Haxhiu: Zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së, shkelje ligjore me të dyja këmbët

Aktuale

Haxhiu: Zgjedhja e drejtorit të ri të RTK-së, shkelje ligjore me të dyja këmbët

Më: 7 maj 2019 Në ora: 15:32
Pamje nga takimi

Pavarësisht se nuk hyri në rend dite kërkesa e deputetit Arban Abrashi dhe anëtares së bordit të RTK-së Naile Demiri në lidhje me interpretimin e normave ligjore të Ligjit të RTK-së që lidhet me zgjedhjen e drejtorit të ri të RTK-së, në Komisionin parlamentar për Legjislacion është debatuar rreth një orë kjo çështje.

Kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu nga VV, tha se Bordi i RTK-së ka shkelur ligjet në fuqi për zgjedhjen e drejtorit të ri dhe se komisioni do të insistojë në vazhdimësi në mbledhjen e  ardhshme të futet në rend të ditës kjo kërkesë për interpretim.

Haxhiu: Zgjedhja e drejtorit të RTK-së, shkelje ligjore

“Përfundimi i kësaj pike do të duhej të ishte që ne nuk jemi Komision Funksional, por megjithatë me dhënë opinionin tonë si Komision. Se, a obligohen ata të zbatojnë  opinionin e Komisionit ka pak rëndësi. Por, nuk mundemi mos të japim opinion se ajo që ka ndodhur me Bordin e zgjedhjes së drejtorit është shkelje ligjore me të dyja këmbët”, tha Haxhiu.

Anëtari i këtij Komisioni, Arben Gashi nga LDK, interpretoi ligjshmërinë e zgjedhjes së drejtorit të RTK-së, duke thënë se ai emërohet dhe shkarkohet me votat e 2/3, ndërsa interpretimin e Zyrës juridike të RTK-së e ka quajtur qesharak.

Gashi: Drejtori i përgjithshëm i RTK-së emërohet dhe shkarkohet me votat e 2/3

“Po jap një mendim, Bordi i RTK-së përbëhet nga 11 anëtarë, neni 25.2 dhe te neni 32.3 drejtori i përgjithshëm i RTK-së emërohet dhe shkarkohet me votat e 2/3 të anëtarëve të bordit. Unë nuk po di se çka nuk kanë kuptuar këta të dy. As Nailja, e as Arbani. 2/3 e 11 anëtarëve këta janë. Kushdo që e interpreton këtë dhe interpretimi i Zyrës Juridike po më duket qesharak”, tha Gashi.

Ndërsa, anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqaj, konsideron se kërkesa e deputetit Arban Abrashi dhe anëtares së bordit të RTK-së Naile Demiri, nuk i takon këtij Komisioni, pasi nuk është në fushë veprimtarinë e tij interpretimi ligjor.

Beqaj: Nuk është në fushë veprimtarinë tonë për interpretim ligjor

“Në lidhje me zgjedhjen e drejtorit të RTK-së me hequr prej rendit të ditës. Arsyeja është e thjesht, sepse nuk është në fus veprimtarinë e komisionit tonë, interpretimi ligjor, përveç interpretimi i Rregullores së Kuvendit. Ndoshta është e dëshirueshme me pa një gjë të tillë në mandat, por nuk e kemi. Kisha propozuar me heq prej rendit ët ditës, që mos të krijojmë situata të komplikuara kur nuk është punë e jona, edhe aq më shumë kur ligji në fjalë bie në fushë veprimtarinë e Komisionit për Administratë Publike ku është vet Arban Abrashi, anëtar i atij Komisioni”, tha Beqaj.

Edhe deputeti i Nisma, Bilall Sherifi, tha se sikur do të ishte një kërkesë më specifike do të duhej interpretuar.

Sherifi: Sikur do të ishte një kërkesë më specifike do ta konsideroja

“Në lidhje me interpretimin normave ligjore të ligjit të RTK-së që lidhet me zgjedhjen e drejtorit. Sikur të ishte një ankesë për një akt të caktuar që ka rënë në kundërshtim me ligjin, ‘pra që zgjedhja e drejtorit është në kundërshtim me ligjin, prandaj, ne kërkojmë një interpretim’, atëherë do të mund ta shtrojmë në parim se a kemi të drejt të hyjmë në punën e RTK-së apo jo. Pra, duke shumë abstrakte... Kjo është aq e përgjithshme sa që nuk mendojë që është e drejt të futet në rend dite. Sikur do të ishte një kërkesë më specifike do ta konsideroja”, tha Sherifi.

Komisioni për Legjislacion ka diskutuar edhe lidhur me zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kuvendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat