O’Connell e thotë hapur: Dëgjoni miqtë e Kosovës, sepse s’kemi më durim!

Aktuale

O’Connell e thotë hapur: Dëgjoni miqtë e Kosovës, sepse s’kemi më durim!

Më: 8 maj 2019 Në ora: 12:24
Ambasadori Ruari O’Connell në një diskutim të hapur të organizuar nga Lëvizja FOL

(E plotësuar) - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell, duke folur për fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmin në Kosovë, tha se ka ardhur koha që të ketë presion nga ana e qytetarëve.

Ndonëse, ambasadori O’Connell theksoi se nuk po bënë thirrje për protesta, për vetëdijesim të qytetarëve, sepse e vetmja mënyrë për të detyruar politikanët të marrim masa ndaj kësaj gjendjeje është presioni qytetar.

O’Connell shtoi se Kosova do të gjykohet jashtë vendit për shkak të këtyre dukurive, por edhe  për shkak të mos reagimit qytetar.

O’Connell: Keni liri për demonstrata, por nuk po bëjë thirrje për to

“Për shkak të përvojave nëpër botë, ndryshimet janë të mundshme vetëm nga presioni i qytetarëve për të detyruar politikanët që të ndërmarrin masa. Pra, nuk është thirrje për protesta, por është vetëbesim. Kjo ndikon në politikë, në investime, në turizëm. Unë nuk di asnjë shembull nëpër botë, ku këto probleme janë zgjidhur prej të huajve, për të ndrequr shtëpinë e dikujt tjetër. Unë e di se kosovarët nuk kanë pranuar padrejtësitë që janë bërë kundër tyre prej regjimit. Keni reaguar në vitet e 90-ta. Pra, Kosova tash është në demokraci, keni zgjedhjet, keni lirinë e shtypit, keni liri për demonstrata. Me krejt këto liri, është e mundshme që të kuptojnë njerëzit që Kosova do të gjykohet jo vetëm për shkak të krimit, ne kemi krim të organizuar në Britani, dhe në çdo vend të Evropës, ka probleme me krimin. Në pyetje është se si reagon shoqëria dhe Qeveria” , tha O’Connell.  

Këto komente ambasadori britanik i bëri në forumin “Fol hapur”, të organizuar nga Lëvizja Fol, i cili tha se ka ardhur një moment që pas një 20 viteve të merren masa, meqenëse sipas tij,  kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka vullnet politik dhe e kërkojnë qytetarët në mënyra demokratike.

O’Connell: S’kemi më durim për dukuritë negative që po ndodhin në Kosovë

“Ka me pasur vullnet politikë, vetëm nëse e kërkojnë qytetarët. Ne nuk kemi drejtë vote këtu, ne nuk jemi pjesë e shoqërisë. Ne jemi veç miqtë e Kosovës. Askush nuk duhet të besoj në ambasadorin që pretendon se ai ose ajo e do Kosovën më shumë ose dinë më mirë. Por duhet të dëgjoni miqtë e Kosovës, kur ne themi se ka ardhur koha për t’i ndrequr këto gjëra, sepse s’kemi më durim për këto dukuri. Kjo do të ishte më e rrezikshmen kur ambasadorët nuk flasin më për, veç harrojnë me u marrë me Kosovën, sepse Kosova ka nevojë për përkrahjen e përditshme të bashkësisë ndërkombëtare”, tha O’Connell.

Ambasadori duke reaguar për nepotizmin, tha se përzgjedhja e Naser Shalës, në krye të Agjencisë Kosovare të Verifikimit të Pronës, e ka detyruar që të japë dorëheqje nga kryesuesi i bordit vetëm që mos të trajtohet si budalla.

O’Connell: Nuk dua të trajtohem si budalla

“Deri tash vendimet e Kuvendit kanë qenë zhgënjyese. Në Agjencinë për Certifikim dhe Verifikimin e Pronave, ka pasur dy kandidatë para kuvendit. Një femër, ka qenë e kualifikuar e aftë, përvojë pune. Ka qenë e vetmja që është vlerësuar prej panelit të Kosovës dhe prej strukturave britanike(ndihmues). Ka pasur një kandidatë tjetër në lidhje shumë të ngushtë me (partinë) Nismën, dhe me Limajn. Ka qenë në asnjë mënyrë i kualifikuar, në asnjë mënyrë i përshtatshëm për këtë vend pune, si dhe në asnjë mënyrë i aftë. Kënd e ka votuar kuvendi?  Kanë votuar njërin që ka me krijuar favore. S’besoj që do ta kryen punën në mënyrë të dinjitetshme dhe për interesa të shtetit. Ne kemi dhënë dorëheqje prej Bordit, unë isha kryesues i Bordit të këtij Agjencioni, sepse nuk dua të trajtohem si budalla, me humbur kohën në një Agjencion që tash nuk mund të ketë sukses me njerëz të tillë. Po dua me thë në se durimi për me u trajtua si budalla ka fund”, theksoi O’Connell.

Ai ka folur për korrupsion dhe rastet e krimeve të mesme dhe të larta, të cilat nuk po gjykohen.

Po ashtu ambasadori foli edhe për ligjin për financimin e partive politike, dhe pati një porosi: “Nëse partitë do të tentojnë për ndërhyrje në projektligjin për financimin e partive politike, Britania e Madhe nuk do ta përkrah më KQZ-në në asnjë mënyrë”. 

***

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O'Connell, duke folur për fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmin në Kosovë, tha se 20 vjet pas luftës ka ardhur koha për të reflektuar se ku është dhe nga do të shkoj Kosova.

Ambasadori tha se në Kosovë ka nepotizëm dhe perzgjedhje të zyrtarëve të pa kualifikuar në pozita kyçe.

 Ambasadori O’Conell deklaroi se ka pasur mbështetje të madhe për Kosovën nga Britania e Madhe dhe interesi ka qenë që Kosova të jetë më e suksesshme.

Mirëpo, sipas tij, ka ardhur një moment që pas një 20 viteve pas çlirimit të merren masa, por kjo ka me ndodhë vetëm nëse ka vullnet politik dhe e kërkojnë qytetarët në mënyra demokratike.

“Ne nuk kemi drejt vote këtu, ne jemi miq, por ka ardhur koha që të ndalohet konflikti interesit dhe nepotizimi, sepse s’ka durim më. Nuk dua të jem krejt pesimist, sepse ka mundësi të merren vendime të drejta dhe ndryshimet janë të mundshme. Po ashtu presioni i qytetarëve mund të shtyj udhëheqësit politik që të marrin vendime të drejta”, tha O’Conell.

Ai foli edhe për ligjin për financimin e partive politike, dhe pati një porosi: “Nëse partitë do të tentojnë për ndërhyrje në projekt ligjin për financimin e partive politike, Britania e Madhe nuk do ta përkrah më KQZ-në në asnjë mënyrë. Pra, ka me ardh dita që ne do të ndërmarrim vendimë shumë të rëndësishme”, tha ai.

***

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, ka deklaruar se Kosova e ka kohën e fundit për të ndërmarrë veprime konkrete për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

O’Connell në një diskutim të hapur të organizuar nga Lëvizja FOL, theksoi se është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të jetë funksionale dhe e suksesshm.

“Ne si bashkësi ndërkombëtare kemi investuar shumë. Ka qenë në interesin tonë për të pasur një shtet të suksesshëm, për të pasur strukturë shtetërore që mund të jenë partner të mirëfilltë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Nëse Kosova nuk merr masa për luftimin e korrupsionit, le të themi për shpërlarje parash, atëherë kjo është një ftese për kriminelët që ta përdorin Kosovën. Kjo është e papranueshme. Nuk duhet që Kosova të bëhet strehimore e parasë kriminale”.

“20 vjet pas luftës kemi ardhur në një moment kur duhet të merren masa konkrete që ofrojnë rezultate. Ne jemi deklaruar si Mbretëri e Bashkuar disa herë për disa dukuri. Duhet të dëgjoni miqtë e Kosovës kur themi se ka ardhur koha për t’i rregulluar këto gjëra sepse s’kemi më durim. Kosova ka nevojë për mbështetjen ndërkombëtare. Nëse kjo humbet do të ishte një problem jetik për Kosovën”.

Ambasadori britanik gjithashtu foli për procesin e rekrutimit në Kosovë me ç’rast tha se meritokracia nuk është praktikë e punësimit në Kosovës.

“Ideja është që të punësohen në bazë të meritokracisë. Por punësimi në Kosovë nuk ndodhë në bazë të meritës. Punësimi bëhet për të rehatuar dikë prej partisë ose për ta instaluar dikë në një pozitë të ndjeshme, që duhet të jetë i pavarur, me qëllimin për ta përdorë atë për interesa te tyre”.

“Nëse politikanët kanë interes me e ndalu praktikën e kapjes së shtetit dhe të punësojnë njerëz në bazë të meritës, ne jemi këtu për t’ju mbështetur”.

Megjithatë, sipas tij ka raste ku ka pasur përmirësime, me ç’rast përmendi 47 procese të suksesshme rekrutimi përmes përdorimit të kompanive britanike për përzgjedhjen e kandidatëve si dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës që procesi i rekrutimit për bordin e OSHP-së të jetë i hapur.

Duke kërkuar rezultate konkrete O’Connell porositi se nëse s’ka ndryshime “do të vijë dita kur do të detyrohemi të ndërmarrim një vendim të vështirë për përkrahjen tonë për Kosovën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat