Veseli: Gjykata për krimet serbe është e pashmangshme dhe do të ndodhë

Aktuale

Veseli: Gjykata për krimet serbe është e pashmangshme dhe do të ndodhë

Më: 14 maj 2019 Në ora: 15:48
Pamje nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot në Kaçanik se Gjykata Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb në Kosovë është e domosdoshme, është e mundur, është e pashmangshme dhe do të ndodhë.

Duke folur në Akademinë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të rënies heroike të Qamil Ilazit – Komandant Bardhit në Kaçanik, Kryeparlamentari Veseli tha se populli i Kosovës ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare ndaj okupatorit serb, i cili vrau e masakroi mijëra qytetarë të Kosovës, percjell lajmi.net.

Kryeparlamentari Veseli tha se janë disa personalitete të cilat në jetën dhe veprimtarinë e tyre pasqyrojnë gjithë fatin historik të kombit të tyre.

Një personalitet i tillë, tha Veseli, ishte Qamil Ilazi, komandant Bardhi.

Ai tha se 30 vjet aktivitet në shërbim të vendin, flasin më se miri për një personalitet që e dinte se cilës kohë i përkiste, e dinte se çfarë kërkonte koha dhe atdheu prej tij.

“Qamil Ilazi, me guxim e vendosmëri, iu përgjigj kohës dhe atdheut, si njeri i lapsit dhe i pushkës. Në historinë e popullit tonë lapsi dhe pushka gjithmonë kanë shkuar bashkë. Qamil Ilazi me veprimtarinë dhe luftën e tij është shëmbëlltyrë e kësaj vlere të popullit tonë. Është shëmbëlltyrë e luftës tonë të drejtë, luftës të pastër, luftës tonë për liri e dinjitet kombëtar. Kjo luftë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke i sjellë lirinë një populli të robëruar me shekuj, i ka bërë një shërbim të madh njerëzimit: e ka bërë më të drejtën botën”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se sot, të gjithë ata që kishim nderin të jenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndrojnë krenarë dhe ballëhapur para çdo kujt. Para Akademisë përkujtimore, Kryeparlamentari Veseli vendosi lule dhe bëri homazhe edhe tek shtatorja e Qamil Ilazit në Kaçanik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat