Haradinaj mbron Shkëlqim Devollin: Është prodhues dhe jep qindra rroga

Aktuale

Haradinaj mbron Shkëlqim Devollin: Është prodhues dhe jep qindra rroga

Më: 14 maj 2019 Në ora: 15:49
Shkëlqim Devollin, Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur edhe një herë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me PTK-në, ku tha se “s’po dimë çka po dojmë”.

Siç tha i pari i Qeverisë, në Kuvend shpesh po i jepet kosës për së gjeri dhe nuk po dihet çka po kërkohet, duke aluduar në kërkesat lidhur me marrëveshjen e Z-Mobile me PTK.

Haradinaj theksoi se nuk është çudi që një operator ekonomik ta vendos në rend të parë profitin, duke mbrojtur në një mënyrë qëllimet e Z-Mobile për të fituar me marrëveshjen me PTK-në. Mirëpo, Haradinaj ka thënë se përgjegjës për këtë është udhëheqësi i shtetit, i cili është hisedari në kompaninë publike PTK.

Ndërkohë, Haradinaj ka mbrojtur Shkëlqim Devollin edhe lidhur me akuzat e shpeshta për pasurinë e tij. Kryeqeveritari ka dhënë shembuj të suksesit në biznes të lartpërmendurit.

“Edhe, mos e harronji një gjë që ky që po e anatemojmë nganjëherë, Devolli, njëri apo tjetri. Ja po iu jep një shembull për Shkëlqim Devollin. Është veprimtari prodhuese të dashur kolegë. Pra mulliri i Xërxës, qysh e dini, është mulliri më i madh në Kosovë. Është veprimtari e Shkelqim Devollit. Punojnë rahovecianë, edhe ata janë njerëz si ata të Postës. I marrin rrogat me kohë. Nëse shkojmë tek dyshekët, prodhohet në Gjakovë, prodhohet në Pejë. Unë kam shku i kam parë këta punëtorë, janë qindra. Janë njerëz të këtij vendi, marrin rroga. Kafja e tjetra e tjetra, ju lutem të bëjmë kujdes”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, sot u diskutua në Kuvend për gjendjen në PTK, e ku kontrata e Z-Mobile me këtë kompani, është cilësuar si e dëmshme, duke u përmendur fakti që ajo rrezikon të paguajë mbi 30 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat