Kurteshi: Pse Thaçi përpiqet t’u shmanget njerëzve që kanë studiuar në universitetet e Zvicrës

Aktuale

Kurteshi: Pse Thaçi përpiqet t’u shmanget njerëzve që kanë studiuar në universitetet e Zvicrës

Më: 6 maj 2019 Në ora: 23:50
Sami Kurteshi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për deklaratat që i ka bërë për të gjatë një takimi të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Kurteshi ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se Thaçi është shërbyer me një “fjalor prej rrugaçi”.

“Nuk ka qenë fjalor prej një burrë shteti. Një president s’mund të sillet në atë mënyrë, të përdorë një fjalor të tillë”, është shprehur Kurteshi.

Deputeti i VV’së është pyetur për raportet e tij, përfshirë personale, me presidentin aktual të vendit.

“Ka mundësi që njihemi prej fillimit të viteve ‘90, kur ai ka qenë student”, ka thënë Kurteshi.

“Nuk mund të pretendoj se e kam njohur, se e kam ditur personalisht se kush është”, ka shtuar ai.

Kurteshi ka thënë se e di pse nuk i pëlqen Thaçit.

Ai ka deklaruar se Thaçi “ka bërë përpjekje t’i shmanget njerëzve që kanë studiuar në universitetet e Zvicrës”, dhe se vetë bën pjesë në mesin e tyre.

Kurteshi ka thënë se Thaçi druan se ata që kanë studiuar në Zvicër mund të tregojnë se ai s’ka qenë student i dalluar atje.

Thaçi, sipas Kurteshit, “nuk mund të ofrojë asnjë dëshmi që ka bërë ndonjë punë në universitet”.

“Mendoj se në aspektin intelektual është i kompleksuar. Ka mangësi të theksuara intelektuale”, ka deklaruar Kurteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat