Politika ndikon në sistemin e drejtësisë, nuk u dënua asnjë zyrtarë i lartë

Aktuale

Politika ndikon në sistemin e drejtësisë, nuk u dënua asnjë zyrtarë i lartë

Më: 17 maj 2019 Në ora: 15:03
Pamje nga takimi

Mos dënimi i asnjë zyrtari të lartë për korrupsion ka bërë që sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe në veçanti kryeprokurori Aleksandër Lumezi të akuzohet për mos efikasitet dhe shërbim të politikës.

Në një tryezë që e ka organizuar Lëvizja Vetëvendosje mbi korrupsionin dhe profilit të lartë me deputetë dhe anëtarë të shoqërisë civile, u tha se krejt kjo po bëhet për shkak të kapjes së sistemit të drejtësisë dhe mungesës së vullnetit politik.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu u shpreh se përkundër gjitha skandaleve të korrupsionit që po ndodhin në Kosovë, prokuroria e shtetit është duke heshtur.

Haxhiu: Nuk ka pasur vullnet politik për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin

“Njëra ndër arsyet kryesore pse krimi i organizuar dhe korrupsioni është në nivel të lartë dhe në raportet vendore dhe ndërkombëtare kjo evidentohet plotësisht, së pari është mungesa e vullnetit politik. Jemi dëshmitar se nuk ka pasur vullnet politik për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha ajo.

I ashpër në reagimin e tij ishte dhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili tha se lufta kundër korrupsionit është një betejë që nuk është fituar deri më tani nga shteti i Kosovës.

Krejt kjo sipas tij ka ndodhë për shkak të një sistemi të kapur nga politika.

Musliu: Kryeprokurori i shtetit si argat i politikës ka ndërtuar një sistem të centralizuar të hetimeve

“Lufta kundër korrupsionit është një betejë e një lufte që deri tash nuk ka dëshmuar rezultate nga ana e sistemit të drejtësisë. Arsyet janë të shumta dhe do t’i shpalosi në vazhdim. Por deri më tash nuk kemi asnjë profil të lartë i cili është dënuar, qoftë edhe një ditë me burgim efektiv për shkak të ndonjë prej 19 veprave penale të korrupsionit...Kryeprokurori i shtetit si argat i politikës ka ndërtuar një sistem të centralizuar të hetimeve të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Krejt në mënyrë të kundërligjshme në kundërshtim me bazën ligjore që e kemi sot në Kosovë. Ai ka ndërtuar sistem përmes të cilit asnjë sistem i profilit të lartë në Kosovë nuk mund të nis hetime pa u informuar Zyra e Kryeprokurorit të shtetit dhe pa dhënë vizën për hetim”, tha Musliu. 

Për aspektin ekonomik, Berat Thaçi nga Instituti GAP tha se Kosova shpenzon dukshëm më pak për kokë banori sa i përket sundimit të ligjit se sa shtetet e rajonit dhe kjo tregon se sundimin e ligjit nuk e ka prioritet.

Thaçi Institucionet që merren me sundim të ligjit

“Është mungesë e prioritetit, mungesa e të vënit prioritet sundimin e ligjit është në kundërshtim dhe me rekomandimet e Këshillit Evropian, sepse sipas këtij këshilli sundimi i ligjit ka dhe një pronësi në burimet e shtetit. Sepse të hyrat sigurohen dhe fal sundimit të ligjit. Pra institucionet që merren me sundim të ligjit duhet të jenë prioritet”, deklaroi Thaçi.

Kurse në aspektin e sundimit të ligjit si kriter për liberalizim të vizave, foli Taulant Kryeziu nga Instituti Epik, i cili u shpreh se duhet të punohet më shumë për këtë çështje.

Siç konsideron ai, sistemi i drejtësisë e ka një problem në aspektin se me qytetarin e thjeshtë është shumë efikas, kurse me zyrtarët e lart politik kuptohet se ka ndikim politik.

Kryeziu: Ka ndikim politik në kuadër të sistemit të drejtësisë

“Ne e dina që sistemi ynë i drejtësisë e ka një problem qytetarit të thjesht nëse i cenohet një e drejt, apo e bën një shkelje është efikas. Le të themi Gjykata Themelore niveli i ulët funksionon shumë mirë. Në momentin që ngjitesh më lart në hierarkinë e sistemit prokuroria, pastaj e kupton se ku shtrihet ndikimi politik në kuadër të këtij sistemi”, shtoi Kryeziu.

Mungesa e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar është kritikuar gjithmonë në raportet ndërkombëtare./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat