Veseli fton të gjithë të bashkohen për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Aktuale

Veseli fton të gjithë të bashkohen për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Më: 16 maj 2019 Në ora: 17:17
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e jashtëzakonshme që ka ftuar ai për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, ka deklaruar se plaga më e madhe e luftës është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit, të cilin shteti serb e ushtroi mbi popullin e Kosovës gjatë luftës.

“Mbi 1 milion shqiptarë u detyruan të bëheshin refugjatë, ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre, 1230 fëmijë, përfshirë foshnje. Mijëra gra u dhunuan. Kjo ishte arsyeja pse bota demokratike mori vendim të ndërhynte për ta ndalur pikërisht këtë gjenocid. Përfundimi i luftës gjeti Kosovën me fatin e pazgjidhur të jo më pak se 6.057 personave”, ka thënë ai.

 Veseli ka pohuar se për gjitha këto krime dihen me emra dhe mbiemra kryesit e tyre.

 “Dihet kush ishin kryetarët e komunave. Dihet kush ishin komandantët e njësive policore dhe ushtarake. Dihen njësitë ekzekutuese. Dihen vendet. Madje, dihen edhe orët e sakta të krimeve. Ka dëshmi të bollshme. Ka fakte, dokumente, dëshmitarë. Te gjithë ata presin të flasin, mos të heshtet. Ata presin të dëgjohen. Të mos harrohen. Ata presin të veprohet për t’i vënë para drejtësisë vrasësit e familjarëve të tyre, vrasësit e fëmijëve të tyre. Çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo lagje, çdo fshat, çdo qytet, e di dhe do të flasë! Sepse, të gjithë dhe gjithçka në Kosovë ishte target i gjenocidit serb, vetëm pse ishim shqiptarë”, është shprehur Veseli.

 Kryetari i Kuvendit ka pohuar se deri në fundin e vitit 2017, drejtësia ndërkombëtare ishte e vetmja përgjegjëse për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

 “Kosova i ka besuar thellësisht drejtësisë ndërkombëtare, në gjithë këto vite. Kemi besuar se krimet gjenocidale të kryera nga Serbia në Kosovë do të marrin përgjigjen e domosdoshme nga mekanizmat e kësaj drejtësie. Por, ne sot ndjehemi thellësisht të zhgënjyer, kur konstatojmë se kjo nuk ka ndodhur”.

 Veseli ka thënë se është në nderin e Kuvendit të Kosovës që tash të merret vendimi që drejtësia për këto krime të ndodhë.

 Kjo, ka thënë ai, duhet të ndodhë për shumë arsye.

 “Në radhë të parë, për viktimat e gjenocidit. Në radhë të dytë, për të garantuar se këto krime nuk do të përsëriten më. Në radhë të tretë, për paqen e qëndrueshme në Rajon dhe Europë”, është shprehur Veseli.

 Kryeparlamentari Veseli ka dalë me iniciativën që Kosova të fillojë procesin e mbledhjes dhe dokumentimit të dëshmive të gjenocidit serb në Kosovë. Ai ka propozuar që të nisë ky proces dokumentimi, i cili në një fazë tjetër do të pasohet nga përgatitja e akuzave për kriminelët.

 

“Kam propozuar një seri nismash konkrete, në kuadër të Drejtësisë Tranzicionale, për të zbardhur të kaluarën dhe vënë kriminelët para përgjegjësisë. Kam propozuar ndërtimin e një Muzeu të Gjenocidit, në ish-fabrikën e Tjegullave, i cili do të zhvillojë veprimtari në pesë fusha. Kam propozuar përcaktimin me ligj të një date përkujtuese të gjenocidit, si dhe ndërtimin e një memoriali për këtë tragjedi të popullit tonë. Kam propozuar shndërrimin e Stacionit të Trenit të Prishtinës në Muze të Dëbimit”, ka deklaruar Veseli.

Kryetari i Kuvendit, po ashtu, ka thënë se ka ftuar këtë seancë të jashtëzakonshme për të ndërmarrë nismën që lidhet me angazhimin serioz në vënien e kriminelëve përpara drejtësisë dhe sigurimit të drejtësisë për viktimat.

 “Propozimi im përfshin një proces ligjor dhe institucional, i cili do të kalojë nëpër disa faza deri ne arritjen e ngritjes se Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb mbi Kosovën, duke filluar me Themelimin e Komisionit Shtetëror që bën konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.

 Veseli i ka ftuar të gjithë që të bëhen bashkë me qëllim për të vendosur drejtësinë për krimet e shtetit serb në Kosovë.

 “Këtë e presin mijëra familjarë të viktimave, shqiptarë të vrarë e të masakruar, gratë e dhunuara, nënat dhe baballarët që u janë vrarë fëmijët, e fëmijët që u janë vrarë prindërit e gjyshërit. Këtë e pret tërë Kosova”, ka deklaruar Veseli.

 “Gjykata Ndërkombëtare që do të merret me këto krime, e kam thënë, dhe dua ta ritheksoj sot këtë, është e mundur, është e domosdoshme, është e pashmangshme”, ka thënë Veseli.

Ky është fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Veseli:

Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Kosovës,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kjo është një seancë, të cilën shumë gjatë e kanë pritur qytetarët e vendit tonë.  

Kanë mbetur më pak se një muaj, kur vendi ynë kremton 20 vjetorin e çlirimit përfundimtar nga sundimi  njëshekullor serb.

Në këto 20 vjet liri, vendi ynë ka shënuar të arritura të mëdha. Ato janë të përmasave historike.

Kemi shpallur pavarësinë, kemi ndërtuar bazat e një shteti demokratik, kemi ngritur ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, ndërsa vitin që shkoi themeluam edhe Ushtrinë e Kosovës.

Edhe si popull i sulmuar, kemi pranuar çdo çmim që na është kërkuar, duke iu përgjigjur çdo pretendimi për aktakuzë, në Kosovë e në Hagë. Kemi krijuar edhe një Gjykatë Speciale. Kjo është pjesa e historisë, në të cilën nuk kthehemi prapa.

Por, ndonëse kanë kaluar 20 vjet, e megjithëse kemi shëruar shumë plagë të luftës, ato mbesin pjesë e pandashme e qenies sonë; si familje dhe si komb.

Dhe plaga më e madhe është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit, të cilin shteti serb e ushtroi mbi popullin tonë gjatë viteve të luftës.

Lëndinat e fshatrave të Kosovës u kthyen në fusha të vdekjes, ndërsa trenat që bartnin njerëzit tanë të dëbuar me dhunë, bota i kishte parë vetëm në kohën e holokaustit të hebrenjve.

Trajtimi nga forcat ushtarake e policore serbe gjatë luftës ishte çnjerëzor.

Mbi 1 milion shqiptarë u detyruan të bëheshin refugjatë, ose persona të zhvendosur.

13.535 veta u vranë. Në mesin e tyre, 1230 fëmijë, përfshirë foshnje.

Mijëra gra u dhunuan.

Kjo ishte arsyeja pse bota demokratike mori vendim të ndërhynte për ta ndalur pikërisht këtë gjenocid.

Përfundimi i luftës gjeti Kosovën me fatin e pazgjidhur të jo më pak se 6.057 personave.    

Janë mijëra të vrarë, të masakruar, varrosur, zhvarrosur, dhunuar, përdhunuar, fyer e poshtëruar, në mënyrën më mizore dhe sistematike nga shteti serb, politika serbe, policia dhe ushtria serbe.

Për të gjitha këto krime, dihen me emra dhe mbiemra shumica e kryesve të tyre.

Dihet kush ishin kryetarët e komunave. Dihet kush ishin komandantët e njësive policore dhe ushtarake. Dihen njësitë ekzekutuese. Dihen vendet. Madje, dihen edhe orët e sakta të kryerjes së krimeve.

Ka dëshmi të bollshme. Ka fakte, dokumente, dëshmitarë. Te gjithë ata presin të flasin, mos të heshtet. Ata presin të dëgjohen, të mos harrohen. Ata presin të veprohet për t’i vënë para drejtësisë vrasësit e familjarëve të tyre, vrasësit e fëmijëve të tyre, dhunuesit.    

Çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo lagje, çdo fshat, çdo qytet, e di dhe do të flasë! Sepse, të gjithë dhe gjithçka në Kosovë ishte target i gjenocidit serb, vetëm pse ishim shqiptarë.

Edhe sot, 20 vjet pas, ende nuk ka kërkim falje. Nuk ka distancim të shtetit serb.

Edhe ato pak procese gjyqësore që ka organizuar shteti serb kanë qenë improvizime për të mashtruar botën dhe realisht për t’i amnistuar kriminelët.

Sot, ne kemi ardhur në një situatë kur rrezikojmë seriozisht që tragjedia jonë më e madhe historike dhe mijëra e mijëra viktimat e saj të mbesin thjesht statistikë në ditë përkujtimesh.

A duhet të lejojmë që të ndodhë kjo?

Sigurisht që jo!

Pra, qytetarët e Kosovës me të drejtë pyesin: A do të ketë drejtësi edhe për ne?

Deri në fundin e vitit 2017, drejtësia ndërkombëtare ishte e vetmja përgjegjëse për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kosova i ka besuar thellësisht drejtësisë ndërkombëtare, në gjithë këto vite.

Kemi besuar se krimet gjenocidale të kryera nga Serbia në Kosovë do të marrin përgjigjen e domosdoshme nga mekanizmat e kësaj drejtësie.

Por, ne sot ndjehemi thellësisht të zhgënjyer kur konstatojmë se kjo nuk ka ndodhur.

Edhe në shifrat e dënimeve, faktet janë tronditëse:

Janë dhënë 189 vjet burgim për shqiptarët dhe vetëm 20 vjet burgim për serbët.

Të dënuar në Kosovë janë: 34 shqiptarë, 4 serbë, 1 rom.

Të dënuar në Serbi: 15 serbë, 1 shqiptar dhe qindra të tjerë shqiptarë me aktakuza të shtetit serb.

Të dënuar në Hagë: 6 serbë, 2 shqiptarë. Plus, ne e kemi edhe Gjykatën Speciale.

Brenda në Kosovë, njëri pas tjetrit, kanë dështuar UNIMIK-u, EULEXI, dhe bashkë me ta edhe institucionet tona, që, duke besuar te drejtësia ndërkombëtare, kanë neglizhuar detyrat e tyre ligjore në këtë drejtim.

Në anën tjetër, Gjykata e Hagës për krimet në ish Jugosllavi e ka lënë në gjysmë drejtësinë për krimet kundër njerëzimit, të kryera nga shteti serb në Kosovë.

Edhe në rastet e përfunduara, ka ndodhur që krerët e gjenocidit kanë marrë dënime shumë minimale.

Disa prej tyre tanimë janë liruar dhe ditët e fundit i kemi parë duke marrë pjesë në paradat ushtarake, të cilat Serbia i organizon për të kërcënuar Rajonin.

Dhe për çudi, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pjesa tjetër e botës demokratike hesht. Hesht Bashkimi Europian, institucioni që nuk do të duhej të heshtte.  

Është një heshtje që na kujton vitet kur Millosheviqi valëviste flamujt e luftës dhe bota bënte sikur nuk e shihte. Apo, e shihte Millosheviqin si shpëtimtar të vetëm paqes dhe historia pastaj tregon se ai u shndërrua në kërcënimin më të madh të paqes.

Këtë javë, të nderuar deputetë, unë kam përgatitur një letër drejtuar institucioneve më të larta të BE-së, në të cilën adresoj indiferencën e Bashkimit Europian karshi gjuhës së urrejtjes që shpërfaqet çdo ditë në Serbi.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Në vend se të shikojë nga e ardhmja, Serbia po nxjerr përpara skenarët e së kaluarës, dhe kjo ka një arsye pse ndodh.

 

Arsyeja është se Serbia nuk e ka marrë dënimin e merituar për krimet që ka kryer në Kosovë gjatë luftës.

Është inkurajuar nga qasja toleruese e derisotshme e BE-së për këtë. E them këtë, se edhe deri më sot, Serbia, vendi kandidat për BE, tolerohet nga BE të derdhë qindra miliona euro, çdo vit, edhe për strukturat kriminale në Kosovën tonë. 

Por, në Kosovë është inkurajuar edhe nga kacafytjet tona të brendshme, që më shumë ngjallen ta fusin njëri-tjetrin në burg sesa vrasësit e kombit të tyre.

Prandaj, sot, është në nderin e këtij Kuvendi, që të merret vendimi që drejtësia për këto krime të ndodhë.

Për shumë arsye.

Në radhë të parë, për viktimat e gjenocidit.

Në radhë të dytë, për të garantuar se këto krime nuk do të përsëriten më.

Në radhë të tretë, për paqen e qëndrueshme në Rajon dhe në Europë.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës

Të dashur qytetarë

Sikurse jeni në dijeni, në ditët e fundit unë kam dalë me iniciativën që shteti ynë të fillojë procesin e mbledhjes dhe dokumentimit të dëshmive të gjenocidit serb në Kosovë.

Puna që është bërë deri më tash ka qenë fragmentare, e paorganizuar mirë, e pamjaftueshme.

Koha po kalon dhe ne po rrezikojmë të humbim dëshmitë dhe dëshmitarët.

Kam propozuar që të nisim këtë proces dokumentimi, i cili në një fazë tjetër do të pasohet nga përgatitja e akuzave për kriminelët në një Tribunal Ndërkombëtar.

Vështirë që të shkojmë drejt partnerëve tanë të huaj dhe të kërkojmë  ndihmë për një gjykatë potenciale për krimet e serbëve, nëse Kosova s’bën gjë për vete, për çështjen e krimeve dhe dokumentimit të së kaluarës.

Prandaj, kam propozuar një seri nismash konkrete, në kuadër të Drejtësisë Tranzicionale, për të zbardhur të kaluarën dhe vënë kriminelët para përgjegjësisë.

Kam propozuar ndërtimin e një Muzeu të Gjenocidit, te ish-fabrika e Tjegullave, i cili do të zhvillojë veprimtari në pesë fusha.

Ai do të shërbejë për përkujtimin e krimeve, dokumentimin dhe arkivimin e fakteve, hulumtimin e tyre, edukimin e brezave të ardhshëm dhe gjetjen e shkaktarëve dhe përgatitjen e padive për ta. Do të ketë hapësirë përkujtimi në këtë Muze të Gjenocidit edhe për dëshmi nga krime kundër njerëzimit që janë kryer kudo në vende tjera të botës.

Kam propozuar përcaktimin me ligj të një date përkujtuese të gjenocidit, si dhe ndërtimin e një memoriali për këtë tragjedi të popullit tonë.

Nuk kam dyshim se datë referuese duhet të jetë gjithsesi njëra nga masakrat që ka ndodhur nga shteti serb në Kosovë, masakra më e madhe që ka ndodhur brenda një dite, gjatë luftës në Kosovë. Kjo masakër, sipas të dhënave, është Masakra e Verbovcit, e kryer më 30 prill 1999.

Kam propozuar shndërrimin e Stacionit të Trenit të Prishtinës në Muze të Dëbimit.

Ky do të jetë një muze me eksponate, ekspozitë me fotografi, instalacione, video, objekte personale dhe vagonë konkretë të përdorur për deportimin e qytetarëve të Prishtinës.

Po besoj, që së shpejti, në Kuvend do të vijë iniciativa ligjore e Kryeministrit për dënimin e atyre që mohojnë gjenocidin serb, në bazë të praktikave ndërkombëtare.

Por, ajo që është më e rëndësishmja, është angazhimi ynë institucional, si institucioni më i rëndësishëm i demokracisë kosovare.

Prandaj, unë vij sot këtu, në Kuvend, për të ndërmarrë një tjetër nismë, më të rëndësishme se ato të mëparshmet, që është konkrete, operacionale, që lidhet me angazhimin tonë serioz në vënien e kriminelëve përpara drejtësisë dhe sigurimit të drejtësisë për viktimat.

Propozimi im përfshin një proces ligjor dhe institucional, i cili do të kalojë nëpër disa faza deri ne arritjen e ngritjes se Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb mbi Kosovën, duke filluar me Themelimin e Komisionit Shtetëror që bën konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Qëllimi: Komisioni Shtetëror bën mbledhjen e të dhënave dhe dokumentimin e krimeve të luftës që ka bërë Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë, më qëllim që krimet e dokumentuara të adresohen nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare.

Mandati: Propozohet që Komisioni Shtetëror të ketë një mandat kohor të pakufizuar.

Baza ligjore: Kuvendi i Republikës së Kosovës, në afat sa më të shkurtër, do të hartojë një ligj të veçantë që përkufizon kompetencat dhe mandatin e këtij organi ndërinstitucional, ndërsa Komisioni Shtetëror do të hartojë një rregullore të punës për Komisionin Shtetëror.

Buxheti: Kuvendi i Republikës së Kosovës do të propozojë një buxhet të veçantë në bazë të kërkesës së Komisionit Shtetëror. Buxheti për këtë institucion është prioritet për shtetin e Kosovës. 

Përbërja:

1.      Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas detyrës zyrtare

2.      Nënkryetarët (bashkëkryesuesit): deputet i Pozitës dhe deputet i Opozitës

3.      Përfaqësues nga çdo grup parlamentar

4.      Përfaqësues nga Zyra e Presidentit

5.      Përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit

6.      Përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, nga MB dhe AKI

7.      Instituti i Historisë

8.      Instituti i Albanologjisë

9.      Këshilli Gjyqësor

10.  Këshilli Prokurorial

11.  Avokati i Popullit

12.  KMLDNJ-ja

13.  Përfaqësues i Shoqatave të të Pagjeturve

14.  Përfaqësues i Shoqatave të dala nga lufta

15.  Përfaqësues të Organizatave Joqeveritare që janë marrë me dokumentimin e krimeve

Puna e Komisionit Shtetëror do të ndahet në 3 faza:

Faza inicuese: Kjo fazë ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e këtij institucioni. Në fund të kësaj faze, Komisioni Shtetëror duhet të jetë funksional me gjithë kapacitet e tij. Rregullorja e Punës, si dhe Ligji i Veçantë miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë angazhohen në bazë të organogramit të propozuar. Të tri seksionet, në bazë të këtij propozimi, janë të operacionalizuara.

Faza e dokumentimit: Është faza më e ndjeshme e këtij institucioni. Ajo do të bëhet në bazë të kritereve të qarta ndërkombëtare për dokumentimin e krimeve. Është me rëndësi që gjatë kësaj faze Komisionit Shtetëror t’i sigurohet buxhet i mjaftueshëm për operim. Kjo fazë fillon në momentin e parë që mekanizmat e këtij institucioni janë plotësuar me stafin dhe mjetet e duhura. 

Faza e lobimit për krijimin e Tribunalit: Kjo fazë fillon të zbatohet në momentin e parë që Komisioni Shtetëror i ka të gatshme raportet e krimeve të dokumentuara në bazë të kritereve ndërkombëtare. Kjo fazë nuk do të pushojë së funksionuari edhe nëse Komisioni Shtetëror e përfundon mandatin e tij për të cilën është themeluar. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Jashtme do ta kenë në vazhdimësi si përgjegjësi prioritare realizimin e objektivave të kësaj faze.

Ky Komision do të shkojë të faktojë te çdo parlament në botë, çdo mekanizëm politik, strategjik, çdo mekanizëm i së drejtës humanitare, derisa të arrihet qëllimi final – drejtësia.
 

Të nderuar kolegë deputetë

Të dashur qytetarë të Kosovës

E kam përcjellur me shumë vëmendje debatin publik që ka nxitur ky propozim i imi.

I falënderoj si mbështetësit, ashtu edhe skeptikët.

Çdo gjë në jetë – është e vështirë të arrihet. Edhe liria për popuj, edhe drejtësia ndonjëherë.

As ne si komb nuk bëjmë përjashtim.

Por, ka një mendim te njohur që thotë se - pesimistët shohin vështirësi në çdo mundësi, ndërsa optimistët shohin mundësitë në çdo vështirësi.

Gjithë jetën kam qenë me ata që shohin mundësitë brenda vështirësive. 

Vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës erdhi nga ky përcaktim vizionar.

Historinë e bëjnë vetëm ata që besojnë te vetvetja, e drejta dhe e vërteta e kombit të tyre.

Ky besim ndërtohet kur të gjithë bëhemi bashkë rreth qëllimeve të mëdha të kombit.

Unë ju ftoj që edhe sot të bëhemi bashkë për këtë qëllim të madh: qëllimin për të vendosur drejtësinë për krimet e shtetit serb në Kosovë.

Këtë e presin mijëra familjarë të viktimave, shqiptarë të vrarë e të masakruar, gratë e dhunuara, nënat dhe baballarët që u janë vrarë fëmijët, e fëmijët që u janë vrarë prindërit e gjyshërit.

Këtë e pret e gjithë Kosova.

Gjykata Ndërkombëtare, që do të merret me këto krime, e kam thënë dhe dua ta ritheksoj edhe një herë këtu, është e mundur, është e domosdoshme dhe është pashmangshme.

Sot është dita që ky Kuvend të marrë një vendim, i cili i jep mundësi hapjes së kësaj epoke të këtij drejtimi. Së bashku. Si politikë. Si shtet. Si komb.  

Ju faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat