Viti 1999: Publikohen pamjet kur familjarët marrin trupin e pajetë të Fehmi Aganit, i vrarë nga forcat serbe

Aktuale

Viti 1999: Publikohen pamjet kur familjarët marrin trupin e pajetë të Fehmi Aganit, i vrarë nga forcat serbe

Më: 14 maj 2019 Në ora: 23:47
Fehmi Agani

Më 8 maj të vitit 1999, trupi i pajetë i akademikut Fehmi Agani, i vrarë nga forcat serbe, iu dorëzua familjarëve.

Familjarë të Aganit, kanë publikuar një video të 20 vjetëve më parë, në kohën kur u kumtua vdekja e Aganit, ku shihet edhe bartja e trupit të pajetë të atij që konsiderohet truri i lëvizjes paqësore të Kosovës, i vrarë nga forcat serbe.

“Sa shumë dhembje e sa kujtime te tmerrshme”, ka shkruar Krenare Agani, në Facebook, ku ka postuar videon.

Shpend Agani, djali i Fehmi Aganit dhe Edita Tahiri, Ministre e Punëve të Jashtme në ekzil, folën para mediave për këtë rast tragjik.

“Është e vështirë për mua të njoftoj për këtë lajm të dhimbshëm, për vrasjen e liderit, intelektualit e mendimtarit të madh, profesorit e akademikut Fehmi Agani, nga forcat paramilitare serbe”, kishte thënë Tahiri.

Image

Ndërkaq, djali i tij Shpendi, tregoi për momentin kur e kishin arrestuar dhe kur kuptuan se ai është vrarë.

“Dje morën mesazhin se ai është arrestuar nga forcat policore serbe. Pas kësaj, vetëm shpresonim se gjithçka do të shkojë mirë. Sot në mëngjes, pasi diskutuam me shumë familjarë të ndryshëm të cilët jetojnë ende në Prishtinë, kuptuam që është vrarë nga policia serbe”, kishte deklaruar Shpend Agani.

Fehmi Agani u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe më 6 maj 1999. Agani ishte nënkryetar shumëvjeçar i LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë video shfaqet edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova i cili flet për vdekjen e Aganit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat