Organizata dhe media fiktive kanë përfituar miliona euro nga PTK-ja

Aktuale

Organizata dhe media fiktive kanë përfituar miliona euro nga PTK-ja

Më: 15 maj 2019 Në ora: 09:27

(E plotësuar) - Komisioni parlamentar hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala sot ka miratuar listën shtesë të dëshmitarëve, të cilët do të japin dëshmi për komisionin hetimor në ditët e ardhshme.

Deputetët në këtë mbledhje ngritën si shqetësim se disa media organizata përfituan miliona euro nga PTK-ja, edhe pse ishin inekzistuese ose fiktive. 

Përveç, krerëve të shtetit, kryeministrit, Ramush Haradinaj, e presidentit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, dikur kryeministri Isa Mustafa, ministra, menaxher dhe të tjerë, kryesuesi i këtij Komisioni, Visar Ymeri ka propozuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe pronarët e kompanive që kanë lidhur kontrata me Telekomin, të cilat janë objekt i hetimit nga ana e këtij Komisioni.

Komisioni vendosi po ashtu që dëshmitar i proceseve në PTK të jetë edhe Lamih Balaj, kryetar i sindikatës në këtë kompani.

Ymeri: Dëshmitarë të jenë të gjithë pronarët e kompanive për kontratat në hetim

“T’i thërrasim drejtorët e secilës kompani të kontratave të cilat ne jemi duke i hetuar. Mendojmë se këtu mund t’i shkruajmë si emra të përveçëm ose si kompani dhe unë do të kisha propozua që t’ua lëmë kompanive të vendosin se kënd e dërgojnë. Te sindikata, përfaqësuesit e punëtorëve, kemi menduar me ftuar vetëm sindikatën aktuale”, tha Ymeri.

Nënkryetari i Komisionit Milaim Zeka, duke treguar se departamenti kundër mashtrimeve në PTK është mbyllur për shkak të kontratës me ‘Z-mobile’, dhe për këtë ka propozuar që për dëshmitarë të ftohen edhe Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj, të cilët kanë qenë pjesë e këtij departamenti.

Zeka, po ashtu, ka propozuar për dëshmitare edhe Shqipe Jasharin, si ish- drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në PTK.

Zeka: Departamenti kundër mashtrimeve në PTK u shua për shkak të kontratës ‘Z-mobile’

“Ka qenë një departament brenda për brenda Postë-Telekomit të Kosovës, i cili është quajtur Departamenti kundër Mashtrimeve në PTK. Dhe ky Departament është shuar pikërisht për shkak të kontratës ‘Z-mobile’ dhe SIM to SIM. Andaj, këta persona janë Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj. Jam I bindur se nga informatat paraprake që i kamë, që këta tre persona kanë me na dhënë informacione shumë të rëndësishme për Komisionin”, tha Zeka.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, Armend Zemaj ngriti çështjen e kontratave për sponsorizime dhe marketing, që sipas tij, janë shifra të mjeteve marramendëse, nga të cilat kanë përfituar figura të ndryshme. 

Ai tha se nga hetimet preliminare që janë bërë, shumë portale dhe organizata të cilat kanë fituar shuma të mëdha nga kjo kompani publike, nuk janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, andaj, ka kërkuar që edhe për këto të ketë informacione shtesë nga ARBK-ja.

Zemaj: OJQ dhe media fiktive kanë përfituar miliona euro nga PTK

“Është për të ardhur keq kur sheh edhe figura eminente dhe njerëz publik që kanë marr para nga PTK-ja. Janë profesorë, akademikë, këngëtarë, biznesmenë, këshilltarë ministrash e kryeministrash, e shumë individ të caktuar që nuk e di se si do të arsyetohen. Janë disa persona juridik, që kap shuma milionëshe dhe nuk e di çka I lidhë me marketingun apo sponsorizimet nga PTK-ja. Ka OJQ që duket se janë fiktive, ka portale që janë fiktive. Është mirë me pasur një lidhje me ARBK-në, sepse dy tri organizata, njëra ka përfitime milionëshe dhe nuk ekziston në ARBK”, tha Zemaj. 

Zemaj po ashtu ka propozuar tre emra për dëshmitarë, Valon Zhuniqin, ish-drejtor i Vala-s, Mehmdi Latifi si ushtrues detyre i kryeshefit dhe Besnik Jani si drejtor i Burimeve Njerëzore.

Anëtari i Komisionit Bekim Haxhiu ka kërkuar historik të regjistrimeve nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve(ARBK), për Dardafon LLC dhe Dardafon.net. 

Haxhiu: Kërkojmë një historik prej ARBK për “Dardafon LLC” dhe “Dardafon.net”

“Kërkojmë të kemi një historik të regjistrimit prej ARBK-së, se kur është regjistruar “Dardafon LLC” dhe ‘Dardafon.net’. kush kanë qenë pronarët e njërës dhe kush kanë qenë pronarët tjerë dhe historikun e ndryshimit të pronarëve të këtyre dy kompanive në ARBK. Është me rëndësi për neve këtë proces me parë. Këtu pastaj besoj se ka me na u plotësuar lista edhe me dy tre dëshmitarë të kompanisë së parë që është licencuar ‘Dardafon LLC”. Sipas informatave që kam, ka qenë Ardian Shatku, aksionar kryesor dhe gjatë procesit ai me qenë njëri prej dëshmitarëve të ftuar në Komision”, tha Haxhiu.

Deputeti Shkumbin Demalijaj, tha se duhet kërkuar përgjegjësi edhe për antenat e PTK-së, ngase sipas tij, flitet se janë diku 60 antena të vendosura pa kurrfarë planifikimi.

Demalijaj: Hajni e madhe është bërë edhe me antenat e PTK-së

“Vlera e qirasë është prej 270 deri 1 mijë euro për një antenë. Pra, është mirë që të gjitha këto kontrata me u vërtetua se qysh janë vendosur dhe me pasur një pasqyrë, sepse edhe aty është bërë hajnia e madhe. Mendohet se shumica e antenave janë në prona të menaxherëve të ndryshëm”, tha Demalijaj.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu ka propozuar për dëshmitarë-ekspert, Naim Maloku, Ismet Hamiti dhe Agron Dida, për të cilët mori përkrahjen e Komisionit hetimor.

Ndërsa, Komisioni hetimor ka vazhduar mbledhjen pa media për diskutimin e angazhimit të ekspertëve për lëndët që janë nën hetim.

Milaim Zeka propozon 3 emra që mund të dëshmojnë për keqpërdorimet në PTK

Sot është mbajtur mbledhja e Komisionit Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala. Është përpiluar lista e dëshmitarëve që do të intervistohen nga Komisioni Hetimor.

Milaim Zeka, anëtar i këtij komisioni parlamentar ka propozuar 3 emra. Sipas tij ka ekzistuar një departament në PTK që është quajtur departamenti kundër mashtrimeve në PTK.

“Ky departament është shuar pikërisht nga nënshkrimi i kontratës së Z-Mobile dhe Sim2Sim. Ata persona që kanë qenë në këtë departament janë: Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli dhe Shkëlzen Blakaj. Besoj se këta persona kanë me na dhënë informata shumë të rëndësishme për komisionin” është shprehur Zeka.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri ka propozuar që në listën e të intervistuarve të ftohen edhe drejtorët e kompanive me të cilat PTK-ja ka nënshkruar kontrata.

“Lista është bërë nga propozimet nga anëtarët e komisionit dhe kjo listë do të përmirësohet nëse ka nevojë për shtim të emrave. Në listën e dëshmitarëve për tu intervistuar të thirren të gjithë drejtorët e kompanive me të cilët PTK-ja ka nënshkuar kontrata” ka thënë Ymeri

Visar Ymeri ka thënë se nga  Sindikata e Punëtorëve të PTK-së, duhet të thirret vetëm kryetari i tanishëm i Sindikatës.

Në pikën e dytë të diskutimit është kërkuar që të vazhdohet pa prezencën e mediave përshkak se diskutohet çështja e ekspertëve që do të kontraktohen për të hetuar gjendjen e PTK-së dhe ata janë emra të përveçëm.

***

Mbledhja e Komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat