Thaçi beson institucionet e Kosovës do marrin vendime të drejta për dënimin e gjenocidit serb

Aktuale

Thaçi beson institucionet e Kosovës do marrin vendime të drejta për dënimin e gjenocidit serb

Më: 13 maj 2019 Në ora: 14:15
Presidenti Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar deklarimet se institucionet e Kosovës nuk mund të krijojnë Tribunal Ndërkombëtar që dënon gjenocidin serb, duke thënë se shpreson në vendimmarrje të drejtë dhe të urtë të institucioneve të Kosovës karshi gjenocidit serb.

 Ai tha se institucionet e Kosovës duhet të nxjerrin rezolutën dhe aktet normative që janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.

Thaçi: Shpresoj në vendimmarrje të drejtë të institucioneve të Kosovës

"Ne duhet t'i kryejmë detyrat tona,  tjetra që është shumë me rëndësi është që spektri politik është unik, ne të nxjerrim rezolutën dhe aktet tjera normative që janë të nevojshme dhe të domosdoshme, e di që është duke u zhvilluar një debat i brendshëm dhe me botën akademike me shoqërinë civile.... Shpresoj në vendimmarrje të urtë dhe të drejtë të institucioneve të Kosovës", tha ai.

Këto komente i pari i shtetit të Kosovës i bëri teksa ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lule tek memoriali i 77 martirëve të Korishës.

Thaçi nga aty tha se gjenocidi serb në Kosovë do të kujtohet gjithmonë përmes varrezave dhe monumenteve të ngritura për të rënët për liri.

Thaçi: Përmes monumenteve do të kujtohet gjenocidi serb në Kosovë

 "Ne jemi anë e kënd Kosovës duke vizituar varrezat dhe monumentet që do të mbesin në kujtesë gjithmonë për sot dhe për të gjitha gjeneratat që do të vijnë që të kujtohet gjenocidi i shtetit të Serbisë sepse është një rrugë e planifikuar dhe menduar nga vetë shteti i Serbisë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit", tha ai.

Kujtojmë që me iniciativë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka nisur themelimi i një Tribunali që dënon krimet serbe në Kosovës, dhe një veprim i tillë ka gjetur përkrahjen e të gjithëve. 

***

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë pjesë në tubimin kushtuar Ditës së Martirëve në fshatin Korishë.

Image

Kreu i vendit e ka vlerësuar iniciativën e Kuvendit për krijimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë, derisa ka shtuar se ndjehet mirë që më në fund Kuvendi i Kosovës ka vendosur në mënyrë të bashkuar të lëvizin drejt nxjerrjes së një rezolute kundër krimeve serbe.

Thaçi ka shtuar se nuk duan pajtim me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve, derisa ka thënë se e gjithë bota duhet të marr vesh për krimet serbe në Kosovë.

“Më vjen mirë që Kuvendi i Kosovës ka filluar të lëvizë me krijimin e rezolutës që dënon gjenocidin e bërë në Kosovë nga forcat serbe si dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e bëra. Nuk dëshirojmë pajtim me Serbin pa u zbardhur fati i të pagjeturve, dhe pa u vu drejtësia në pah. E gjithë bota do e marr vesh se çka ka bërë Serbia”, ka thënë Thaçi.

”Sot kujtojmë me respektin më të lartë dhe nderimin më të lartë shtetërorë të gjithë martirët e Korishës. Edhe martirët e Korishës janë produkt i drejtpërdrejtë i dhunës sistematike të organizuar nga shteti i Serbisë. Gra, fëmijë e pleq, u vranë në rrethana që i detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, oborret e tyre, trojet e tyre, dhe dhunshëm ngarkuar në rimorkio për t’i zënë rob për t’i  bllokuar  deri në momentin e asaj që ndodhi”, ka shtuar Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat