Pas një takimi me institucionet e drejtësisë dhe shoqatat e familjeve të viktimave të luftës në Kosovë, në kuadër të iniciativës së tij për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka bërë të ditur edhe disa nga hapat e mëtejme.
Ai paralajmëroi formimin e një Komisioni Shtetëror, i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e pozitës, opozitës dhe komuniteteve, nga shoqatat e dala nga lufta, shoqatat e të pagjeturve, të dëshmorëve, të invalidëve dhe të veteranëve, nga organizatat e shoqërisë civile, nga institucionet e drejtësisë, dhe nga institucionet akademike.
Veseli përmendi se ky Komision do të punojë në mbledhjen e dëshmive dhe përgatitjen e një plani të punës.
Kryetari Veseli përmendi opsionin e angazhimit të një kompanie ndërkombëtare, e cila do të ishte e specializuar në këtë fushë, për të asistuar në të gjitha format.