Vetëvendosje akuzon Blerand Stavilecin se ka intervenuar për ta mbyllë rastin e rrahjes së gruas së tij

Aktuale

Vetëvendosje akuzon Blerand Stavilecin se ka intervenuar për ta mbyllë rastin e rrahjes së gruas së tij

Më: 10 maj 2019 Në ora: 18:00
Blerand Stavileci dhe gruaja e tij

Dy vite më parë, në lagjen ku jetonte u rrah e mbeti me lëndime të rënda trupore, gruaja e atëherë ministrit të Zhvillimit Ekonomik  Blerand Stavilecit, Vitore Metaj-Stavileci. Organet e hetuesisë kanë dyshime sa i përket prapavijës së 28 gushtit të 2017-tës. Si dyshim, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka edhe improvizimin e motive familjare që mund të kenë 135uar te sulmi. Zyrtarë të Vetëvendosjes pohojnë se janë gjetur personat që kanë sulmuar gruan e  Stavilecit, por është intervenuar që të mos kuptohet e vërteta. 

Edhe pak muaj bëhen dy vite nga sulmi që u bë ndaj gruas së atëherë ministrit të Zhvillimit Ekonomik në detyrë, Blerand Stavileci. Nga një sulm fizik që e patë lënë Vitore Metaj-Stavilecin me lëndime trupore, thyerje të hundës, gërvishtje në qafë dhe lëndim të syrit ende askush nuk është vënë para drejtësisë.

 Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Blerand Stavileci, dy vite më parë patën qenë shumë të zëshëm sa i përket sulmit, duke thënë se kjo ishte bërë nga pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i quanin kriminelë. Mirëpo, këto nuk janë dyshimet që ka prokuroria.

Express nga burime mirë të informuara në prokurori ka marrë vesh se janë dy lloje të pistave sa i përket prapavijave të asaj dite, një nga to është se krejt ngjarja mund të ketë qenë improvizim, apo ka ndodhur për shkaqe familjare.

Ndërsa, ashtu siç edhe ishte raportuar në media, po dyshohet për mundësinë nëse sulmin mund ta kenë kryer disa persona që mendohet të jenë 2 ose 3 (ende nuk është konfirmuar), e për këtë provë është edhe një video nga vendi i ngjarjes.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon zbardhjen e rastit

Pak orë pas sulmit që iu bë gruas së ish-ministrit, Vitore Metaj-Satvilecit, Partia Demokratike e Kosovës pati thirrur konferencë të jashtëzakonshme. Nënkryetari i Partisë, Uran Ismaili, dënonte ashpër ata që sipas tij ishin kryesit e sulmit, duke i quajtur kriminelë.

 “Sot në mesditë kriminelët e Vetëvendosje kanë sulmuar dhe rrahur brutalisht bashkëshorten e ministrit, Blerand Stavilecit”, kishte thënë nënkryetari i PDK-së, Ismaili, duke shtuar se kjo ishte bërë nga persona që duan ta shkatërrojnë shtetin.

Dy vite më vonë, drejtësia nuk ka arritur të identifikojë ata që sipas PDK-së, kryen aktin.

Nga Lëvizja Vetëvendosje po thonë se veçse dihet se janë gjetur sulmuesit e Vitore Metaj-Stavilecit, mirëpo, që është intervenuar që të mos kuptohet e vërteta e sulmit.

Valdrin Ahmeti, sekretar i Vetëvendosjes në Prishtinë në një prononcim thotë se Stavileci dikur akuzonte VV-në pasi që ai kishte qenë kritikues të pushtetit në Komunën e Prishtinës.

“Blerand Stavileci para 2 vitesh pati deklaruar se aktivistët e Lëvizjes ia kanë sulmuar gruan për shkak se ai po e kritikon Komunën e Prishtinës. Tash kur drejtuesit e Komunës dolën nga VV e qeverisja po degradon partia e Blerandit po i ndihmon me vota në Kuvend. Përveç Blerandit këtë deklarim e ka bërë edhe PDK zyrtarisht përmes një konference të nënkryetarit të saj Uran Ismaili”, tha Ahmeti, duke shtuar se është intervenuar që të mos arrestohen personat që qëndrojnë prapa sulmit.

 “Tashmë është ‘sekret publik’ që për këtë rast janë gjetur sulmuesit e gruas së Blerandit por ai ka intervenuar që ata të mos arrestohen, por kjo të fshihet, që të mos kuptohet e vërteta e sulmit”, shton tutje.

Ahmeti ka kërkuar nga Blerand Stavileci të tregojë se çka po fsheh në krejt këtë situatë.

“Se çfarë po fsheh, ndoshta më mirë duhet të tregojë vetë Blerandi, por ky rast dëshmon edhe njëherë që këta kanë sulmuar Lëvizjen në mënyrën më të pështirë të mundshme, duke shfrytëzuar edhe rastet më të ndjeshme si ky i sulmit ndaj gruas së tij. Ne presim që drejtësia të veprojë dhe sulmuesit të vihen para përgjegjësisë, të paktën kështu gruaja e Blerandit mund të ndihet e sigurtë”, ka shtuar ai.

Versionet e prokurorisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur, se kallëzimin penal për këtë rast e kanë pranuar katër muaj pasi që kishte ndodhur ngjarja.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15.12.2017, ka pranuar kallëzim penal të ushtruar nga Policia e Kosovës, kundër personave NN, në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”,  nga neni 188 të KPRK-së. Më 28.08.2017, të dyshuarit të panjohur kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarën V.S., ku e njëjta ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Gjithashtu, prokuroria ka bërë të ditur se kanë paraqitur sot edhe një kërkesë për të grumbulluar provat e nevojshme në njësitin e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë.

“Prokurori i çështjes, ka paraqitur kërkesë për grumbullim të informatave të nevojshme, drejtuar Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, lidhur me sigurimin e provave, me qëllim të  sqarimit të gjendjes faktike të kësaj çështje penale”, shkruhet në përgjigjen e prokurorisë.

Mirëpo, burime mirë të informuara në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ku po hetohet rasti, kanë bërë të ditur se deklaratat e të dëmtuarës, Vitore Metaj-Stavileci kanë qenë konfuze e për këtë arsye rasti është zgjatur deri më tani. Dyshime ka në korrektësinë e paraqitjes së këtij rasti.

Një nga dyshimet që ka prokuroria është se ngjarja mund të ketë qenë improvizim e se ka ndodhur për shkaqe familjare.

Media merr vesh se prokuroria ka provë një video incizim nga vendi i ngjarjes, që sot e kanë nisur përsëri te hetuesit, për të mbledhur provat.

“Po dyshojmë në korrektësinë e paraqitjes së këtij rasti e këtu është krejt problemi. Nuk jemi bashkë të qartë të këtij rasti të paraqitjes, nuk del bash krejt në bazë të kallëzimit penal. Dyshohet se persona të panjohur e kanë sulmuar dhe  e kanë lënduar mirëpo gjatë deklaratave pak janë konfuze, një herë jemi në pritje”, thotë ky burim.

Sipas pamjeve që shihen në video incizim janë dy persona që shihen të kenë kryer sulmin, ndërsa, një person tjetër për të cilin ende nuk dihet a ka qenë i kyçur në sulm.

“Se kemi të qartë a është improvizim a është e vërtetë a kanë pas probleme diçka të tjera. Dyshimet ka në shumë drejtime, mund të ketë edhe familjare, nuk janë sqaruar ende”, shton tutje ky burim.

Media e pati të pamundur kontaktin me Blerand Stavilecin për këtë çështje.

Sulmi ndaj Vitore Metaj Stavileci pati ndodhur rreth orës 13:00, të datës 28 gusht, 2017. E dëmtuara nga sulmi pati pësuar lëndime trupore  (thyerje të kockës së hundës, gërvishtje në qafë dhe lëndim të syrit). Në QKUK Stavileci kishte qëndruar për 9 orë pas sulmit.

Blerand Stavileci e gruaja e tij, patën qenë në fokus të mediave për lajmet që martesa e tyre po shkonte drejt fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat