Edhe dy ditë ligji hyn në fuqi, mbi 4 mijë punëtorë të “lojërave të fatit” mbesin pa punë - Bota Sot
Edhe dy ditë ligji hyn në fuqi, mbi 4 mijë punëtorë të “lojërave të fatit” mbesin pa punë

Aktuale

Edhe dy ditë ligji hyn në fuqi, mbi 4 mijë punëtorë të “lojërave të fatit” mbesin pa punë

Më: 6 maj 2019 Në ora: 19:27
Foto ilustrim

Ligji për Lojërat e Fatit është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës tash e 13 ditë. Kanë mbetur edhe dy ditë kohë prej kur ky Ligj do të hyjë në fuqi, e pas kësaj të gjitha lokalet me lojëra të tilla nuk do të kenë më leje për të ushtruar veprimtarinë e tyre në vend. Si pasojë, të gjithë ata që deri tani kanë punuar në këto lokale do të mbesin në shtëpi

Projektligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës, që ndalon funksionimin e lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshme në territorin e Kosovës, do të lërë pa punë mijëra persona në vend.

E Qeveria e Kosovës ende nuk e ka një plan për t’i punësuar të gjithë ata që do të mbesin pa punë. Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pati thënë se mbyllja e lojërave të fatit është një sfidë dhe i ka kostot e veta.

“Ligji i sotëm i ka kostot e veta. Sa i përket vendeve të punës jemi të gatshëm që ata të rinj e të reja tu gjejmë punë por e dini që është mundësia e kufizume. Por është edhe një llogari e bërë, ato pasojat tjera kanë qenë më të mëdha sesa këto që po i cekim. Është mirë që po ndalen. Ata që kishin pikëpamje për ne, ne ua kthyem sot”, pati thënë Haradinaj.

Por përveç këtyre deklaratave të thëna më herët, Haradinaj ende nuk ka bërë publik ndonjë plan të cilin do ta realizojë për punësimin e personave që do të mbesin pa një vend pune me mbylljen e lokaleve të lojërave të fatit.

Kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, pati thënë se mbi 4 mijë vende pune do të shuhen me mbylljen e lojërave të fatit, si dhe shteti do t’i humbë mbi 50 milionë euro qarkullim.

Veliu ishte shprehur se me mbylljen e lojërave të fatit, po hapet rrugë për ta ushtruar këtë veprimtari në mënyrë ilegale.  “Biznesi i lojërave të fatit po drejtohet në drejtim të ilegalitetit”, ishte shprehur Veliu, shkruan ge.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit erdhi pasi dy punëtorë u vranë brenda kazinove në Kosovë gjatë muajit mars.

Për më pak se një javë, lokalet e lojërave të fatit ishin bërë vend i vdekjes për dy të rinj nga Kosova. Jetmir Aliaj u qëllua për vdekje mbrëmjen e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Vend ky i cili në deklaratën zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës u cilësua si kazino.

Ndërkaq mbrëmjen e 20 marsit, qyteti i Lipjanit u trondit nga vrasja e 36-vjeçarit Florent Ahmetaj, nga Rezalla e Skenderajt, i cili u gjet i vdekur në vendin e tij të punës, pikërisht në një lokal të lojërave të fatit.

Pas kësaj, në Kuvendin e Kosovës është votuar shfuqizimi i Ligjit që ua lejon Lojërave të Fatit të kryejnë veprimtarinë e tyre në vend.

Ky Ligj më pas ka shkuar në zyrën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për t’u dekretuar, gjë të cilën Thaçi nuk e bëri, e me këtë Ligji është konsideruar i vetëshpallur.

Që nga 24 maji, Ligji për ndalimin e Lojërave të fatit është shpallur në Gazetën Zyrtare të RKS’së, e kanë mbetur vetëm edhe 2 ditë që ai të hyjë në fuqi. Pas kësaj, në vend nuk do të ketë më Lojëra të Fatit të licencuara.

Agjencioni Tatimor i Kosovës veçse ka filluar me revokimin e licencave për lokalet e Lojërave të Fatit.

Me mbylljen e këtyre lojërave, nënkuptohet se do të mbyllen edhe të gjitha bastoret që janë në vendin tonë, e që janë 23 subjekte me 306 njësi.

Në Agjencinë Tatimore të Kosovës, në Veprimtarinë e Lojërave të Fatit deri më tani kanë qenë të regjistruara 46 subjekte, prej të cilave 23 janë me veprimtari për baste, 17 me veprimtari Automate dhe 6 me veprimtari Bingo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...