Hadërgjonaj, Gaxherrit: Ke qenë pjesë e abuzimit personal e politik në PTK

Aktuale

Hadërgjonaj, Gaxherrit: Ke qenë pjesë e abuzimit personal e politik në PTK

Më: 14 maj 2019 Në ora: 15:33
Besa Gaxherri

Deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, ka akuzuar kolegen e saj nga radhët e Lidhjes Demokrate të Kosovës, Besa Gaxherri, se ka abuzuar sa ka qenë pjesë e Post-Telekomit të Kosovës.

Deputetja Hadërgjonaj ka thënë se kjo seancë po bëhet sa për të shpifur dhe për të futur frikë tek punëtorët aty. Derisa, zhvatësit e PTK-së, sipas saj, janë në të gjitha partitë politike, kush më shumë e kush më pak.

Ajo ka theksuar se Besa Gaxherri ka shfrytëzuar edhe pajisjet e PTK-së për interesa personale, derisa pozitën e deputetes e ka shfrytëzuar për interesa të LDK-së.

“Ajo ka punuar aty dhe ka qenë pjesë e abuzimit personal dhe politik në PTK. Ajo ka qenë menaxhere aty dhe ka menaxhuar me një të tretën e PTK-së. Ka mbajtur për vite të tëra punën në PTK duke qenë deputete në Kuvendin e Kosovës. Ka shfrytëzuar pozitën e deputetes për të politizuar me telekomin e Kosovës për interesa të LDK-së. Por edhe ka shfrytëzuar pajisjet e këtij institucioni për interesa personale. Tash, sigurisht e ka ruajtur vendin aty që një ditë të kthehet dhe të shkojë të punojë me ata persona që i shqetësojë sot me gjithë atë diskutim vullgar në lidhje me atë se çka po ndodh aty. Dhe, e gjithë kjo është që t’i dal në mbrojtje abuzimeve që i ka bërë LDK-ja në këtë institucion dhe i hudhë akuzat tek të tjerët pa kurrfarë dëshmie konkrete”, tha Hadërgjonaj.

Deputetja e PDK-së, u shpreh se duhet të bëhen hulumtime të mirëfillta në PTK dhe të marr dënimin e merituar secili që ka bërë keqpërdorime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat