Jasharaj: Gjykatësja pas vendos nën ndikim të emocioneve ose politikës, do ta çojmë këtë punë deri në fund

Aktuale

Jasharaj: Gjykatësja pas vendos nën ndikim të emocioneve ose politikës, do ta çojmë këtë punë deri në fund

Më: 14 maj 2019 Në ora: 17:59
Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, në një deklaratë dhënë për media ka kritikuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, sipas së  cilës orët e humbura gjatë grevës tri javëshe në arsim duhet të kompensohen, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Jasharaj ka thënë se gjykatësi/ja duket se e ka marrë këtë vendim duke u ndikuar nga emocionet apo politika.

Ai ka thënë se do të bëjnë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës dhe se do ta çojnë këtë çështje deri në fund.

“Nuk di çka të them më shumë. Nëse kjo ka ndodh, atëherë SBASHK’u do të shoh se në çka është bazuar gjykata për këtë vendim. Ne e konsiderojmë se gjykatësi apo gjykatësja e ka marrë këtë vendim duke u ndikuar nga emocionet, ose ka qenë i ndikuar nga politika. Nuk e di që në çka qenka bazuar, sepse Gjykata është dashur të sjell verdikt pozitiv për ne, pasi ne e kemi studiuar mirë Ligjin e Grevave dhe ai nuk na obligon të kompensojmë orët e humbura. Ne do ta bëjmë menjëherë ankesë dhe do ta dërgojmë atë te Gjykata e Apelit sepse konsiderojmë se Gjykata që ka vendosur pro MASHT’it ka vendosur kështu ndikuar nga emocionet se po humben orët, apo ka qenë e ndikuar nga politika. Gjykata duhet të tregoj nëse vendimi i ministrit ka qenë i bazuar në ligj, apo jo. Nëse merren gjykatësi me emocione është gabim, sepse vendimet duhet të sillen me fakte e argumente. Gjykata është dashur të sjell vendim nëse kemi të drejtë ne apo MASHT’i. Nëse MASHT’i ka sjell një vendim që s’është i bazuar në ligje, atëherë gjykata është dashur të thotë atë. Nëse gjykata ka vendosur kështu, ne do të luftojmë deri në fund”, ka thënë Jasharaj për Periskopin.

Tutje ai ka thënë se është e gabuar që Gjykata të bazohet në Ligjin për Arsimin parauniversitar kur merr një vendim të tillë, pasi ai ligj s’rregullon çështjen e grevave.

“Ligji për Arsimin Universitar i përcakton detyrat dhe përgjegjësitë që i ka MASHT’i në organizimin e arsimit dhe është e drejtë e tyre. Askush s’ka thënë se situata është normale dhe e rregullt në sistemin arsimor gjatë grevës tri javëshe, por unë po them që Ligji i Grevave, i votuar nga Kuvendi, e cakton se greva është vendim legjitim, dhe aty s’thuhet që orët duhet të bahen edhe pas grevës. Nëse ndodh kjo, atëherë grevës i humbet  vlera. Sepse shteti s’e çan më kokën për kërkesat e Sindikatës, pasi e din se orët kompensohen pas përfundimit të grevës. Ne do ta punojmë ankesën, dhe qëndrimi ynë mbetet se ne s’mbajmë orët derisa të kemi verdikt përfundimtar nga gjykatat”, ka thënë tutje Jasharaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka refuzuar si të pabazuar padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke e lënë në fuqi vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës. Në aktgjykimin e kësaj gjykate, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se vendimi i MASHT-it është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se kompensimi i orëve të humbura me rastin e grevës ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve dhe aftësimin e tyre social dhe profesional.

Kjo sipas tyre është në përputhje me parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar të përcaktuara me Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Ky aktgjykim është marr nga gjykatësja Arjeta Sadiku, ku thuhet se vendimi MASHT-it nuk është diskriminues, e as ndëshkues për paditësin, e as mësimdhënësit të cilët janë të obliguar me këtë vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Padia për këtë rast ishte ushtruar pasi që MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte marr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit para universitar publik, si pasojë e grevës. Në vendimin e MASHT-it thuhej se orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, kundër këtij vendimi kishte qenë SBASHK-u, ku përmes padisë së ushtruar në gjykatë më 4 mars 2019, kishte kërkuar anulimin e këtij vendimi, me pretendimin se ai është i kundërligjshëm. Përkundër pretendimeve të palës paditëse, gjykata ka lënë në fuqi vendimin e atakuar, me arsyetimin se i njëjti është i bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, dhe se MASHT-i mban përgjegjësi kryesore për planifikimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar.

“Për të vendosur, gjykata fillimisht u bazua në Ligjin për Arsimin e Parauniversitar, i cili në nenin 5 përcakton detyrat e Ministrisë, që nënkupton të paditurën MASHT, e që sipas kësaj dispozite Ministria mban përgjegjësinë kryesore për planifikimi, caktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë së sistemit t arsimit parauniversitar”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Aty thuhet se aktgjykimi po ashtu bazohet në Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e Vitit Shkollor, me të cilin përcaktohen edhe ditët dhe javët e obliguara të mësimit, e në të cilin MASHT-i e obligon personelin arsimor që të realizojë orët sipas planifikimit kur mësimdhënësi mungon me apo pa arsyeje, e qëllimi i kompensimit të orëve të humbura është realizimi i planprogramit të paraparë për vitin shkollor. Për më tepër, aty thuhet se në pamundësi të kompensimit të orëve të parealizuara, mësimdhënësi është i obliguar të gjej formën e përshtatshme për realizimin e objektivave përkatëse të nxënies. Sipas gjykatës, kjo nënkupton se kompensimi i orëve është përgjegjësi e vetë mësimdhënësit, e që në rastin konkret me vendimin e të paditurës është përcaktuar forma e kompensimit të orëve të humbura.

“Mbi këtë bazë, gjykata vlerëson se vendimi i të paditurës i goditur me padi është vendim i drejtë dhe i ligjshëm, sepse i njëjti është marr pas vërtetimit të të gjitha fakteve relevante, konform dispozitave ligjore në fuqi” thuhet në këtë aktgjykim. Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 4 mars 2019, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës. Kjo pasi që me vendimin e SBASHK-ut, të datës 10 janar 2019, të gjitha institucionet arsimore në Kosovë kishin qenë në grevë nga data 14 janar, duke kërkuar rritjen e koeficientit të pagës sipas Ligjit për Paga.E lidhur me orët e humbura me rastin e grevës, MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte nxjerr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës, ku sipas këtij vendimi, orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, me një vendim të tillë nuk ishte pajtuar SBASHK-u, pasi që sipas kësaj sindikate, ky vendim kishte qenë në kundërshtim me Ligjin për Grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë. Të pakënaqur me këtë vendim, SBASHK-u kishte ushtruar padi, me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e këtij vendimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat