‘Festa e Abetares’ mbledh trevat shqiptare në Prizren, premtohen unifikim i sistemit të arsimit

Aktuale

‘Festa e Abetares’ mbledh trevat shqiptare në Prizren, premtohen unifikim i sistemit të arsimit

Më: 17 maj 2019 Në ora: 13:32
Pamje nga ngjarja

Qyteti i Prizrenit ishte të premten nikoqir i manifestimit tradicional ‘ Festa e Abetares’ i cili organizohet përvitshëm nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Të pranishëm në këtë manifestim përveç përfaqësueseve të MAShT-it, nxënësve dhe mësimdhënës, ishte edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë, Besa Shahini, ambasadori i  Shqipërisë, Qemajl Minxhozi, përfaqësues nga Lugina e Preshevës dhe Bujanocit si dhe deputetë të kuvendit komunal dhe atij qendror.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se festa e Abetares nuk është vetëm festë për nxënësit dhe mësuesit, por është gjithë kombit. Ai e quajti këtë manifestim  festë e përbashkët e Abetares Kombëtare.  Ministri shprehu përkushtimin e tij dhe homologes nga Shqipëria, për unifikimin e sistemit të arsimit të të dyja vendeve, duke mos përjashtuar edhe Maqedoninë në të ardhmen.

Bytyqi : Së shpejti marrëveshja për unifikimin e sistemit arsimor

 “Sot është një festë e përbashkët e Abetares Kombëtare,  dhe për të cilën ne si Ministri e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, si dhe  shumë shpejt në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë, do të kemi hapa të tjerë konkret që do të bëjmë marrëveshje të përbashkët, drejt unifikimit të  sistemit arsimor. Unifikimi i sistemit arsimor do të thotë një hap përpara drejt unifikimit të kombit shqiptar dhe një hap përpara drejt zhvillimit të përbashkët të kombit shqiptar”, tha Bytyqi.

Edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Besa Shahini tha se pas  kurorëzimit të abetares së përbashkët të vitit 2012, po synojnë unifikimin e  tërësishëm të arsimit parauniversitar në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Madje Shahini theksoi se janë duke punuar që së shpejti  Kosova dhe Shqipëria të kenë një akademi të shkencave shqiptare.

Shahini: Synojmë unifikimin total të gjithckaje që përdoret në arsimin parauniversitar

 “Sot e kemi një planprogram që përdoret si në Kosovë dhe në Shqipëri , e kemi një abetare që përdoret si në Kosovë si në Shqipëri, kemi edhe disa libra të tjerë që I kemi te njëjte. Dhe kemi synimin bashkë me ministrin Bytyqi që të shkojmë drejt një unifikimi total të gjithçkaje që përdoret në arsimin parauniversitar. Kjo besoj është e domosdoshme qe ne bashkërisht të përmirësojmë jo vetëm aftësinë bazike tek nxënësit, por ta rrisim  edhe dashurinë  tonë për gjuhën dhe ta çojmë përpara cilësinë e arsimit shqip në rajon dhe për të gjithë shqiptarët”, tha Shanhini.

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, tha se Festa e Abetares është ajo që po fshin kufijtë artificialë dhe se kjo po ndodhë në qytetin e bashkimit historik, siç është Prizreni.

Haskuka: Abetarja është ajo që i fshin kufijtë artificial të kombit shqiptar

“Sot është festa e Abetares me 36 shkronja, abetares që na jep dritë, abetares që na bashkon, Abetarja është ajo që i fshin kufijtë artificial të kombit shqiptar,. Abetarja është pa pasaportë. kjo abetare mbajtur shqiptarët gjallë përtej kufijve 106 vitet e kaluara. Sot Abetarja na bashkon në Prizren., në qytetin e bashkimit historik na bashkon në festën e saj”, tha Haskuka.

Megjithatë Haskuka theksoi edhe faktin se sistemi i arsimit në Kosovë ka mjaft sfida. Ndërsa ka kërkuar përkushtim më të madh në këtë drejtim, duke përmendur edhe rezultatet e dobëta të testit ndërkombëtar PISA.

E Drejtori i Arsimit në Komunën e Bujanocit Dritan Rexhepi, tha se shpreson qe vitet e tjera të festojnë të bashkuar. Tha se vet prezenca e sotme e përfaqësuesve të kësaj pjese nuk është më vetëm simbolike.

Rexhepi:  Simbolika e prezencës sot, është më shumë se kaq

’29

Për neve është një kënaqësi e veçantë, është hera e dytë që prezantojmë në këtë event. Sa për pjesën e fëmijëve kuptohet se është një trend, kurse për ne të rriturit simbolika e prezencës sot në Prizren është më shumë se kaq”, tha ai.

Adriana Shehu, përfaqësuese  nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë, derisa ka uruar Festen e Abetares të gjithë nxënësve, tha se shpreson që në vitet e ardhshme të ketë abetare të përbashkët edhe për Maqedoninë.

Kujtojmë se në vitin 2012 është bërë unifikimi i Abetares në mes  Kosovës dhe Shqipërisë,  i pari tekst unik për klasat e para të nxënëseve të të dyja vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat