Historia e vajzës nga Ferizaj që u konvertua në myslimane natën e Ramazanit

Aktuale

Historia e vajzës nga Ferizaj që u konvertua në myslimane natën e Ramazanit

Më: 6 maj 2019 Në ora: 16:38
Elena Berisha

Elena Berisha, që mbrëmë u konvertua nga katolike në myslimane, tashmë do t’i lutet Allahut për mëshirë. Ndërsa nëna e saj do të vazhdojë t’i lutet Krishtit që ta mbrojë vajzën e saj

Megjithëse ato tashmë nuk do ta praktikojnë të njëjtën fe, ato të dyja e duan njëra-tjetrën, sepse e kanë vetëm njëra-tjetrën.

Elenës i vdiq babai që kur ajo ishte vetëm dy vjeçare. E meqenëse nuk ka motra dhe vëllezër, ajo thotë se nëna e saj është gjithçka për të.

19-vjeçarja nga Ferizaj ka rrëfyer historinë e saj të besimit, përfshirë momentin kur i ka treguar nënës së saj se do të konvertohej në myslimane.

“Unë kam qenë me besim katolike. Ka kohë, diku 1 vit që e kam mendu me u konvertu. Kam pasë deshirë, e kam pa gëzimin në fytyrat e myslimanëve. Nuk kam qenë shumë e dhënë pas fesë katolike. Kam pa që Allahu ta lumturon zemrën kur i lutesh, kur e falenderon. Nuk e kundërshtoj asnjë fe, por gjithmonë e kam lutë Allahun me më drejtu në rrugën e tij. Kështu më është shfaqë dëshira dhe bindja për me qenë muslimane dhe kam pasë deshirë që dje, pra natën e Ramazanit të kthehem në muslimane. Në ora 7 në mbrëmje jam kthy, dmth para teravive”, tregon Elena, shkruan Insajderi.

Ajo ka treguar se nëna e saj ka qarë nga gëzimi kur i ka treguar se do të konvertohej në myslimane.

“Moment i papershkrueshëm. Kur i kam tregu, u ndje aq mirë sa që ka fillu edhe me qajtë sepse ajo ka qenë e vetmja që më ka dëgju duke ju lutë Allahut çdo ditë për me u kthy në rrugën e tij”, thotë Elena. “Nëna ime është e besimit katolik, por pavarësisht kësaj, unë e respektoj dhe e çmoj dhe e dua shumë. Ajo është familja ime, gjithçka për mua”.

Lajmin për konvertimin e Elenës e kishin pritur mirë edhe axhallarët e saj, të cilët e kanë uruar.

“Unë jetoj veç me nënën time. Babi më ka vdekë qysh në moshën 2 vjeçare. Motra apo vëllezër nuk kam. Po kam axhallarë. Lajmin që kam deshirë me u konvertu e kanë pritë shumë mirë; kanë qenë të pajtimit dhe kanë qenë shumë të gëzuar që Allahu ma ka mundësu me qenë në rrugën e tij. Ata gjithashtu janë ndje shumë mirë dhe më kanë perkrah, më kanë uru”, thotë ajo.

Shoqet dhe shokët e Elenës kanë qenë gjithmonë në shumicë myslimanë.

“Shoqëria ime ka qenë gjithmonë shumica me besim mysliman. Ata gjithmonë më kanë bë me u ndje mirë”, tregon ajo.

19-vjeçarja thotë se ka respekt për çdo njeri, sepse, siç tha, para krijuesit jemi të gjithë të barabartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat