Hoxha: Jemi duke punuar që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm

Aktuale

Hoxha: Jemi duke punuar që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm

Nga: Z.B Më: 12 maj 2019 Në ora: 15:01
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se vlerat integruese, janë vlera që dëshmohen nga puna, përkushtimi, angazhimi gjithëpërfshirës i të gjitha institucioneve, qytetarëve, por edhe ndërmarrjeve private.

“Pra, parimet dhe vlerat integruese arrihen më shpejt me punë se sa me pushim. Një ditë pune, nëse llogariten me orë, dalin të jenë miliona orë punë, të humbura. Prandaj, edhe vendet e BE-së, këtë ditë e shfrytëzojnë për punë”, shprehet ajo.

Mirëpo Ministrja Hoxha, paralajmëron se vitin tjetër 9 maji do të jetë ditë pune.

Hoxha ka thënë se, “Kjo festë, si shenjë mirënjohjeje ndaj BE-së, e sjellur nga qëllimet më të mira, besoj të korrigjohet dhe vitin tjetër të punojmë në këtë ditë, sepse procesi i integrimit kërkon shumë pune. Procesi integrues është proces përafrimi i Kosovës me vlerat e BE-së, në legjislacion, me praktikat më të mira që ofron ky bashkim. Këtu, pres që ndjeshëm të kemi lëvizje përpara në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, ambient të pastër, ndërmarrje konkurruese me prodhime vendore, arsim cilësor, shëndetësi të avancuar dhe gjithë të mirat që disponojnë vendet brenda BE-së”, ka potencuar ajo.

Tutje, Ministrja Hoxha ka thënë se, po punohet që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm dhe brenda kapaciteteve institucionale.

“Ne jemi duke punuar që anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm dhe brenda kapaciteteve tona institucionale. Gjithsesi, ne duhet të aplikojmë edhe për të arritur te statusi i vendit kandidat në BE, por dhe të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës”, ka thënë Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Sipas saj, kjo varet padashtas edhe nga rrethanat jashtë kompetencës së Kosovës.

“Ne çmojmë parimet e kësaj organizate, mbinacionale, si demokracinë parlamentare, të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe sundimin e ligjit, por, anëtarësimi varet edhe nga procedurat dhe shkaqet tjera, frenuese nga disa anëtarë të kësaj organizate. Gjithsesi, ne do ta kryejmë punën tonë si pjesë e vlerave të kësaj organizate dhe parimeve mbi të cilat është krijuar dhe punon”, përfundoi Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat