Pse Kosova feston Ditën e Evropës?

Aktuale

Pse Kosova feston Ditën e Evropës?

Më: 9 maj 2019 Në ora: 09:29
Ilustrim

Dita e Evropës është ditë ceremoniale, që shënohet më 9 maj të çdo viti, nga Bashkimi Evropian (BE), në njohje të paqes, prosperitetit dhe unitetit të arritur brenda Evropës, që nga formimi i kësaj organizate.

Kjo ditë, në vendet anëtare, shënohet duke vendosur flamurin e Evropës. Ndërsa nga ky vit, pos shënimit të ditës, 9 maji është bërë festë zyrtare dhe ditë pushimi në Luksemburg.

Video: Dita e Evropës

Por, pos këtij vendi të Bashkimit Evropian, 9 maji – Dita e Evropës – është festë zyrtare edhe në Republikën e Kosovës, dhe shënohet si ditë pushimi. Kjo edhe përkundër faktit se Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian. Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit edhe në procesin e integrimit në BE dhe vendi i vetëm i papërfshirë në zonën e lëvizjes së lirë, pa viza, brenda shteteve të BE-së.

Në një diskutim të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, shefja e këtij dikasteri qeveritar, Dhurata Hoxha, faktin që “Dita e Evropës” është festë zyrtare në Kosovë, e ka cilësuar si dëshmi të pro-evropianizmit të Kosovës.

“Pas liberalizimit të vizave, shpresojmë që kjo do të jetë java e fundit që e festojmë 9 majin, apo javën e Evropës, të izoluar. Shpresojmë që edhe të rinjtë e Kosovës do të bëhen të barabartë me homologët e tyre evropianë dhe ne shpresojmë që BE nuk do të vonohet më shumë në këtë drejtim”.

“Vetë fakti që Kosova është i vetmi vend evropian që e shënon 9 majin, pra Ditën e Evropës, dëshmon edhe orientimin evropian të Republikës së Kosovës. Pra përkundër faktit se ende nuk e gëzojmë lirinë e lëvizjes në zonën ‘schengen’, Kosova përbën vendin më pro-evropian në Evropë”, ka thënë ajo në këtë diskutim.

“Dita e Evropës” është vetëm një nga njëmbëdhjetë (11) festat zyrtare vjetore në Kosovë, sipas Ligjit për Festat Zyrtare, të cilat shënohen me ditë pushimi.

Përfshirjen e 9 majit në listën e festave zyrtare, e vlerëson si të gabuar dhe të panevojshme, Isuf Zejna nga organizata “Demokraci Plus”. Sipas tij, kjo dëshmon edhe joseriozitetin e institucioneve të Kosovës në bërjen e ligjeve.

“Mendoj se ka qenë një gabim që është përfshirë në kalendarin e festave zyrtare, Dita e Evropës, për shkak se ne nuk jemi vend i Bashkimit Evropian, nuk do të jemi edhe shumë vite të tillë. Edhe ashtu për shkak kompozicionit etnik, kemi shumë festa zyrtare kështu që fakti që e kemi edhe Ditën e Evropës, vetëm sa tregon sesa jo-serioz jemi si shtet në bërjen e ligjeve, dhe konsiderimin se sa ditë pushimi do t’i kenë punëtorët brenda vitit”.

“Kjo në fakt nuk është keq për punëtorët, është mirë sepse marrin ditë të lira pushimi, ata që punojnë u paguhet më shtrenjtë, me kusht që zbatohet Ligji i Punës. Mirëpo në anën tjetër për sektorin privat, për efikasitetin në sektorin publik, kjo është një barrë shumë e madhe e festave zyrtare. Ne jemi dëshmitarë se javëve të fundit kemi pushuar shumë, kemi pasur festa zyrtare, dhe në këtë mënyrë ngecin punët, sidomos në sektorin publik, aty ku efikasiteti i punës është, do të thosha, më i dobët” vlerëson Zejna.

Përderisa thotë se Ligji për Festat Zyrtare duhet të rishikohet, Zejna thekson se disa prej festave zyrtare sipas ligjit aktual, përfshirë edhe “Ditën e Evropës”, do të mund të bëheshin vetëm ditë të shënuara, pa pasur nevojë të pushohet.

Duke u lidhur me deklaratën e ministres Hoxha, se festimi i 9 majit “dëshmon pro-evropianitetin e Kosovës”, Zejna vlerëson se “pro-evropianizmi deklarativ” vë në pah mungesën e të arriturave, me të cilat do të krenohej shteti. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk arrihet përmes festave zyrtare, por me reforma dhe zhvillim ekonomik.

“Të qenit evropian është diçka e mirë, edhe për Kosovën, është fat që ne gjeografikisht ndodhemi në Evropë. Por, fakti që jemi kështu pro-evropian deklarativisht, nuk përbën ndonjë vlerë të jashtëzakonshme, vetëm tregon se ne nuk kemi shumë për t’u krenuar me të arriturat tona, e krenohemi me diçka që as nuk i përkasim aktualisht”.

“Nëse ka një formë sesi do të arrijmë në Bashkimin Evropian, do të jetë rruga e reformave dhe e zhvillimit ekonomik. Vetëm në këtë formë ne do të jemi pjesë e respektuar e Bashkimit Evropian dhe do të kemi se me çka të krenohemi. Pra përmes festave, përmes ministrive e të tjera, nuk është se do të mbërrijmë në Bashkimin Evropian, ose edhe nëse arrijmë atje, nuk do të jemi prej anëtarëve të respektuar”, thekson Zejna.

Ndërsa, sipas Taulant Kryeziut, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), festat zyrtare si “Dita e Evropës”, udhëheqësit institucionalë i përdorin vetëm për retorikë politike dhe qëndrime pompoze. Në vend të kësaj, sipas tij, institucionet duhet përkushtohen në përmbushjen detyrave dhe obligimeve kontraktuale me BE-në.

“Larg këtij diskursi, mendoj se pozicioni i Kosovës në raport me Bashkimin Evropian, përkundër asaj që ka filluar konkretizimin me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), institucionet tona nuk kanë treguar fare përkushtim. Qoftë nga Marrëveshja për Stabilizim Asociiminsi marrëdhënia jonë kontraktuale me BE-në, e kur jemi këtu po flasë edhe për reformat kyçe që dalin prej MSA-së, siç është agjenda evropiane e reformave, ku përtej retorikave politike dhe ditëve të festave të cilat i kremtojnë dhe i japin pompozitet, udhëheqësit institucionalë, dhe japin retorikë politike dhe fjalë të mëdha”.

“Nëse e kthejmë në të arritura konkrete, një e treta e MSA-së nuk zbatohet, 22 prioritet të agjendës evropiane që janë prioritete kyçe, që dalin nga MSA e që është dashur të përfundohen në fund të vitit 2017, vetëm pesë (5) janë të plotësuara plotësisht. Pra vetëm pesë, përkundër se jemi me dy vjet vonesë”, vlerëson Kryeziu.

Kryeziu mendon se nuk duhet të harxhohet energji në “festa zyrtare dhe data”, por të punohen në reformim, ku pos MSA-së theks të veçantë i vë edhe sistemit të drejtësisë.

Ligji i Festave Zyrtare në Republikën e Kosovës përshinë njëmbëdhjetë (11) festa zyrtare me dymbëdhjetë (12) ditë pushim (dy ditë të Vitit të Ri, 1 dhe 2 janar). Në mesin e këtyre festave, janë edhe: Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (9 prill); Dita e Punëtoreve (1 maj) dhe Dita e Evropës (9 maj)./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat