"Heroina shqiptare që nuk lejoi dhunuesin serb t'ia prek gjoksin"

Aktuale

"Heroina shqiptare që nuk lejoi dhunuesin serb t'ia prek gjoksin"

Nga: H.O. Më: 18 maj 2019 Në ora: 08:08
Ilustrim

Në kohën kur po flitet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ish mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi ka përmendur rastin e një gruaje që dhunuesi serb iu afrua për ta dhunuar.

Loshi shkruan se kjo femër shqiptare e kishte goditur shpullë me tërë forcën e saj dhe për së gjalli nuk iu kishte nënshtruar çnderimit të armikut.

Sipas tij, kjo quhet heroinë.

Postimi i plotë:

Viktimat dhe heroinat

Mos i përzieni viktimat e dhunës me heronjtë dhe heroinat. Gratë e dhunuara seksualisht në luftë, si parim, nuk janë heroina. Ato janë viktima!

Ja një rrëfim për një grua që nuk lejoi dhunën seksuale. Mund të ketë pasur edhe raste tjera të ngjashme. Një nuse e re dhe e përshkruar si shumë e bukur kur i ishte afruar dhunuesi serb dhe kishte dashur t’ia prekte gjinjtë, ajo e kishte goditur shpullë me tërë forcën e saj! Serbi nuk kishte pritur, por e kishte pushkatuar menjëherë dhe kishte urdhëruar të gjithë ata që ngisnin traktorët e mbushur me refugjatë ta përshkonin trupin e saj të njomë nën rrotat e traktorëve. Kjo padyshim është heroinë, sepse për të gjallë të vet nuk iu nënshtrua çnderimit të armikut. Kjo për mua duhet të jetë edhe dëshmore e luftës, sepse t’i thuhet vetëm heroinë është pak.

Heroina janë edhe ato gra të dhunuara si Vasfija që kanë sfiduar stigmën e mjedisit primitiv dhe kanë gjetur kurajo të flasin në publik dhe të demaskojnë para botës format më çnjerëzore të dhunës. Por, këto nuk janë heroina të luftës, janë heroina të së vërtetës dhe të denoncimit të dhunës dhe të dhunuesve.

Heroina janë edhe ato gra që kanë arritur ta mundin izolimin, vetminë e madje edhe linçimin që ua kanë bërë burrat e tyre, fëmijët, vëllëzërit apo familjarët tjerë vetëm për shkakun se kanë qenë subjekte të dhunës seksuale nga armiku! Por as këto nuk janë heroina të luftës me Serbi! Janë heroina të një lufte tjetër, të luftës kundër diskriminimit të gruas në shoqërinë tonë që arrin të barazohet me dhunën e armikut.

Të tjerat janë viktima për fatin dhe gjendjen e të cilave duhet të kemi shumë ndieshmëri dhe mirëkuptim. Por ne atyre nuk iu bëjmë nder t’i quajmë me emrin që nuk e kanë. Çdo viktimë nuk është hero apo heroinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat