Haradinaj: Në Kosovë nuk lejojmë Dodik Republikë

Aktuale

Haradinaj: Në Kosovë nuk lejojmë Dodik Republikë

Më: 17 maj 2019 Në ora: 15:38
Pamje nga takimi

Në fshatin Shqiponjë të Gjakovës sot janë kujtuar 38 dëshmorët dhe 4 martirët e rënë në këtë vend.

Në manifestimin e 20 vjetorit të Çlirimit të Shqiponjës i cili u organizua nën patronatin e kryeministrit , Ramush Haradinaj morën pjesë shumë familjarë, ish luftëtarë të UÇK-së, deputetë e ministra të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Jabllanica e kishte dhënë provimin e saj qysh në vitin 1993 kur nuk lejoi që forcat serbe të kalojnë në territorin e saj, dhe që nga ajo kohë mbrojti ndarjen e Kosovës.

Për Shqiponjën e tanishme kreu i Qeverisë tha se nuk ishte vetëm mit dhe shpresë por edhe realitet që çdo luftëtar që hynte në këtë trevë ishte i mbrojtur.

Haradinaj: Nga armët që kishte Jabllanica, nuk guxonte të hynte Serbia

" Ishte një lajm trimërues e i trimëroi plotë bashkëkombas tanë kudo këtu në Kosovë por edhe në diasporë. Për ish Jabllanicën tash Shqiponjën si për një mit dhe ishte mit ku flitej se çfarë ka Jabllanica, nga armët që nuk guxon të  hyjë Serbia, çfarë raketash ka.... Këta i kishin zemrat e veta,  guximin e vet, bindjen e vet, këta e dinin shumë mirë qëllimin e armikut.  I kanë varret që ua kujtonin atë qëllim", tha kreu i Qeverisë.

Kreu i ekzekutivit  tha se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe si të tillë ata mbrohen me Kushtetutën e Kosovës dhe janë të njohur edhe me të drejtën ndërkombëtare.

Haradinaj tha se është interes i përbashkët që të mos dështojë shtetësia e Kosovës, sepse kjo ndodhë, nuk  do të ketë stabilitet në Ballkan.

Haradinaj: Shtetësia e Kosovës është e garantuar

"Ne jemi më të sigurtit si Kosovë si popull i Kosovës duke e zbatuar këtë për të cilën kemi garanca,  për te cilën edhe bota e drejta e botës, gjykata ndërkombëtare e ka pranuar si të drejtë tonën ne kemi garanca dhe jemi më të sigurtit dhe më të mbrojturit për ta zbatuar këtë. Hapja e kësaj të arriture është gabim, ne duhet ta mbyllim këtë e nëse jemi të zot vazhdojmë të interesohemi në çdo aspekt të së drejtës sonë”, tha ai.

Sipas tij, brenda Kosovës nuk do lejojnë një Dodik Republikë, dhe nëse dikush e dëshiron një situatë të tillë si në Bosnjë dheHercegovinë, ka  vendosur që ta destabilizojë Ballkanin.

Haradinaj: Nuk do të lejojmë një Dodik Republikë

"Edhe bota euroatlantike  nganjëherë e ka të vështirë të na kuptojë, ne nuk bënë që të zhgënjehemi dhe nuk bën të tërhiqemi nga e drejta jonë. Ka momente të keqkuptimit por më vonë do të na kuptojnë, ne duhet të insistojmë të qëndrojmë në të drejtën tonë..... Pra, Kosova po është territor unik i pandashëm me kufijtë e vetë dhe janë të paprekshëm këta kufij qoftë nga jashtë qoftë nga brenda. Po ashtu Kosova është e rregulluar si shtet me Kushtetutën e vet dhe nuk mundet brenda Kosovës të vendoset një monstrum , assesi nuk do të jetë e mundur, pra një Dodik Republikë brenda Kosovës", tha ai.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Shqiponja është simbol i Gjakovës dhe i tërë Kosovës.

Gjini dha edhe një lajm të gëzueshëm për familjarët e dëshmorëve të Shqiponjës se kanë nënshkruar një memorandum për rregullimin e këtij kompleksi memorial, vlera e të cilit kap shifrën prej 360 mijë eurosh.

Gjini: 360 mijë euro janë ndarë për kompleksin memorial

"Para tri dite me gjeneralin Lahi Brahimaj, kemi qenë në Agjencinë për menaxhimin e memorialëve dhe e kemi kryer memorandumin prej 360 mijë euro të ndara nga qeveria Haradinaj për tu investuar në këtë memorial....jam shumë i lumtur që ky investim do të ndodhë por në të njëjtën kohë do vazhdojë me falënderime se në këtë pjesë do të vijë edhe rruga prej Kralanit një rrugë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", u shpreh Gini.

Në këtë manifestim që shënon 20 vjetorin e çlirimit të Shqiponjës mori pjesë edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati i cili tha se Shqiponja ishte strehë e shumë luftëtarëve të UÇK.

Gucati tha se kompleksi memorial i Shqiponjës simbolizon luftën e UÇK-së dhe lirinë e Kosovës.

Me iniciativë të OVL -UÇK-së u shpalos edhe pllaka përkujtimore në kullën e Lahi Brahimajt e cila u vlerësua si kullë e rezistencës në të cilën u morën vendime të mëdha.     

Kujtojmë që maj të vitit 1999 në Shqiponjë duke u ballafaquar me armikun ranë 38 dëshmorë të familjeve Zeneli, Myrtaj, Qelaj, Mehmetaj dhe u vranë 4 martirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat