Brovina: Kam edhe dëshmi tjera – hartën me vendet ku në mënyrë sistematike janë kryer dhunimet gjatë luftës

Aktuale

Brovina: Kam edhe dëshmi tjera – hartën me vendet ku në mënyrë sistematike janë kryer dhunimet gjatë luftës

Më: 16 maj 2019 Në ora: 18:39
Flora Brovina

Deputetja e PDK-së Flora Brovina, ka deklaruar se ka edhe shumë më shumë fakte dhe dëshmi të ngjashme me fotografinë e përdhunimit të një gruaje nga ushtarët serbë të cilën e publikoi sot, dhe se është e gatshme t’i dëshmojë të gjitha.

Ajo ka theksuar se është e gatshme për bashkëpunim me shoqata të ndryshme, me prokurorinë me të gjithë, mirëpo ka hedhur dyshime për gatishmërinë e të tjerëve për bashkëpunim me të.

“Unë bashkëpunoj me Zyrën për Vërtetimin e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë, unë bashkëpunoj me ta çdoherë. Nuk kam asnjë problem, bashkëpunoj me të gjithë. Por, jo të gjithë bashkëpunojnë me mua, ndoshta sa i përket punës sime që nga paslufta. Ajo ka qenë punë vullnetare – unë nuk ia zë hijen askujt. Ndoshta tani e bëjnë për ndonjë përfitim për interesa të ndryshme. Nuk dua të futem andej dhe sinqerisht nuk po e kuptoj. Unë jam e hapur për bashkëpunim me secilin, por jo secili do të bashkëpunojë me mua”.

“Nuk e di, por as nuk po më intereson pse po me shmangin”.

Brovina në një intervistë në Info Magazine ka treguar se ka paraqitur dëshmi të ndryshme edhe në Tribunalin e Hagës, përderisa përmendi edhe disa nga krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, për të cilat thotë se ka dëshmi.

“Unë kam kontaktuar edhe me Hagën. Dëshmitaret e përgatitura, do të thotë ato gra, ato raste që unë i kam pasur, kanë dëshmuar në Hagë dhe kjo është publike. Njëra prej tyre krejt trupin e ka ‘kryqa-kryqa’, sepse qëllimisht dhunuesi ka dashur ta lejë me shenja”.

“Një 50 vjeçare është dhunuar nga fqinji i saj. Ka dëshmuar në media. Atë e kanë dënuar dy vjet, i ka mbajtur dy muaj. Ndërsa ajo ka ndërruar jetë”.

“Kemi dorëzuar një kasetë, atëherë kanë qenë me shirita, ku shihet përdhunimi i grave. Më kujtohet ka qenë një gazetar amerikan që i kam treguar çka i dorëzuam dhe ai tha: ‘Kjo është metodë ruse e luftës’ – metoda e dhunimin të grave, sepse në të njëjtën mënyre veprojnë ushtria ruse në Çeçeni. E mbaj mend këtë në vitin 1998, kur më ka thëne se kështu kanë vepruar rusët në Çeçeni. Kam rastin tjetër që gruaja e plagosur gjatë luftës më ka thënë se pikërisht në të njëjtin vend ku është gjetur kjo kasetë ‘ata që më morën dhe më lidhën plagën flisnin gjuhën ruse’”.

“Unë kam një hartë me vendet ku në mënyrë sistematike janë kryer dhunimet në Prishtinë, në Mitrovicë…  Në Prishtinë kanë qenë bodrumet e Klinikës Kirurgjike, Stacioni i Policisë, internati i refugjatëve të Bosnjës, ish objekti i Shkollës Teknike, por edhe ndonjë shtëpi”.

Deputetja dhe aktivistja ka thënë se nuk ka qenë objektivë e saj që t’i mbledhë këto shënime, por rrethanat ia kanë imponuar që t’i mbledhë dhe t’i ruajë ato, përderisa theksoi se është e gatshme t’i shkojë kësaj çështje deri në fund, deri në vënien e drejtësisë në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat