Thaçi: Në Kosovë nuk do të ketë Republikë Srpska

Aktuale

Thaçi: Në Kosovë nuk do të ketë Republikë Srpska

Më: 9 maj 2019 Në ora: 09:34
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Federica Mogherini

(E plotësuar) - Pas përfundimit të procesit të Brdo-Brijunit, i cili është mbajtur në Tiranë, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar- Kitaroviq dhe presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, po mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

 

***

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij në takimin për procesin Brdo Brijun, ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë.

Në samitin Brdo Brijuni, presidenti i Kosovës, tha se marrëveshja finale Kosovë-Serbi nuk do të nxjerrë një Republika Srpska në Kosovë.

Thaçi: E papranueshme themelimi i ndonjë asociacioni me mandat ekzekutiv

“Pavarësisht ideve të ndryshme që mund të qarkullojnë poshtë e lartë, edhe prej diplomatëve të ndryshëm, në Kosovë do të jetë tërësisht e papranueshme themelimi i ndonjë asociacioni me mandat ekzekutiv që do të mund të ngjante me një Republikë Serbe, apo të ndonjë modeli gjermano-gjerman, sepse nuk mund të shkohet me ndonjë model të tillë mes Kosovës dhe Serbisë, sepse një model i tillë do të mund të shkonte vetëm në rrethana të tjera, apo të një ideje që ju e keni dëgjuar në mediume të ndryshme edhe tuajat, të ndonjë sovraniteti të dyfishtë, në marrëveshje të tillë mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë si vende të pavarura dhe sovrane. Ne mbesim me shpresë që ky proces të jetë i pakushtëzuar, pra dialogu dhe ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe angazhimin dhe lehtësimin e këtyre përkushtimeve që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi”, tha ai

Thaçi tha se çdo ditë, javë a muaj që kalon pa një marrëveshje të tillë, vetëm sa thellohet hendeku Kosovë-Serbi, e që sipas tij, në këtë mënyrë do të mund të ketë edhe reflektime në rajon.

Thaçi foli edhe për Samitin e Berlinit dhe atë që pritet të mbahet në Paris në muajin korrik.

Ai tha se shpreson që takimi i Parsit do të ketë diçka konkretë në mënyrë që të lëvizet përpara në procesit e dialogut Kosovë-Serbi.

Thaçi: Ende kam shpresë se këtë vit mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

“Ne shumica që jemi këtu ishim edhe në Samitin e Berlinit, kemi parë sa i vështirë, sa i thellë është hendeku në mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa vështirë është mundësia e arritjes së një marrëveshje përfundimtare. E kemi çmuar shumë dhe çmojmë vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe presidentit Macro, por gjithashtu theksoj edhe sot se pas këtij takimi nuk ka pasur diçka konkrete si do të vazhdohet tutje. Unë dua të besoj që Samiti i Parisit do të jetë më mirë i organizuar, do të ketë substancë dhe do të ketë diçka konkrete që të lëvizet përpara. Ende më mban shpresa se këtë vit mund të arrihet marrëveshje histerike Kosovë-Serbi, ka qenë jashtëzakonisht inkurajuese durimi dhe vendosmëria zonjës Mogherini në këtë proces dhe përsëri ky proces mbetët në kornizat e BE-së, por ajo që dua të theksoj është se në të ardhmen e afërt shpresoj që vendet e BE-së do të jenë unike në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi dhe mos të ketë zëra të ndryshëm brenda familjes evropiane siç ka ndodhur muajt e fundit”, tha ai.

Thaçi tregoi se nuk e ka pritur mirë faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha ai, nuk kanë qenë të informuara dhe koordinuara për Samitin e Berlinit.

Ai tha se Samiti Brdo Bijuni po mbahet në një kohë shumë të rëndësishme për rajonin dhe për të ardhmen evropiane të vendeve.

Sipas Thaçit, vendet kanë punuar në mbylljen e çështjeve të hapura dhe zgjidhjen e tyre.

***

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në samitin Brdo-Brijuni ka folur edhe për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Ai ka thënë se Kosova padrejtësisht po mbetet vendi më i izoluar në Evropë.

Thaçi, në fjalimin e tij, në mbledhjen plenare të Samitit që po mbahet në Tiranë, tha se ndaj qytetarëve të Kosovës përveç diskriminimit po bëhet edhe ndëshkim.

Thaçi: Ndëshkim i panevojshëm ndaj qytetarëve të Kosovës

“Mos uniteti i vendeve të BE-së, shteteve anëtare, pavarësisht prej frymës pozitive që ka qenë dhe bartësve të institucioneve të BE-së, ka ardhur në një situatë të tillë që Kosova padrejtësisht ende mbetët vendi më i izoluar në Evropë, dhe sinqerisht nuk kemi si lidership asnjë përgjigje për opinionin publik, për njerëzit në Kosovë, për qytetarët e saj. Vazhdoj të theksoj shumë hapur që është një padrejtësi, tani është edhe diskriminim dhe një ndëshkim krejt i panevojshëm”, tha ai.

Thaçi tha se mbetët me shpresë që gjërat do të lëvizin mirë për liberalizim të vizave për Kosovën.

***

 Në Samitin e Brdo Brijuni, ku po marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, në Tiranë, kanë shtrënguar duart presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, nga atje, raportohet se Thaçi e injoroi Milorad Dodikun.

Tashmë i kanë shtrënguar duart Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Krejt kjo ndodhi në prani të shefes së BE’së, Federica Mogherini.

Por, Hashim Thaçi e ka injoruar totalisht Milorad Dodikun, i cili është kundërshtari më i madh i pavarësisë së Kosovës.

Image

Shmanget takimi Thaçi – Vuçiq në mëngjes, a do të ndodhë më vonë?

Sipas ekipit të që gjendet atje, takimi në mes te Presidentit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shmangur dhe nuk dihet nëse do të ndodhë me vonë.

Takimi në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shmangur në Samitin Brdo Brijuni, që po mbahet në Tiranë.

Sipas pamjeve nga atje shihet se shefja e BE’së, Federica Mogherini ka zgjatur muhabetin me Presidentin Thaçi, ndërsa një tavolinë më tutje ka qëndruar Vuçiq dhe Milorad Dodik.

I pari, nga lobi i hotelit është larguar Thaçi bashkë me Mogherinin dhe më pas edhe Aleksandar Vuçiqi me Milorad Dodikun.

Ajo që bie në sy është pjesëmarrja e Miloard Dodik, i cili është kundërshtar i madh i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe mohon krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve ’90.

Për ardhjen e tij, Presidenti Hashim Thaçi dje ka thënë se Dodik nuk është dashur të ftohet, dhe se presidenca e Shqipërisë duhet të sqarojë se pse e ka ftuar një person të cilit ia ka mbyllur dyert krejt bota.

Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić

Image

***

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë për procesin e Brdo Brijon. Përveç presidentëve të shteteve, të ftuar nderi janë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, me prezencë të shefes për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Mëngjesin e së enjtes delegacionet kanë arritur në hotelin ku do të mbahet samiti, që nikoqir sivjet është presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Përveç Metës, mysafirët u pritën edhe nga themeluesit e kësaj nisme, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitarovic, dhe presidenti slloven orut Pahor.

Aty shtrënguan duart dhe realizuan fotografitë ceremoniale.

Tani pritet që të mbahet mbledhja plenare që do të modelohet nga themeluesit e nismës, ndërkohë Meta do të ketë fjalimin e inagurimit.

Gjithashtu, fjali dhe diskutime do të ketë edhe nga të ftuarit.

Kujtojmë se Brdo Brijoni është nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidenti i Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 2010.

Liderët kanë arritur dje në Tiranë, ku edhe janë zhvilluar takime të mbyllura.

Në Tiranë është edhe shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si e ftuar nderi në samit, e cila po përpiqet të ulë në një tavolinë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë me qëllim të arritjes së një marrëveshjes finale.

Të mërkurën mbrëma Mogherini zhvilloi takim me kryeministrin Edi Rama, por pastaj edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ku sipas Presidencës, aty është biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për dialogun Kosovë-Serbi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat