(E plotësuar) - Drejtori i AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish-drejtori Driton Gashi, sot janë riintervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Përderisa i pari është intervistuar për dy orë, Gashi ka refuzuar që t’iu përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komisionit duke kërkuar interpretime ligjore se a ka pasur ligjshmëri komisioni kur është marrë në pyetje herën e parë.
Këtë refuzim të ish-drejtorit të AKI-së Driton Gashi për t’u përgjigjur deputetët opozitar po e quajnë vazhdim të lojës së presidentit Hashim Thaçi, i cili kur kishte ardhur për t’u intervistuar kishte kontestuar angazhimin e ekspertit të huaj.
Pas përfundimit të takimit, nënkryetari i komisionit Driton Selmanaj, ka thënë se arsyeja se pse janë intervistuar përsëri të lartpërmendurit është se ka pasur dallime në deklarimet e tyre.
Selmanaj: Gashi nuk kishte gatishmëri që të dëshmojë fare, ne po e shohim si një skenar të Zyrës së Presidentit
“Janë riintervistuar për shkak që gjatë intervistave te tyre të mëhershme kemi pasur dallime, kanë qenë dy dallime se çfarë kanë thënë ata dhe kemi dashur ta konfirmojmë. Atë thuajse e konfirmuam sot që dallimet ekzistojnë prapë, por nga z.Gashi nuk kishim gatishmëri që të dëshmojë fare. Ai tash po e konteston ligjshmërinë e deklaratave që i ka dhënë më herët dhe këtë ne po e shohim si një skenar të Zyrës së Presidentit, sepse pothuajse sjellja e ngjashme me presidentin e vendit. Normalisht që ne e përfunduam këtë çështje”, tha ai.
Selmanaj ka akuzuar edhe deputetët e PDK-së në këtë komision, deputeten Ganimete Musliu dhe deputetin Hajdar Beqaj, që po përpiqen që të bllokojnë punën e komisionit. Por, sipas tij ata nuk do t’ia dalin dhe të premten do të mblidhen sërish për të përfunduar raportin, kur është edhe dita e fundit që ky komision ka mandat.
Selmanaj: Ka përpjekje nga deputetët e PDK-së që të bllokojnë përfundimisht punën e komisionit
“Ajo çka është tjetër me rëndësi është që shefi i AKI-së sot na tha shumë saktë që kontestimin që e ka bërë presidenti për ekspertin, i cili madje në takimin tonë ka thënë që ai ekspert është i dyshimtë dhe ka dërguar informata tek shtetet jo mike, ai tha që ‘nga unë nuk është kërkuar asnjëherë informata të tilla dhe ne si institucione të sigurisë nuk e kemi informuar presidentin për këtë çështje’. Atëherë shtrohet pyetja nga kush informohet presidenti nëse jo nga AKI-ja. Në takimin që ka pasur me neve ai ka thënë se nga institucionet e sigurisë në Kosovë kam informata kështu, atëherë tash po del që shefi i AKI-së nuk e ka informuar, kush e informon presidentin e Kosovës, ka shërbime të tjera me të cilat ai punon, a nuk iu beson institucioneve tona të sigurisë. Andej ne sot normalisht që kemi dallime dhe përpjekje nga deputetët e PDK-së që të bllokojnë përfundimisht punën e komisionit, nuk do ta arrijnë, ne të premten besoj do të takohemi për të punuar në draftin e raportit, sepse është faza finale nuk kemi më kohë të intervistojmë të tjerë, nuk do të hyjmë në skenarët e tij”, tha Selmanaj.
Ai tha se nuk do të thërrasin në intervistë presidentin Thaçi, pasi sipas tij mos gatishmëria e tij për të dëshmuar është një dëshmi, derisa ka potencuar presidenti qëndron pas deportimit të shtetasve turq.
Selmanaj: Për ne në fakt mos dëshmia është dëshmi
“Nuk po dorëzohemi, 4 herë e kemi ftuar. Ne e kemi ftuar 4 herë nuk është përgjigjur dhe në fund ka vendosur, ne mendojmë që si rezultat i një presioni të tjetër kujt. Dhe ka ardhur, kur ka ardhur nuk ka ardhur për të dëshmuar, ka ardhur për të bërë skenarë dhe lojëra që ju i keni parë, me një gjuhë nën cdo nivel të çfarëdo personi. Tash për ne në fakt mos dëshmia është dëshmi, mos gatishmëria e tij për të dëshmuar është dëshmia vet. Ai nuk dëshiron të flet për tematikat për të cilat ne e dimë dhe ju e dini që ai qëndron prapa krejt kësaj...Pjesë e të njëjtës lojë, ai tha që tani kërkoi ligjshmërinë e komisionit, kur komisioni më ka pyetur mua a ka qenë i ligjshëm në kontekstin e kuorumit apo jo. Është çështje banale për neve normalisht”, tha Selmanaj.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ka akuzuar nënkyretarin e komisionit Driton Selmanaj se është ai që po pengon punën e komisionit.
Musliu: Ai që është duke dashur ta pengoj punën e komisionit është Driton Selmanaj
“Ai që është duke dashtë ta pengoj dhe me e politizua skajshmërisht punën e komisionit është pikërisht Driton Selmanaj. Ju i dëgjuat edhe tensionet në mbledhje tash në përfundim të mbledhjes, mbledhjen e ndërpreu pikërisht Driton Selmanaj me presion mbi kryetarin e komisionit që e ka bërë vazhdimisht prej themelimit të këtij komisioni e deri më sot. Në momentin kur Driton Selmanaj nuk e lejon kryetarin e komisionit z.Svecla me e qitë në votim propozimin që e dha anëtari i komisionit Hajdar Beqa e që ishte të dërgohet për interpretim në Zyrën Ligjore të Kuvendit neni 21 pika 5 që ka kërkuar presidenti dhe neni 12 pika 1.3 që ka kërkuar sot ish-shefi i AKI-së Driton Gashi, që të krijohen kushte që ne këta dy persona, në këtë rast dy institucione që mendojmë që kanë qenë të rëndësishme për punën e komisionit të ftohen në komision. Këta e panë që nuk munden me i rezis tua këtij vendimi dhe u quan në mënyrë demonstrative e lëshuan mbledhjen dhe nuk e hedhen fare në votim propozimin”, tha ajo.
Musliu tha se ata që nga fillimi të punës së komisionit nuk kanë qenë të interesuar të krijojnë kushte për punë, sipas saj gjithmonë kanë qenë të acaruar cdo herë që kanë kërkuar ndonjë sqarim.
Deputetja deklaroi se që nga fillimi ky komision ka qenë lojë dhe tendencë politike që deputetët opozitar të bëjnë politikë dhe të mbijetojnë në politikën kosovare përmes emrit të presidentit Thaçi.
Ajo bëri të ditur se ka pasur edhe një kërkesë nga deputeti Sami Kurteshi, që të kërkohet vazhdimi i mandatit të komisionit, por që sipas saj nuk është hedhur në votim për shkak se nuk ka lejuar deputeti Driton Selmanaj.
Musliu: Ne nuk jemi komision hetimor, ne jemi komision puro politik
“Vazhdimi i mandatit është jashtëligjshëm, sepse ne i kemi humbur afatet ligjore për të kërkuar vazhdimin e punës në këtë komision. Për mendimin tim, ditën kur është marrë vendimi për t’u vazhduar mandati është dashur të merret vendim për një komision të ri dhe thjeshtë ne asnjë anëtarë i këtij komisioni nuk kemi më kredibilitet me punua në këtë komision, duke pasur parasysh që kemi qenë aq të papërgjegjshëm dhe kemi lënë hapësirën kohore të na shkojë kot thjeshtë duke bërë politikë. Ne nuk jemi komision hetimor, ne jemi më së paku komision hetimor, ne jemi komision puro politik, sepse thash dikush dëshiron të mbijetojë duke përdorur fatkeqësitë e atyre familjarëve dhe atyre personave që sot mbahen peng në një shtet tjetër, ndërsa ne e shfrytëzojmë për poenë politike cdo ditë duke bërë marketing për të mbajtur gjallë ekzistencën tonë politike. Kjo vjen kryesisht nga partitë opozitare të cilat i kemi në komision”, tha ajo.
Gjashtë shtetasit turq janë deportuar për në Turqi më 29 mars të vitit të kaluar. Shpend Maxhuni në atë kohë ka qenë drejtor i përgjithshëm i Policisë ndërsa Driton Gashi drejtor i AKI-së.
Përplasje mes anëtarëve të Komisionit ku raportoi Shpend Maxhuni
Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu që është edhe anëtare e Komisionit hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova tha se deputeti Driton Selmanaj i cili sipas saj e ka politizuar komisionin.
Musliu këto deklarata i dha pas mbledhjes së komisionit ku u intervistuan shefi i AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish shefi Driton Gashi.
Selmanaj tha se PDK po mundohet ta dëmtojë punën e komisionit ndërsa Musliu tha se kolegu i saj nga LDK nuk e ka lejuar kryetarin e komisionit që të hudhet në votim propozimi i Hajdar Beqës që të dërgohet në zyrën ligjore kërkesa e presidentit për raportin e eksperit ndërkombëtar.
“Këta e panë që nuk munden me i rezistu këtij vendimi dhe e lëshuan mbledhjen. Presidentin e kanë ftuar gjithmonë kur ka qenë për vizita jashtë vendit. Këto parti nuk mund të mbijetojnë skenës politike. Nuk është mbyllur takimi i rregullt, e ka mbyllur Driton Selmanaj”, tha Musliu.
Sipas saj komisioni është lojë dhe tendencë politike që të bëjnë politikë. I potencova dy kërkesat, presidentit dhe Gashit që të marrin interpretimin.
Musliu thotë se ata nuk janë komision hetimor, por komision puro politik.
“E shfrytëzojmë për politikë dhe kjo vjen nga partitë opozitare”, tha Musliu.
Selmanaj: Driton Gashi ka vazhduar lojën e presidentit
Komisioni hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova ka intervistuar sot shefin aktual të AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish shefin e AKI-së Driton Gashi.
Intervistimi i tyre u bë me dyer të mbyllura ndërsa kjo është hera e dytë që Gashi dhe Maxhuni ftohen për intervistim.
Pas mbledhjes deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tha se Driton Gashi nuk ishte i gatshëm që të jap deklaratë pasi që siq tha ai Gashi është sjellë sikurse presidenti Hashim Thaci.
Ai tha se deputetët e PDK-së që janë anëtarë të komisionit po bëjnë përpjekje për ta dëmtuar punën e komisionit.
“Nuk do të hyjmë në lojën e presidentit. Nuk do të bëhemi pjesë e skenarëve të presidentit. Nuk po dorëzohemi ta intervistojmë presidentin, ne e kemi ftuar dhe ka ardhur dhe e keni pa. Mos dëshmia e tij është dëshmi, ai nuk dëshiron të flas, por e dimë se ai qëndron pas këtij rasti. Driton Gashi ka vazhduar lojën e presidentit”, tha Selmanaj.
***
Në komisionin Hetimor Parlamentar është intervistuar shefi i AKI-së Shpend Maxhuni, lidhur me rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq nga Kosova.
Tashmë ka përfunduar intervistimi i Maxhunit i cili u bë pra praninë e mediave.
I ftuar për intervistim është edhe ish-shefi I AKI-së Driton Gashi, i cili ishte në krye të AKI-së në kohën kur u dëbuan shtetasit nga Turqia.
Ai ishte shkarkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj për këtë rast.
***
Ka nisur mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar, ku është i ftuar shefi i AKI-së, Shpend Maxhumi për tu intervistuar në lidhje me dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.
E shefi i AKI-së Shpend Maxhuni ka kërkuar që intervistimi i tij të jetë i mbyllur për media
Në këtë komision i ftuat për të raportuar në lidhje me rastin e njëjtë është edhe ish-shefi i AKI-së Driton Gashi, i cili ishte shkarkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj pikërisht për këtë çështje.
Shefi dhe ish shefi i AKI-së para deputetëveKomisioni Hetimor Parlamentar po interviston drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni dhe ish Drejtorit të AKI-së, Driton Gashi në lidhje me dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.