Haradinaj: E kemi gjetur Pejën shkrumb e hi, BE dhe SHBA të mos lejojnë Serbinë të mohojë krimet në Kosovë

Aktuale

Haradinaj: E kemi gjetur Pejën shkrumb e hi, BE dhe SHBA të mos lejojnë Serbinë të mohojë krimet në Kosovë

Më: 5 maj 2019 Në ora: 16:17
Ramush Haradinaj

Derisa shteti i Serbisë ka vrarë 13 mijë e 500 civilë, ka kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës dhe ka dhunuar rreth 20 mijë persona, drejtësia ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e vet.

Kështu deklaroi presidenti Hashim Thaçi në tubimin përkujtimor të 183 dëshmorëve të Komunës së Pejës, prej nga u shpreh se është nder për të gjithë bartësit e institucioneve të Kosovës që të nderojnë Ditën e Dëshmorëve në Pejë.

Ndonëse kaluan 20 vjet, presidenti ftoi që lufta të kujtohet gjithherë me krenari, duke respektuar vlerat e saj, të cilat vetëm sa do ta forcojnë shoqërinë dhe shtetin.

Thaçi: UÇK-ja i bashkon edhe sot të gjithë qytetarët anekënd vendit

“Edhe pse kaluan 20 vjet çdo ditë e më tepër shihet se vlera e UÇK-së është vlerë e paprekshme, një vlerë që bashkon qytetarët pa dallim partie, ideologjie apo lokaliteti, është vlera më sublime dhe e shenjtë e kombit tonë, e  shtetit tonë, është një vlerë që e fuqizon çdo ditë e më tepër shtetin tonë, prandaj ju familje të dëshmorëve, ju fëmijë të dëshmorëve të ndiheni krenarë me prindërit tuaj, ne me bashkëluftëtarët që dhanë gjithçka që Kosova të jetë e lirë, të jetë e pavarur dhe të lëvizë gradualisht drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, tha Thaçi.

Duke kujtuar gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, ai foli edhe për nismën e Kongresit amerikan për kërkimin e drejtësisë, e cila ndonëse e vonuar shërben si stimulim për kërkimin e drejtësisë.

Thaçi: Serbia ka vrarë 13.500 civilë, bëri 400 masakra dhe rreth 20.000 dhunime

“Kujtojmë sot në të njëjtën kohë edhe gjenocidin që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë, që ka vrarë 13.500 civilë ka kryer rreth 400 masakra anekënd Kosovës, rreth 20.000 dhunime kundër grave shqiptare, e që drejtësia  ndërkombëtare ende nuk e ka thënë fjalën e vet, apo kemi të bëjmë me një zero drejtësi. Kështu që edhe angazhimi i fundit i Kongresit amerikan i mikut të madh të kombit tonë, i Engel, është kontribut dhe angazhim i jashtëzakonshëm dhe historik për të vërtetën dhe drejtësinë që ka ndodhur në Kosovë, ani pse vonë fjalët e kongresistit  Engel dhe të gjithë të pranishmëve ishin një stimulim i madh për të gjithë që të kërkojmë më tepër drejtësi, të punojmë më tepër për drejtësi, e unë kam besim që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt do ta nxjerrë rezolutën për gjenocidin në Kosovë dhe gjithë kryerësit e krimeve do të ballafaqohen me drejtësinë”, tha ai .

Drejtësi për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë ka kërkuar edhe kryeministri Rmaush Haradinaj.

Mohimi i krimeve nga ana e Serbisë, sipas tij, duhet të jenë alarm edhe për Evropën dhe Amerikën. Për këtë, ai iu drejtua gjithë bashkësisë ndërkombëtare me një kërkesë të vetme, që të mos ia lejojnë një gjë të tillë Serbisë.

Haradinaj: BE dhe SHBA të mos lejojnë Serbinë të mohojë krimet në Kosovë

“Jemi të gëzuar që e kemi fituar lirinë tonë, vendin tonë, ne duam të forcojmë lirinë dhe do ta forcojmë lirinë e Kosovën, jo veç me ushtri, taksë e me Trepçë, por nuk do të ndalemi me punë tona në vendin tonë, jemi të interesuar për fqinjësi, për të jetuar në paqe në Ballkan, por është gabim pozicioni i Serbisë për t’i mohuar krimet, është tepër gabim, nuk shkohet kështu përpara. Janë mbi 400 vend masakra në Kosovë, gra, fëmijë e pleq, të gjitha besimeve. Mohimi i krimeve duhet të jetë alarm edhe për Evropën dhe Amerikën, ai që i mohon po e bën terrenin t’i bëjnë prapë, nuk guxon bota e qytetëruar, ajo që u ngrit në këmbë e i bombardoi Serbinë t’ia lejojë udhëheqjes së Serbisë t’i mohojë ato krime, është tepër e padrejtë. I bëj thirrje krejt kryeqyteteve të BE-së dhe Uashingtonit zyrtar që të mos lejojmë udhëheqjen e  sotme të Serbisë t’i mohojë krimet. Parlamenti ynë, populli j onë nuk do ta lejojmë kurrë këtë”, tha ai.

Haradinaj tha se pushtuesit serb për qëllim kishin shfarosjen e popullit shqiptar, të mbanin Pejën për vete, në mënyrë që të kenë nën kontroll gjithë vendin.

Haradinaj: E kemi gjetur Pejën shkrumb e hi

“Në vitin 1999, në qershor, kemi gjetur Pejën shkrumb e hi, por që i vinte era liri. Kjo liri, e këtillë, ishte me shumë dhembje, me plot vuajtje, shkatërrime, ishte me plot të paditura. Për fat të keq, nuk ishim aq vigjilent, dhe aq të kujdesshëm që të mos lejojmë të ndodhin vëllavrasje në Pejë dhe në zonën tonë, edhe vrasje në Pejë e në zonën tonë dhe vrasje të tjera... Unë sa herë që vij në punë, qoftë me punë, qoftë në përvjetor, qoftë për qejf, kurrë nuk më hiqet pamja e asaj nate nga ky ballkon një mbrëmje të qershorit. Nuk shihej asnjë dritë. Ende shihej zjarri në shtëpi. Në krejt këtë qytet nuk ka pasur banor. Mirëpo, me shpejtësinë më të madhe Peja e ka rikthyer veten dhe është mëkëmbur”, tha Haradinaj. 

Në emër të familjeve të dëshmorëve, Myzaqete Kelmendi, njëherësh nëna e dëshmorit të kombit Jusuf Kelmendi, shprehu falënderimet e saj për të pranishmit.

Kelmendi: Ju falënderojmë që nuk po i harroni dëshmorët

“Ju përshëndes se në secilën kohë nuk i harroni dëshmorët e kombit. Pra, faleminderit”, u shpreh ajo.

Pas fjalës së saj, Kelmendi u prit nga kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po e priste ta përshëndesë afër shkallëve.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj sot kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e dëshmorëve të Pejës dhe te shtatorja e dëshmorit Shkëlzen Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat