Ismaili zyrtarizon kandidaturën për ta udhëhequr PDK-në në kryeqytet

Aktuale

Ismaili zyrtarizon kandidaturën për ta udhëhequr PDK-në në kryeqytet

Më: 12 maj 2019 Në ora: 14:12
Uran Ismaili

Uran Ismaili, që aktualisht mban pozitën e ministrit të Shëndetësisë dhe nënkryetarit të PDK-së, ka kërkuar besimin për të udhëhequr me Degën e PDK-së në Prishtinë në procesin zgjedhor.

Ai është shprehur se si njeri që aspiratat politike i ka të lidhura krenarisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe jetën në dashuri me kryeqytetin, ka marrë përsipër një angazhim të rëndësishëm, që të jetë kandidat për kryetar të PDK-së në Prishtinë.

Ismaili ka thënë se me këtë proces zgjedhor ka filluar edhe një ridefinim radikal i marrëdhënies mes PDK-së dhe Prishtinës. Sipas tij, nën platformën e Dekadës së Re, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së, është duke zënë vend gjithandej në Kosovë.

Ai tha se 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë. Për Ismailin numri dhe formati i tyre janë shtylla të një modeli që rrit pjesëmarrjen e qytetarëve të Prishtinës në procese politike dhe që rrit hisen e tyre të vendimmarrjes.

Ismaili: Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre

“Si njeri që aspiratat politike i ka të lidhura krenarisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe jetën në dashuri me Kryeqytetin, unë kam marrë përsipër një angazhim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Të jem Kandidat për Kryetar të PDK-së në Prishtinë. Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre, që PDK-së ia jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që meriton. Platforma e Dekadës së Re është zgjidhja për kryeqytetin dhe së bashku mund ta jetësojmë atë. Nga ju kërkoj përkrahje për ta vazhduar mobilizimin dhe forcimin e PDK-së në Prishtinë. Të punojmë bashkë për një PDK që do t’i mbajë dyert e hapura për secilin qytetar të Prishtinës. Që motivet individuale t’i kthejmë në mobilizim kolektiv për të mirën e qytetit tonë. Vullneti për ta ndryshuar rrënjësisht qytetin tonë mund të shndërrohet në forcë kolektive vetëm nëse ne punojmë krah-për-kra h, hap-pas-hapi, ditë-për-ditë dhe derë-më-derë. Prishtina meriton më mirë, kurse ne mund të ofrojmë e punojmë më shumë”, tha ai.

Ai tha se 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë. Për Ismailin numri dhe formati i tyre janë shtylla të një modeli që rrit pjesëmarrjen e qytetarëve të Prishtinës në procese politike dhe që rrit hisen e tyre të vendimmarrjes.

Ismaili ka thënë se Platforma e Dekadës së Re është zgjidhja për Kryeqytetin dhe ajo do të jetësohet, ndërsa ka shtuar se Prishtina meriton më mirë dhe PDK mund të ofrojë e punojë më shumë.

Ismaili: PDK është më e gatshme për të luftuar degradimin e Prishtinës

“PDK është më e gatshme për të luftuar degradimin e Prishtinës dhe më vitale për t’u përballur me këdo që shtyn përpara degjenerimin e qytetit tonë. Prishtina ka shumë probleme dhe pak zhvillim. Ka shumë defekte dhe pak vizion. Ka shumë kokëçarje dhe pak ide për ta nxjerrë atë nga humnera e trafikut të paralizuar urban, nga kaosi arkitekturor që ka lënë shumë dritare pa rreze të diellit, nga vrazhdësia e betonit që ka shtypur brutalisht çdo hapësirë të gjelbër, nga ajri i ndotur që shkurton jetë dhe nga shëmtia e mbeturinave që na turpëron. Ky është realiteti i dhimbshëm për secilin që merr frymë në Prishtinë, për çdo fëmijë dhe të rritur, për çdo person dhe familje, për çdo çift dhe shtëpi. Prishtina nuk mund të vazhdojë më kështu. Ajo i ka të gjitha atributet për zhvillim të madh. Gjendja aktuale e Prishtinës nuk është e drejtë dhe duhet të ndryshohet. Partia Demokratike e Kosovës do ta krijojë n jë klimë që i hap rrugë ndryshimit të madh”, tha Ismaili.

Ndërkaq, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, ka deklaruar se kryeqytetit po i vije një gjeneratë e re politikanëve, një mendësi e re për ta ndryshuar për të mirë.

Hoxhaj ka deklaruar se Dekada e Re synon ta modernizojë PDK-në dhe synon që ta evropianizojë Kosovën. Teksa ka folur për zgjedhjet që PDK është duke i mbajtur në gjithë Kosovën, tha se prej 35 degëve ku kanë përfunduar zgjedhjet 18 degë kanë kryetar të ri dhe 17 janë kontunitet.  Ai tha se e reja dhe kontuniteti shkojnë së bashku.

Në zgjedhje të brendshme Hoxhaj tha se PDK-në duan ta bëjnë më profesionale, më energji më të madhe dhe ta kenë një unitet më të madh kudo brenda. Ai tha se gara e brendshme është e rëndësishme, por gara e jashtme është prioritet.

Hoxhaj: Besimin në shtet e rikthejmë kur Kadri Veseli e bëjmë kryeministër

“Situata aktuale është përafërsisht kjo, Evropa edhe më tutje e izolon Kosovën dhe ajo çka është e re është që kemi filluar të mbyllemi edhe më shumë në vetën tonë. Krahas izolimit ne po mbyllemi edhe më shumë në vetën tonë, shumë më pak qytetarët, dhe shumë më pak ndërkombëtarët i besojnë Kosovës. Vetëm PDK si parti e shpresës, e besimit dhe optimizmit mund ta rikthejë besimin në shtet dhe këtë e rikthejmë kur Kadri Veseli e bëjmë kryeministër dhe këtë e rikthejmë kur Uran Ismailin e bëjmë kryetar të Prishtinës. Prandaj, Dekada e Re përmbyllet dhe merr misionin e saj kur ne e udhëheqim Qeverinë se si e kemi udhëhequr deri në vitin 2014 dhe kur udhëheqim komunën e Prishtinës, e cila do të jetë një motor i ri i ndryshimit në vend”, tha Hoxhaj.

Ai ka ftuar qytetarët që t’i besojnë Dekadës së Re dhe PDK-së, t’i besojnë shtetit të Kosovës.

Kurse, shefi i deputetëve të PDK-së Memli Krasniqi ka kërkuar mbështetje për kandidatin për kryetar të degës së PDK-së në Prishtinë, derisa ka thënë se beson që strukturat e reja do të jenë ato që do të udhëheqin në mandatin e ardhshëm edhe me Prishtinën.

Krasniqi: Strukturat e reja në mandatin e radhës të udhëheqin kryeqytetin

“Unë besoj që strukturat që do të dalin nga ky proces do të jenë ato që në mandatin e ardhshëm vërtet do të bartin përgjegjësinë e madhe, që për herë të parë qytetarët e Prishtinës t’i japin besimin PDK-së për ta qeverisur edhe kryeqytetit, ashtu siç i kanë dhënë besimin në 11 vitet e kaluara për ta qeverisur Republikën e Kosovës... Do t’iu lus që të ngritni dorën të gjithë ju që jeni për herë të parë delegat në Kuvendin e PDK-së. Kjo është fotografia që e dëshmon fuqinë e PDK-së, sepse fuqia e PDK-së gjithmonë ka qenë aftësia, gatishmëria dhe hapësira për ta rigjeneruar vetveten. Gjithmonë ka qenë aftësia, gatishmëria dhe hapësira për ta ridefinuar vetveten, për ta rienergjizua vetveten dhe për ta ridinamizuar punën dhe besoj që kjo është dëshmia më e mirë që Dekada e Re ashtu siç ka ndodhur dhe po fillon anë e mbanë Kosovës, ashtu po ndodh edhe në degën e PDK-së në Prishtinë”, tha ai .

Krasniqi tha se puna e madhe do të fillojë me zgjedhjen e strukturave të reja, derisa ka ftuar që ta mbështesin Uran Ismailin në mënyrë që të udhëheqë Degën e PDK-së deri në momentin kur do të udhëheqin me Prishtinën.

Degën e PDK-së deri më tani e ka udhëhequr Lirak Çelaj, i cili kishte qenë edhe kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e fundit.

Çelaj ka thënë se është munduar me gjithë qenien që të punojë në të mirë të PDK-së, të anëtarëve të saj dhe në të mirë të qytetit. Mirëpo, ai tha se jo të gjithë janë angazhuar me këtë energji dhe kanë pasur rezultatin që e kanë pasur.

Ai ka deklaruar se beson që PDK do ta ndërrojë qasjen që e ka pasur ndaj Degës së Prishtinës dhe beson që me ndërrim të qasjes edhe PDK Dega në Prishtinë do të jetë më mirë.

Çelaj: Jo të gjithë janë angazhuar me këtë energji dhe kemi rezultatin atë që kemi pasur

“Në garën e fundit kam qenë edhe vet kandidat, për çka në shenjë të përgjegjësisë unë kam ofruar edhe dorëheqje tek kryetari z.Veseli i cili ka refuzuar. Megjithatë më lejoni të them që me tërë qenien time jam përkushtuar dhe jam munduar që të punojë në të mirë të PDK-së, të anëtarëve të saj dhe në të mirë të qytetit tim. Fatkeqësisht jo të gjithë janë angazhuar me këtë energji dhe kemi rezultatin atë që kemi pasur. Unë uroj që strukturat që do të dalin të zgjedhura nga ky proces të jenë unik, të jenë të përkushtuar, të jenë njerëz të cilët para interesit personal do të vejnë interesin e vendit, interesin e  qytetit dhe interesin e partisë dhe anëtarëve të saj. Unë besoj që PDK do të ndërrojë qasjen që ka pasur ndaj Degës së Prishtinës dhe besoj që me ndërrim të qasjes edhe PDK Dega në Prishtinë do të jetë më mirë”, tha ai.

Ai ka uruar që kryetari i ardhshëm i Degës së PDK-së në Prishtinë të jetë edhe kryetari i ardhshëm i Prishtinës, që sipas tij më në fund qytetit t’i kthehet dinjiteti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat