Aktakuzë ndaj pesë personave në Gjilan për kontrabandim me migrantë

Aktuale

Aktakuzë ndaj pesë personave në Gjilan për kontrabandim me migrantë

Më: 7 maj 2019 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve G.V., S.K., G.E., F.V. dhe A.SH., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, që nga data 12 prill 2019, për kontrabandim me migrantë, falsifikim të dokumenteve dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri G.V., më 12 prill 2019, rreth orës 14.00, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ka tentuar të kontrabandonte migrantë, në atë mënyrë që edhe pse ishte i informuar se të pandehurit F.V. dhe A.SH., nuk ishin të pajisur me dokumente valide të udhëtimit, me veturën e tij, ka tentuar t’i dërgojë në Itali, ku me rastin e kontrollimit në pikën kufitare ‘’Dheu i Bardhë’’ është konstatuar se të njëjtit posedonin dokumente të falsifikuara.

Të pandehurit F.V. dhe A.SH., më 10 prill 2019, në një kafiteri në Suharekë, nga i pandehuri G.E., kanë blerë letërnjoftimet italiane të falsifikuara, të dy në vlerë prej 2600 euro, për t’i përdorur për udhëtim në shtetin e Italisë.

Edhe të pandehurit G.E. dhe S.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale falsifikim i dokumentit, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri G.E., takohet me F.V. dhe A.SH., me qëllim që t’iu sigurojë letërnjoftimet, ku edhe kanë biseduar rreth pagesës dhe nga ata ka marrë shënimet personale, me ç’rast të njëjtat dokumente ishin rregulluar nga i pandehuri S.K.

I pandehuri S.K.,  akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi pa leje adekuate ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar gjatë bastisjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat