Diplomojnë studentët e gjeneratës 2019 në AUK

Aktuale

Diplomojnë studentët e gjeneratës 2019 në AUK

Më: 15 maj 2019 Në ora: 17:15
Pamje nga diplomimi

Në Universitetin Amerikan në Kosovë - RIT/AUK është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës 2019, ku këtë titull e morën 98 studentë.

Presidenti i Përkohshëm dhe Dekani i RIT Kosovo, Kemal Shahrabi tha se së bashku me mësimdhënësit janë krenar që sot po diplomojnë këta studenw,  të cilët përkundër  sfidave kanë arritur në këtë ditë.

Ai tha se studentët të cilët po largohen nga ky universitet kanë marrë njohuri të shumta përmes mësimdhënësve me një program të avancuar arsimor.

Shahrabi: Punoni me pasion dhe këmbëngulje në rrugëtimin tuaj tutje 

“Nëse gjatë rrugës së karrierës suaj profesionale vendosni të filloni kompanitë tuaja, sigurohuni që të keni ide të shkëlqyera  biznesi, ekip të përkushtuar dhe kompetent menaxhues dhe fonde të mjaftueshme financiare. Përkushtojuni rrugëtimit dhe jo suksesit tuaj. Punoni me pasion dhe këmbëngulje dhe trajtoni njerëzit tuaj me respekt dhe do të keni mundësinë të bëheni ndërmarrës të suksesshëm. Çfarëdo rruge të karrierës që zgjidhni, gjatë rrugës do të hasni në gjëra që kërkojnë përkushtim dhe shumë punë. Nuk ka rrugë të lehtë drejt suksesit. Rritet gradualisht dhe nuk del nga incidente të vetme”, u shpreh Shahrabi.

Prezantimin e arritjeve të studentëve të gjeneratës së vitit 2019 e bëri zëvendës presidentja e lartë në RIT, Ellen Granberg e cila tha se kjo ditë është shumë e rëndësishme për të gjithë studentët që po diplomojnë.

Sipas saj secili nga studentët e dalluar kanë arritur notën mesatare  3,85 nga maksimalja 4.

Granberg:Secili student ka arritur notën mesatare 3.85

“ Dita e diplomimit është ditë kur urojmë studentët tanë dhe sukseset e shumta të tyre. Jam shumë e lumtur që jam këtu sot për të uruar të diplomuarit tanë të mrekullueshëm. Është nderë për mua të jap lajmin për çmimet e studentëve për studentët e dalluar të RIT. Këtë vit kemi tre studentë të cilët kanë fituar çmimin e studentit të dalluar të RIT. Secili nga studentët e dalluar sot ka arritur të dallohet për notën mesatare 3.85 nga 4.0”, tha ajo.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte edhe bashkëthemeluesi i fondacionit “Unë e dua Kosovën”, Vllaznim Xhiha, i cili tha se shpreson që këta studentw do ndikojnë që të bëjnë ndryshimet radikale që i duhen arsimit në Kosovë.

Xhiha i cili është edhe themelues i hapësirës krijuese “BONEVET” tha se sistemi arsimor në Kosovës është i vjetërsuar dhe urgjentisht ka nevojë që të bëhen ndryshime.

Sipas tij sistemi arsimor në Kosovë duhet të jetë prioritet kombëtare nëse duam të kemi ndryshimet e duhura. Për këtë gjendje të sistemit arsimor në vend, inxhinieri Xhiha e fajësoi edhe lidershipin politik në vend.

Xhiha: Sistemi ynë arsimor ka nevojë urgjente për ndryshime të thella

“Sistemi ynë arsimor ka nevojë urgjente për ndryshime të thella dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse bëhet prioritet kombëtar. Lidershipi ynë politik, politikë bërësit dhe edukatorët duhet të dizajnojnë një plan për reformim me qellim qe të krijohen kushtet më të mira në mënyrë që të rinjtë të bëhen nxënës të angazhuar, individë të plotësuar dhe qytetarë produktivë”, tha Xhiha.

Këtë vit studentët më të dalluar u shpallën, Anila Abazi dhe Dritëro Bajrami, Jona Jaha, Urtina Zeka,Xheneta Sopjani, Donika Sollova, Aid Sopjani.

Studentja  e sapo diplomuar, Anila Abazi është shprehur tejet e lumtur në arritjen e objektivit të saj, marrjes së diplomës në këtë universitet.

Ajo tha se përvoja e saj në këtë universitet i ka treguar se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të aftësohen në psikologji e ekonomi.

Abazi: Sot e kuptoj se pse është dashur të mësojmë psikologji e makroekonomi

“Sot kur shikoj prapa dhe analizoj përvojën time këtu, e kuptoj pse duhej të kishim psikologji në të njëjtën kohë me makroekonominë, pse kemi pasur për detyrë të shkruanim raporte të kimisë apo artikuj. Të kaluarit nëpër këto lëndë shpesh ishte e dhimbshme dhe e pakuptimtë, por vetëm kur pjesët e puzzle-it vendosen së bashku, kur secila shkallë ngjitet, atëherë çdo gjë merr kuptim”, tha kjo nxënëse.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2019 përveç familjarëve dhe të afërmve të të diplomuar të pranishëm ishin edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat