Rugova: Veseli po bën fushatë, nuk po merret me Kuvendin

Aktuale

Rugova: Veseli po bën fushatë, nuk po merret me Kuvendin

Më: 14 maj 2019 Në ora: 00:58
Naser Rugova

Të mërkurën do të bëhet një muaj prejse Kuvendi i Kosovës nuk ka mbajtur asnjë seancë, ndonëse shumë projektligje, ligje e rezoluta vazhdojnë të presin për shqyrtim dhe për votim. Përgjatë katër muajve të parë të këtij viti Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përmbushë as 13% të agjendës legjislative.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes së seancave parlamentare gjatë këtij muaji është fushata partiake që sipas tij po e bën kryeparlamentari Veseli.

"Koalicioni qeverisës po merret me tema tjera. Lideri i koalicionit qeverisës, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, është në fushatë zgjedhore partiake përderisa në anën tjetër bëhen një muaj ku pika jashtëzakonisht të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës janë stopuar, krejt kjo për arsye të çuditshme të cilat nuk janë karakteristika të punës së parlamenteve që funksionojnë normalisht", ka thënë Rugova.

"Janë mbi 60 pika të papërfunduara nga seancat që nuk janë përmbyllur dhe kjo vjen nga një menaxhim joprofesional, joparimor dhe joparlamentar sepse edhe kur po fillojnë seancat e Kuvendit të Kosovës jepet fjala jashtë Rregullores së Punës së Kuvendit, bëhen polemika koti, orientohet debati në rrafshe krejt të tjera dhe jo në ato që janë të rëndësishme për qytetarët e vendit dhe kështu nuk arrihet të përfundohet në kohë optimale as agjenda e paraparë", ka potencuar Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat