Presidenti Hashim Thaçi thotë se është shokuar kur ka marrë vesh se në Berlin askush nuk e ka konsultuar Amerikën për mbajtjen e Samitit. Tutje thotë se aty s’ka vdekur ideja e korrigjimit dhe se kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron nuk e kanë përmendur aspak korrigjimin.
Thaci në emisionin Opinion në Klan thotë se asnjë ide nuk ka vdekur dhe përkundrazi, ai sheh përafrim të Merkelit, që kundërshton ndryshimin e kufijve, me presidentin francez, që nuk kishte qëndrim kundër idesë së Thacit dhe Vuciqit.
“Asnjë ide nuk ka vdekur në Berlin, bile shoh një përafrim të kancelares Merkel kah qëndrimi i Macronit”, ka thënë Thaçi.
Ai thotë se Samiti i Berlinit nuk ka pasur asnjë epilog dhe asnjë zgjidhje mes tyre.
“Kanë qenë deklarata të thata, dhe në fund krejt. Por nuk është diskutuar as nga Merkel e as nga Macron për korrigjimin e kufijve”, ka thënë Presidenti.
Ai thotë është shokuar kur e ka kuptuar se Gjermania nuk e ka njoftuar SHBA’në për këtë Samit, dhe se aty ka parë një Evropë të dobët.