mjedisi në të favorshëm institucional për inkurajimin e investimeve të jashtme. Sepse duhem të them që tani për tani investimet e huaja shkojnë në ato vende, ku nuk ka barriera edhe pengesa më të ulëta administrative. Prandaj kjo është një pikënisje që të thellohet procesi në sektorin e administratës publike, në sektorin e shërbyesve civil”, tha ai.

Ligji për Qeverinë pritet të kalojë në Qeveri për votim në fund të muajit maj, ndërsa në dy javët e ardhshme do të dal në konsultim publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat