Ministrja Hoxha: Kampanja për Ditën e Evropës, kampanjë pro vlerave evropiane

Aktuale

Ministrja Hoxha: Kampanja për Ditën e Evropës, kampanjë pro vlerave evropiane

Më: 6 maj 2019 Në ora: 18:05
Dhurata Hoxha

Takimi i parë, u mbajt në Prishtinë, ku ishin të pranishme Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova si dhe Znj. Behije Murtezi, balerinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, Znj. Hana Qerimi, Themeluese e “Shkollës Digjitale” si dhe studentë dhe të rinj.

Është kënaqësi e veçantë të flas për rininë kosovare, si një ndër potencialet më të mëdha që kemi si shtet, potencoi Ministrja Hoxha, duke përshkruar gjendjen para dhe pas çlirimit, si dhe rëndësinë e integrimit në organizatat ndërkombëtare.

“Kosova është i vetmi vend evropian që shënon 9 Majin, Ditën e Evropës, kjo dëshmon orientimin tonë evropian. Edhe pse ende nuk e gëzojmë lirinë e lëvizjes, Kosova përbën vendin më pro-evropian. Presim që BE të ndërmerr hapin e radhës për t'i hapur rrugë e mundësi rinisë së Kosovës. Kosova meriton liberalizimin”, potencoi Ministrja Hoxha.

“Edhe BE-ja vazhdimisht e mbështet rininë e Kosovës me projekte të shumta që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit arsimor, shkollimit profesional, përmirësimin e infrastrukturës sportive, kulturore, mundësitë për shkollim dhe programe shkëmbimi me universitetet më prestigjioze të Evropës”, vuri në pah Ministrja Hoxha dhe shtoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që potenciali rinor që kemi të ketë perspektivë të qëndrueshme.

Znj. Apostolova vlerësoi se të rinjtë janë pasuria më e vlefshme e Kosovës.

“Rinia e shtyn përparimin dhe ata duhet të pajisen me aftësi për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Në BE, ne mbështesim të rinjtë duke e bërë arsimin prioritet. Mbështesim ristrukturimin e sektorit të arsimit dhe ndihmojmë mësuesit me parime që të marrin njohuri për shkollimin modern. Ne ofrojmë mundësi për të studiuar jashtë vendit nëpërmjet programit Erasmus +. Autoritetet e Kosovës gjithashtu duhet të angazhohen më shumë, të riorganizojnë prioritetet dhe të investojnë në arsim dhe punësim për rininë”, potencoi Apostolova.

Në fjalën e rastit, Behije Murtezi, balerinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, vlerësoi kapacitetin e rinisë së Kosovës, por duhet mbështetje për të shfaqur kapacitetin e vet krahas rinisë evropiane. Ndërsa Hana Qerimi, themeluese e “Shkollës Digjitale”, diskutoi për potencialin e rinisë në fushën digjitale, diskutoi për një storje shumë të suksesshme personale, me më shumë se 10 qendra në Kosovë dhe në tri shtete tjera. Në diskutim, e morën fjalën edhe të rinjtë e pranishëm, parashtruan pyetje por edhe theksuan se ndaj të rinjve të Kosovës po bëhet padrejtësi, sepse, Kosova është i vetmi vend në Evropë, me kufizim të lëvizjes së lirë./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat