Thirrja e fuqishme e Mbretit Leka Zogu I për Shqipëri Etnike

Aktuale

Thirrja e fuqishme e Mbretit Leka Zogu I për Shqipëri Etnike

Nga: Bota Sot Më: 13 maj 2019 Në ora: 20:54
Momenti nga ndarja e çmimit Skënderbe për mbretin Leka Zogu I, të cilin e ndau Shkëndije Mazrekaj

Botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, përmes llogarisë së tij në rrjetin social në Facebook, ka ndarë një pjesë tjetër emocionuese nga mbrëmja gala e nëntorit të vitit 1997 e cila u mbajt në Cyrih të Zvicrës.

Në këtë mbrëmje të organizuar nga gazeta kombëtare “Bota sot”, morën pjesë personalitete të shumta që i dhanë dritë atdheut me anë të veprimtarisë së tyre, ndërsa edhe më të veçantë këtë e bëri prezenca e Mbretit Shqiptar Leka Zogu I.

Mazrekaj thotë se ishte një nder i veçantë për “Botën sot”, por edhe për të gjithë shqiptarët, prania në këtë mbrëmje e Mbretit Shqiptar Leka Zogu I.

Mes tjerash, botuesi i gazetës kombëtare “Bota sot”, ka rrëfyer momente të padëgjuara më parë, por edhe emocionuese, se si policia zvicerane e kishte nderuar mbretin shqiptar.

“Kur dola ta prisja, policët kufitar në aeroportin e Cyrihut, sapo e panë që bëhej fjalë për mbretin, nuk ia kërkuan fare pasaportën. Mbreti kishte pasaportën mbretërore me shqiponjë dhe përkrenare të Skënderbeut. Mbeta i habitur për nderimin që iu bë nga policët. Ata lanë gjithë punët e tyre dhe për një çast u përulën para mbretit duke e quajtur Lartmadhëri, në gjuhën gjermane”, rrëfen mes tjerash Mazrekaj.

Në këtë gala mbrëmje, çmimin “Skënderbe” për mbretin Leka Zogu I, e kishte ndarë motra e Xhevdet Mazrekajt, Shkëndije Mazrekaj.

Mbreti Leka Zogu I, mbrëmjen gala të organizuar nga “Bota sot”, e kishte cilësuar si të mrekullueshme, ndërsa nuk kishte lënë pa falënderuar edhe lexuesit, që e kishin përzgjedhur si më të merituarin për këtë çmim.

Më poshtë postimi i plotë i Mazrekajt:

Mos ta harrojmë mbretin Leka Zogu I, kjo ishte thirrja e tij e fuqishme për Shqipëri etnike

Personalitete shumë të rëndësishme që i dhanë dritë atdheut me anë të veprimtarisë së tyre, ishin të pranishëm në mbrëmjen gala të organizuar nga gazeta kombëtare “Bota sot”, për ndarjen e çmimit Skënderbe, në nëntor vitit 1997.

Një nder i veçantë për “Botën sot”, por edhe për të gjithë shqiptarët, ishte prania në këtë mbrëmje e Mbretit Shqiptar Leka Zogu I.

Ai kishte rreth 25 vite pa e parë me sy Shqipërinë dhe Evropën. Kjo pasi regjimi komunist i vendosur në Shqipëri më 1944 ndalonte kthimin e Mbretit dhe të familjes mbretërore në atdhe.

Mbreti Leka Zogu I, erdhi në Zvicër me ftesë të gazetës kombëtare “Bota sot”.

Kur dola ta prisja, policët kufitar në aeroportin e Cyrihut, sapo e panë që bëhej fjalë për mbretin, nuk ia kërkuan fare pasaportën. Mbreti kishte pasaportën mbretërore me shqiponjë dhe përkrenare të Skënderbeut.

Mbeta i habitur për nderimin që iu bë nga policët. Ata lanë gjithë punët e tyre dhe për një çast u përulën para mbretit duke e quajtur Lartmadhëri, në gjuhën gjermane.

Ishte emocionuese gjithë kjo situatë, pasi bota e njihte dhe e nderonte mbretin e shqiptarëve, pavarësisht se Shqipëria deri në atë vit(1997) e bënte të kundërtën.

Por, t`i kthehemi mbrëmjes gala të organizuar nga “Bota sot”.

Çmimin Skënderbe për mbretin Leka Zogu I, e ndau motra ime Shkëndije Mazrekaj.

Ky moment u prit me shumë duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa Shkëndija prezantoi çmimin duke thënë se i njëjti i jepet mbretit të të gjithë shqiptarëve.

Me të pranuar çmimin Skënderbe, mbreti Leka Zogu I, tha se çmimi ishte i një rëndësie të veçantë.

“Arsyeja është se nuk e kam fitu unë këtë çmim, por e ka fitu populli shqiptar me kërkesën e vazhdueshme për trojet etnike, për Shqipëri etnike, e ka fitu bota shqiptare”, deklaroi ai, derisa duartrokitjet nuk kishin të ndalur.

Tutje, Mbreti Leka Zogu I, mbrëmjen gala të organizuar nga “Bota sot”, e cilësoi si të mrekullueshme ndërsa falënderoi lexuesit që e kishin përzgjedhur si më të merituarin për këtë çmim.

Pas kësaj pike radha i erdhi këngës së kënduar nga këngëtarja Manjolla Nallbani!

PËR TA PARË KËTË VIDEO, KLIKONI KËTU

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat