Haradinaj i tregon kongresistit amerikan deri kur do ta mbajë taksën

Aktuale

Haradinaj i tregon kongresistit amerikan deri kur do ta mbajë taksën

Më: 11 maj 2019 Në ora: 17:17
Pamje nga takimi

(E plotësuar) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kongresistin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ed Case.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Case dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga liria, pavarësia dhe tani në shtetndërtim, duke vlerësuar se përkrahja e SHBA-së për Kosovën edhe në këto momente është tejet e rëndësishme për proceset zhvillimore të vendit.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi kongresistin Case për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. 

Image

“Forcimi i mëtejmë i partneritetit strategjik me ShBA-të, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet dy shteteve tona është me rëndësi jetike për vendin, sepse orientimi ynë është euroatlantik dhe pro vlerave perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në shenjë mirënjohje i dhuroi kongresistit Case, librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut.  

Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ed Case, afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Hawai-t ofrojnë në Kosovë.

***

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është takuar sot me kongresistin amerikan, Ed Case.

E ky takim i Haradinajt vjen pavarësisht qëndrimeve të tij për taksën dhe presionit amerikan për pezullimin e saj, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, tash e një kohë ka pasur një heshtje të amerikanëve sa i përket kërkesave të tyre për vendimin e Qeverisë.

Në ndërkohë, kryeministri Haradinaj ka potencuar vazhdimisht se vendimi do të qëndrojë në fuqi deri sa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Pas Samitit të Berlinit, në përkrahje të vendimit për taksën ka dalë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Sipas tij, taksa është vendim legjitim dhe kundërpërgjigje ndaj sjelljes agresive të Serbisë.

Case më herët gjatë ditës është takuar edhe me presidentin Thaçi, mirëpo se ende nuk është bërë e ditur se çfarë është diskutuar në këto dy takime.

Në fillim të takimit, mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat