Haradinaj për Telekomin: Pse të japim pare të popullit për një kompani që vazhdon me humbje

Aktuale

Haradinaj për Telekomin: Pse të japim pare të popullit për një kompani që vazhdon me humbje

Më: 9 maj 2019 Në ora: 23:49
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur përsëri për krizën në Telekomin e Kosovës.

Ai ka deklaruar se qeveria që ai udhëheq nuk do të japë më para për këtë ndërmarrje publike, pasi, sipas tij, vetëm do t’i humbte ato.

“Nuk jep qeveria pare, nuk guxojmë të japim pare për t’i humbur më tutje”, është shprehur ai në një intervistë në RTV21.

“Ata që udhëheqin me Telekomin duhet të kenë një plan biznesi, si ta rritin kompaninë. Ata i mbajnë përgjegjësitë, pra kushdo që e ka marrë përgjegjësinë duhet ta mbajë përgjegjësinë, duhet ta gjejë mënyrën për ta zhvilluar kompaninë ose të japë dorëheqje. Me bord, me drejtor, me krejt, të shkojnë në shtëpi”, ka deklaruar Haradinaj.

“Pse të japë qeveria pare të popullit për një kompani që vazhdon me humbje?”, ka pyetur shefi i ekzekutivit.

“Le të kallëzojnë që kanë plan biznesi, le të dalin të suksesshëm… shohim, bëjmë ndonjë partneritet, por nuk mundemi të japim pare për ta shpëtuar bankrotimin, nëse ata nuk punojnë”, ka thënë ai.

“Me këtë, nuk po them që do të bankrotojë, se nëse këta nuk e gjejnë planin e biznesit, del dikush që ka plan edhe e hapim ne. Nëse këta nuk dinë ta zhvillojë, do t’i gjejmë të tjerët që dinë ta zhvillojnë”, është shprehur Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat