A do të shkojnë LDK dhe Vetëvendosje në Paris – kjo është përgjigja e tyre

Aktuale

A do të shkojnë LDK dhe Vetëvendosje në Paris – kjo është përgjigja e tyre

Më: 6 maj 2019 Në ora: 17:06
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Në Berlin u tha se u zhduk ideja për korrigjim të kufijve. E mbledhja e radhës e liderëve të Kosovës e Serbisë, të cilët po tentojnë që t’i pajtojnë ndërkombëtarët është paraparë të mbahet për pak muaj në Paris. Përderisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se kjo do të shënojë rifillim të dialogut, partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje edhe pse me ftesë të tij, thonë se mohojnë çfarëdo lloj dialogu të udhëhequr nga kjo qeveri

Ideja për korrigjim të kufijve e dhënë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e  mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nuk e mori miratimin e Francës e Gjermanisë.

Në Samit të Berlinit kjo ide u hodh poshtë e kjo bëri që të ndryshojë edhe formati i dialogut Kosovë-Serbi. Presidenti francez Emmanuel Macron, pas dështimit të arritjes së marrëveshjes së pajtimit në Gjermani, u bëri thirrje liderëve të Kosovës e Serbisë që të takohen edhe një herë, kësaj radhe në Paris, me 1 korrik.

 Deri më tani,  tre krerët e institucioneve kryesore të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, krye parlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, janë dakorduar që të shkojnë në takimin e thirrur nga Macron.

 Haradinaj tha se palës kosovare do t’i bashkohen edhe dy bashkë kryesuesit e ekipit negociator Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti. Po ashtu do të shkojë edhe Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Ftesë i pari i ekzekutivit ka bërë edhe për dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e Lëvizjen Vetëvendosje. Por, asnjë nga të dyja nuk do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Paris. Kështu po deklarohen nga LDK e Vetëvendosje.

Duke folur, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa po thotë se vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e njëjtë sa i përket ekipit negociator.

“Ne jemi deklaruar shumë herë që nuk bëhemi pjesë e të ashtuquajturit ekip negociator pasi që një proces kaq të rëndësishëm duhet ta udhëheqë një qeveri me legjitimitet të plotë, e kjo qeveri e pakicës, në mungesë të shumicës së votave në Kuvend, nuk ka legjitimitet të udhëheqë dialogun përmes grupeve hibride ad-hoc”, thotë Mustafa, duke shtuar se qëndrimi i LDK-së, vazhdon të mbetet i njëjte, fillimisht duhet të shkohet në zgjedhje.

“Është qëndrim i LDK-së që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare sa më parë, që të formohen institucione me legjitimitet të plotë politik të dalë nga vota e lirë e qytetarëve, në mënyrë që dialogun ta udhëheqë një Qeveri e shumicës që përfaqëson shumicën e qytetarëve të Kosovës”, përfundon Mustafa.

Njëjtë po shprehen edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Arlind Manxhuka nga sekretariati për media, i ka thënë se janë disa kushte që duhet të plotësohen në mënyrë që VV të i bashkohet dialogut.

“Pa një vlerësim të procesit të deritashëm të dialogut nga Kuvendi, pa marrjen e përgjegjësisë për fajet e gabimet nga ata që i kanë bërë, dhe pa larguar prej procesit Hashim Thaçin i cili deri më tash e ka shkelur disa herë kushtetutën dhe ligjet për interesa ngushtësisht personalë, nuk do të ketë përfshirje të Vetëvendosjes në këtë proces. Përfshirja në negociata e dialog pa vlerësuar procesin e deritanishëm, do të thotë falje dhe shfajësim për dëmet që na i kanë bërë deri tani Hashim Thaçi e të tjerët, dhe kjo nuk i duhet as Kosovës e as dialogut”, thotë Manxhuka.

Kryeministri i Kosovës pas ardhjes nga Berlini është deklaruar se në Paris është takim më serioz sepse është takim dy palësh.

 “Sa i përket dialogut, qëndrimet janë formësuar, nuk shkohet më për ndërrim territoresh apo lëvizje në kufi. Shkohet për njohje reciproke dhe këtu nuk kemi dallim as unë as Presidenti i Kosovës dhe askush tjetër. Për modalitetet si me e ndihmu dialogun, mendoj se është qartësuar se nuk ka më nevojë me e diskutu taksa, dialogu po vazhdon. Unë dhe Presidenti kemi konfirmuar pjesëmarrjen në Paris, kam kërkuar që nga pala e Kosovës të paraqiten dhe kolegë të tjerë. Macron e ka pranuar. Diskutimet për kufij dhe territore kanë bërë që të ndërrohet formati. Jemi në situata shumë më serioze dhe shumë më të qëndrueshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të takojë liderët e Kosovës dhe Serbisë më datën 1 korrik.  Në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat