Veseli: Punën e karrigeve e lëmë për më vonë, primare gjenocidi i Serbisë në Kosovë

Aktuale

Veseli: Punën e karrigeve e lëmë për më vonë, primare gjenocidi i Serbisë në Kosovë

Më: 13 maj 2019 Në ora: 13:16
Kadri Veseli

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot vendosi që të enjten të votohet për themelimin e Komisionit shtetëror që do të punojë në dokumentimin e gjenocidit në Kosovë dhe të bartë nismën për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë. Ndërkaq, nesër do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga VV dhe LDK për gjendjen në Telekom.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë, u shpreh i bindur se tribunali për gjenocidin serb do të ndodhë dhe se tashmë, sipas tij kanë nisur hapat e parë për këtë.

Veseli: Të enjten seanca për krijimin e komisionit shtetëror

“Ashtu siç kam paralajmëruar  që disa ditë, sot në kryesinë e Kuvendit të Kosovës kam paraqitur edhe propozimin që të enjten të mbahet një seancë parlamentare  për themelimin e një komisioni shtetëror, i cili do të ketë si mision konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po atë ditë, ditën e enjte, do të kemi edhe rezolutën e gjenocidit në Kosovë, për të vazhduar me vendimin, të cilin do ta merr Kuvendi i Kosovës në themelimin dhe ndërtimin e muzeut të gjenocidit, i cili do të jetë propozim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, propozimi është që tek te ish-tjegullorja të jetë vendndodhja e muzeut të gjenocidit serb mbi qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Veseli tha se askush nuk mund ta zë në gojë idenë se ky tribunal mos të jetë ndërkombëtar, ndërsa pret mbështetje nga gjitha partitë politike, për të dokumentuar dhe faktuar të gjitha krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, në mënyrë që të hapet një perspektivë e re e regjionit të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Kuvendit shtoi se nuk është i fokusuar që të bëhet kryeministër pasi që për të primare është gjenocidi serb.

Veseli: Punën e karrigeve e lëmë për më vonë

“Aktualisht kisha pasur dëshirë të fokusohem nga gjenocidi serb, pastaj puna e karrigeve e lëmë për më vonë, e cila është ekzistuese aq më tepër te ne, nganjëherë bëhet edhe bajate, por do të vijë edhe ai momenti, po flasim për gjenocidin serb.  Unë e di se ka pak skepticizëm, më shumë më pengon është një lloj skepticizmi dhe frika. Këta janë armiqtë më të mëdhenj të kombit tonë”, tha Veseli.

Ndërsa, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme  për gjendjen e Telekomit të Kosovës, e thirrur nga VV dhe LDK, do të mbahet nesër. 

Haxhiu:  Ne kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet nesër

“Në këtë kuptim ne kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme, e cila do të mbahet nesër, ne në kryesi të Kuvendit propozuam, si grup parlamentar që t’i jepet mundësia edhe kryetarit të sindikatës Lamir Balajt, që të bëjë një paraqitje për gjendjen në Telekom, ne kemi pasur Balajn në komisionin hetimor dhe informacionet që i kemi marrë, do të thotë i kemi dëgjuar për herë të parë. Dhe për t’i  ndihmuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të ishte e rëndësishme që nesër t’i jepet mundësia edhe kryetarit të sindikatës, i cili përfaqëson mbi 2000 punëtorë, por kjo nuk është pranuar nga Kryesia e Kuvendit, vetëm dy vota për”, tha Haxhiu.

Ajo nuk ka komentuar arrestimin e ish ish-partiakut të saj Dardan Molliqaj.

Haxhiu: Kjo nuk është temë e kësaj kryesie

“Kjo nuk ishte as temë e kësaj kryesie dhe nuk ishte as pjesë e diskutimit tim”, tha Haxhiu.

Në cilësinë  e kryesuesit të komisionit ad-hoc për rezolutën e gjenocidit serb, Bilall Sherifi nga radhët e Nisma, tha se komisioni e ka përfunduar punën e vet.

Sherifi: Ditën e enjte do të shqyrtohet rezoluta e gjenocidit serb në Kosovë

“Komisioni e ka përfunduar punën e vet, e ka dërguar në kryesi. Kryesia mori vendim sot që pika për rezolutën të propozuar nga komisioni ad-hoc, i cili është zgjedhur nga kuvendi të jetë në rend dite të enjten. Pra, me kaq puna e komisionit përfundon. Tani në radhë janë deputetët, të cilat do të shqyrtojnë këtë rezolutë, ditën e enjte”, tha Sherifi.

Ndryshe, kryeparlamentari Veseli tha se ish-Tjegullorja në Prishtinë mund të jetë një nga lokacionet e mundshme për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit në Kosovë. Ai tha se do të ndërtohet edhe një Memorial për viktimat e luftës në Kosovës.

Përpos këtyre, ai përmendi edhe ndërtimin e një muzeu në stacionin e trenit në Prishtinë, përmes së cilit do të përkujtohet përndjekja e rreth 1 milion shqiptarëve nga Kosova, nga forcat serbe.  Ai tha se ky proces mund të zgjasë, por askush nuk mund të mohojë masakrat në Kosovë, për të cilat dikush duhet të japë përgjegjësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat