Krerët e shtetit kërkojnë votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Aktuale

Krerët e shtetit kërkojnë votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Më: 14 maj 2019 Në ora: 17:07
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Në 20-vjetorin e masakrave në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, liderët institucionalë kanë bërë thirrje që të enjten të bëhen të gjithë bashkë për votuar rezolutën, e cila dënon gjenocidin e kryer nga shteti serb në Kosovë.

I pranishëm në këtë akademi, të organizuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ishte edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se edhe pas 20 vjetësh, mbetet brengë për institucionet, që nga 400 masakra që janë bërë në Kosovë, nuk është dënuar ende askush.

Thaçi: Nga 400 masakra që ka kryer shteti serb në Kosovë, asnjë i dënuar

“Mbetet brengë e madhe për të gjithë ne, si institucionet e Kosovës, si shoqëri e Kosovës, por mbi të gjitha në ndërgjegjen e Bashkësisë ndërkombëtare që edhe sot e kësaj dite, pas 20 vitesh, prej 400 masakrash që ka kryer shteti i Serbisë ende nuk është dënuar asnjë njeri nga shteti i Serbisë. Është padrejtësi, është diskriminim, është edhe fyerje  për integritetin dhe dinjitetin e viktimave dhe për vet popullin e Kosovës”, tha ai.

Kreu i vendit tha se në seancat e ardhshme të Kuvendit, në mënyrë unike të gjithë së bashku duhet të nxjerrin rezolutën, e cila e dënon gjenocidin nga shteti i Serbisë në Kosovë. 

Thirrje të njëjtë bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai në 20-vjetorin e kësaj masakre tha se në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, të gjithë duhet bërë bashkë, për të nisur një rrugëtim, në mënyrë që të dënohen krimet serbe.

Veseli:  Ne nuk do t’i nënshtrohemi asnjë provokimi të Serbisë

“Ne jemi për paqe, ne duam fqinjësi të mirë, por nuk do t’i nënshtrohemi asnjë provokimi për aq sa nuk do të pranojmë as të heshtim për të drejtën tonë. Kemi marrë një iniciativë, gjitha institucionet e Republikës së Kosovës jemi bashkë, është fat i mirë se jemi të gjithë bashkë, dhe duhet të jemi edhe më bashkë ditën e enjte. Mënyrën që të fillojmë edhe rrugëtimin  për të kërkuar drejtësi për gjithë këta njerëz tanë, të cilët janë masakruar dhe janë vrarë në mënyrë të pafajshme”, tha Veseli.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se nuk duhet të diskutohet se kush e inicioi ligjin për dënimin e krimeve serbe.

Haradinaj: Inicimi i këtij ligji është obligim i yni

“Inicimi i një ligji për të dënuar, për të shpallur të fajshëm atë që i mohon krimet në Kosovë është obligim i ynë. Ia kemi me borxh viktimave tona, njerëzve tanë, nuk guxojmë tash edhe pas 20 vjetësh t’i ofendojë dikush ato. Unë po dëgjoj plot diskutime se kush e nisi, pse e nisi. Mos, jemi duke folur... qysh t’i ofendojë dikush njerëzit e vdekur, kjo i bie që këta nuk paskan lënë askënd, me i mohuar krimet, me na ofenduar të vdekurit, nuk guxojmë të lëmë në pakufi, pa marr një vendim ligjor”, tha Haradinaj.

Kryetari i Akademisë dhe Shkencave, Nexhat Daci, tha se duhet të përkrahet nisma që Kosova njëherë e përgjithmonë të mos e ndjejë veten fajtore dhe që e kanë njollosur gjatë gjithë historisë.

Daci: Duhet të përkrahim këtë nismë

“Me kënaqësi të veçantë duhet të përkrahim nismën e kryetarit të Parlamentit, e kryeministrit dhe presidentit që Kosova një herë e përgjithmonë mos të ndjejë vetën fajtore dhe të mos guxoj t’i realizojë të gjitha ato që nuk i ka pasur kurrë që na kanë njollosur gjatë gjithë historisë. Andaj me besimin më të madh, në nismën dhe luftën çlirimtare që është zhvilluar dhe në luftën për të krijuar unitet mes shqiptarëve që nuk e kemi pasur kurrë. Kosova duhet të fitojë me shpirtin e vet të madh me unitetin”, tha Daci. 

Në emër të familjarëve foli Naser Rama, i cili tha se pavarësisht se janë të mërzitur për humbjen e më të dashurve të tyre, janë të vetëdijshëm se pa gjakun e tyre sot nuk do të kishte liri.

Ndryshe, në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan nga forcat serbe janë vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë, në mesin e të cilëve kishte edhe banorë të zhvendosur nga fshatrat Vranoc, Raushiq, Batushë, Graboc e Zllapek, që strehoheshin në këto fshatra. 

Veseli: Kriminelët serbë nuk do të mund t’i ikin drejtësisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se heshtjes ndërkombëtare dhe mohimit serb duhet t’i përgjigjemi si shtet, duke marrë të gjitha masat në dokumentimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe duke krijuar kështu bazën faktike për t’ia hapur rrugës Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Serbisë në Kosovë.

Në Akademinë përkujtimore për masakrat në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, të kryera nga forcat serbe këtu e 20 vjet më parë, kryeparlamentari Veseli tha se janë 13500 qenie të pafajshme njerëzore, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, të cilët kërkojnë drejtësi.

Veseli tha se të gjithë këta njerëz të pafajshëm janë vrarë me urdhër politik nga shteti serb dhe janë ekzekutuar nga organet shtetërore të Serbisë në Kosovë, ushtria dhe policia.

“Këto 13500 viktima kërkojnë drejtësi. Këtë po e kërkojmë sot. Kosova ka të drejtë të kërkojë drejtësi për njerëzit e saj. Dhe drejtësia duhet të vijë në vend. Kriminelët të cilët i kanë kryer këto krime, duhet të marrin dënimin e merituar”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

 Ai tha se shteti serb, edhe dy dekada pas luftës, nuk po pushon së provokuari dhe cenuari shtetin tonë. Sipas tij, ky duhet të jetë mesazh edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila vetëm dy dekada më herët, pikërisht për të larguar një rrezik të tillë gjenocidi, kishte intervenuar ushtarakisht. “Vetëm disa ditë më parë, njëri nga urdhërdhënësit, përkatësisht ekzekutuesit e këtyre masakrave, bëri kërcënimin e radhës, duke bërë parada ushtarake me armë dhe duke cenuar kombin tonë. Por këtë nuk do ta lejojmë. Kërcënimit dhe cenimit do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Por do të jetë shumë më e fuqishme se para dy dekadash, kur i jemi përgjigjur në mënyrë vullnetare me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Tani kemi njësi të organizuara dhe të përgatitura ushtarake dhe policore të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

 Ai tha se Kosova është për paqe dhe fqinjësi të mirë, nuk do t’i nënshtrohet asnjë provokimi, por njëkohësisht as nuk do të pranojë të heshtë për të drejtën e saj.

“Kemi ndërmarrë një iniciativë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës jemi bashkë. Do të jemi edhe më të bashkuar të enjten, për të filluar rrugëtimin për të kërkuar drejtësi për të gjithë njerëzit tanë të vrarë e të masakruar”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai tha se shteti serb duhet të dënohet për gjenocidin në Kosovë dhe të gjithë kriminelët të cilët kanë kryer krime kundër shqiptarëve do të kapen dhe do të vihen para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat