Hoxha thotë se Kosova ka nevojë për projekte nga BE-ja në bujqësi

Aktuale

Hoxha thotë se Kosova ka nevojë për projekte nga BE-ja në bujqësi

Më: 14 maj 2019 Në ora: 17:58
Pamje nga takimi

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim Ekrem Gjokajn, kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Günter Horzetzky, ish këshilltar i Kancelares Merkel.

Gjatë këtij takimi u diskutua për Instrumentin e Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural, dhe me këtë rast ka potencuar se Kosova “ka nevojë për projekte që stimulojnë zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e prodhimit, përpunimit të produkteve bujqësore si dhe promovimin e eksporteve tona”.

Postimi i plotë:

Në takim me z. Ekrem Gjokaj, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Günter Horzetzky, ish këshilltar i Kancelares Merkel, diskutuam për Instrumentin e Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural (IPARD).

Diskutuam për rrugën të cilën ne duhet ndjekur që Bashkimi Evropian t’i njoh strukturat e Instrumentit të Para-Anëtarësimit për Zhvillim Rural, në pajtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga viti 2016.

Në takim theksova se nevoja për mbështetje nga donatorët në bujqësi është jashtëzakonisht e madhe, kryesisht në përafrim të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së në bujqësi, në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe fermerëve për zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e qasjes së fermerëve në financa.

Po ashtu, kemi nevojë për projekte investive të BE-së që stimulojnë zhvillimin e bujqësisë si dhe mbështetjen e prodhimit, përpunimit të produkteve bujqësore si dhe promovimin e eksporteve tona. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat