Pacolli: Le të dalë ai burrë që na bën bashkë dhe ne duhet t’i përgjigjemi

Aktuale

Pacolli: Le të dalë ai burrë që na bën bashkë dhe ne duhet t’i përgjigjemi

Më: 11 maj 2019 Në ora: 19:43
Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka bërë dy lutje në prag të fillimit të dialogut me Serbinë.

Pacolli në një postim të gjatë në Facebook ka shkruar se duhet të ketë paqe mes të gjithëve në Kosovë dhe mos të ketë përqarje. Sipas tij, kjo i shërben vetëm Serbisë dhe se gjithë kjo duhet të marrë fund.

“Aleanca jonë me perëndimin, ishte shpëtimtare. Aleanca jonë me perëndimin ishte jetike. Serbia e Milosheviqit, por jo vetëm u investua që ta prishte Aleancën tonë me perëndimin duke na pikturuar si fondamentalistë, si komb i pazhvilluar, por nuk mundi”.

Postimi i plotë i Pacollit në Facebook:

Dy lutje në prag të fillimit të dialogut me Serbinë!

A ka kuptim që në prag të një takimi të madhe për paqë, një politikan , apo një medium kombëtare të nxisin urrejtje lojtarëve në mes njeri tjetrit!

A ka kuptim kjo, sidomos kur kërkohët unitet para mjë ndërmarrësije kaq të rëndësishme për vendin.

Jo! Nuk ka kuptim! Kjo është vetëvrasje.

Ditët e fundit, për shkak të intensifikimit të presionit ndërkombëtar ndaj bisedimeve Kosovë-Serbi, është rritur dhe animoziteti mes nesh. Me deklarata në distancë, me aludime, me qortime ad hominem. Njëkohësisht është rritur dhe agresiviteti i palës serbe, në forumë ndërkombëtare, në deklarimet e tyre brenda kotecit të pulave ( huehnerstall ) serb që marrin jehonë në mediat e botës, apo dhe në mediat tona.

Unë mendoj se e gjitha kjo që ndodh mes nesh duhet të marrë fund.

Ose të shtyhet për një periudhë tjetër.

Ose të bëhet një lloj moratoriumi për sulmet politike të brendshme, për sulmet personale për disa muaj në lidhje me këtë temë. Derisa të mbyllen bisedimet me Serbinë.

Sherret nuk duhet të ndodhin posaçërisht në nivele të larta institucionale. As brenda Kosovës, dhe as midis Kosovës e Shqipërisë. Dikur kryeministri ynë reagoi shumë mirë kur i ndali polemikat me homologun e tij nga Shqipëria, duke thënë se “Edi Ramën e kam vëlla…”. Dikur Presidenti ynë, nuk përmendi emra në një referim për një ngjarje të mëhershme. Ndërkohë Kryeministri dhe Presidenti ynë i kanë ulur tonet e replikave mes tyre. Unë mendoj se kjo është qasja e duhur. Madje kjo qasje duhet të përforcohet. Ka një arsye themelore për këtë.

Interesi kombëtar është mbi interesat partiake dhe personale.

Ne jemi më të fortë nëse jemi bashkë.

Ne jemi më të dobët nëse bëjmë luftë mes vedi.

Mediat tona, dikur në emër të transparencës, dikur interesave të palëve, protagonizmave të pakuptimtë, e ushqejnë tollovinë e përgjithshme, duke i hedhur dru zjarrit. Ky zjarr duke u përkthyer në gjuhë të huaj, krijon efekt shkatërrimtar.

Mediat, politika serbe, mezi ç’presin të luajnë me përçarjen tonë.

Unë, i nënshkruari që e them këtë, i kam besuar që herët dhe i besoj fuqishëm kësaj bindjeje- bashkë jemi më të fortë. Kur Dik Marti paraqiti raportin e tij në Këshillin e Europës kundër UÇK-së, kundër Kosovës, kundër Shqipërisë, kundër NATO-s, unë kisha një lutje ndaj kreut të shtetit shqiptar. I kërkova Kryeministrit Berisha të organizonte një tryezë të përbashkët të faktorit shqiptar për të reaguar si një komb përballë akuzave të tilla monstruoze. Asokohe isha i bindur se vetëm kartolina e shqiptarëve të bashkuar në një tryezë do të bënte efekt të jashtëzakonshëm. Edhe ndaj miqve që do kuptonin vendosmërinë tonë, por dhe ndaj kundërshtarëve.

Na duhet dikush që të na bëjë bashkë

Problemi sot kur gjendemi para një sfide kaq të rëndësishme si bisedimet me Serbinë, nuk është vetëm të mos shahemi mes vedi.

Problemi sot është: a gjendet dikush në viset tona që mund të na bëjë bashkë në një tryezë?

Ne duhet të konvergjojmë rreth një emëruesi minimal të përbashkët. Rreth një qëndrimi të përbashkët.

Ne duhet të ndajmë rolet pse jo, por vetëm me marrëveshje: dikush duhet të luajë rolin e skifterit, dikush rolin e pëllumbit. Por sipas një libreti të parashkruar dhe jo në mënyrë kaotike.

Le të dalë ai burrë që na bën bashkë dhe ne duhet t’i përgjigjemi.

Sa të kem frymë do luftoj për një objektiv të tillë.

Na duhet dikush që brenda hapësirës shqiptare është i respektuar nga të gjithë!

Të ndalen sulmet ndaj Perëndimit. Perëndimi na ndihmoi shumë, dje dhe sot.

Ka dhe një problem tjetër, për të cilin apeloj: të ndalen sulmet, kritikat publike ndaj faktorit perëndimor.

Kur them faktori perëndimor- e kam fjalën për zyrtarët e lartë, organizatat, shtetet mike perëndimore. Ne të gjithë e dimë- dikush mbase e ka harruar- se Kosova arriti të fitojë luftën ndaj Serbisë, vetëm për shkak të perëndimit. Aleanca jonë me perëndimin, ishte shpëtimtare. Aleanca jonë me perëndimin ishte jetike. Serbia e Milosheviqit, por jo vetëm u investua që ta prishte Aleancën tonë me perëndimin duke na pikturuar si fondamentalistë, si komb i pazhvilluar, por nuk mundi.

E tash ne me llastimet tona, me qortimet tona, me leksionet tona nuk mund ta bezdisim perëndimin që ka kriza të tjera, telashe të tjera më të mëdha. Ne nuk jemi qendra e botës dhe as nuk e rrotullojmë dot të vetëm Gurin e Mullirit të fateve të botës.

Ne nuk jemi në gjendje me i dhënë leksione perëndimit, dhe as ta qortojmë atë.

Për problemet tona ne duhet ta gjejmë arsyen tek vetja jonë dhe jo tek të tjerët.

Edhe sikur me pesimizëm të pranonim se Perëndimi nuk është me ne, Perëndimi është të paktën arbitri midis nesh dhe Serbisë. Ne nuk mund ta qortojmë Arbitrin (si në ndeshjet e futbollit që zhvillohen në provinca të humbura) dhe as më shumë mikun!!!!

Nuk duhet ta dobësojmë veten ndërkombëtarisht … me duart tona

Në të dy rastet- edhe kur luftojmë egërsisht mes vedi, edhe kur sulmojmë (kritikojmë, qortojmë publikisht) perëndimin, ne dobësojmë veten ndërkombëtarisht.

Ne dobësojmë veten përballë Serbisë.

Serbia mezi ç’pret që ne t’i bëjmë dhurata të tilla!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat