Naim Bazaj paralajmëron parti të re, akuzon se me punësime e shantazhe u bë Sejdi Hoxha Kryetar - Bota Sot
Naim Bazaj paralajmëron parti të re, akuzon se me punësime e shantazhe u bë Sejdi Hoxha Kryetar

Aktuale

Naim Bazaj paralajmëron parti të re, akuzon se me punësime e shantazhe u bë Sejdi Hoxha Kryetar

Më: 19 maj 2019 Në ora: 18:02
Kadri Veseli dhe Naim Bazaj

Humbësi i garës për Kryetar të PDK’së në Drenas ka vendosur t’i ndajë rrugët me Partinë e Kadri Veselit. Naim Bazaj ka thënë se ka dy opsione: të themelojë Partinë Demokratike të Drenasit ose të shkojë në ndonjë parti tjetër.  Ka lëshuar akuza në drejtim të krerëve të PDK’së po bëjnë presion e shantazhe në bastionin e dikurshëm të Partisë së Veselit. Bazaj ka përmendur edhe një rast me Ramiz Lladrovcin rreth një problemi për 1 milion e gjysmë euro

Naim Bazaj po thotë se s’do të kthehet më në Partinë Demokratike të Kosovës. Por, ende s’e ka sqaruar nëse do të themelojë Parti të re politike apo do të shkojë në ndonjërën prej partive aktuale.

Krejt këto lëvizje, Bazaj po planifikon t’i bëjë pasi ka dështuar të bëhet Shef i PDK’së në Drenas në garën ku fitoi Sejdi Hoxha, aktualisht edhe Kryeshef Ekzekutiv i Postës.

“Do të japim dorëheqje. Do të shohim nëse do të themelojmë Partinë Demokratike të Drenasit ose do të kalojmë në ndonjë parti tjetër. Nuk është kërcënim. Nuk dua të kem punë me shantazhues, blerës e rrenca. Z. Veseli iu ka thënë atyre zagarëve që i ka nxjerrë në terren duke bërë fushatë kundër meje”, ka thënë Bazaj për Express.

Por, pse dështoi të bëhet Kryetar në Drenas i PDK’së?

Naim Bazaj krejt problemin e sheh të premtimet për punësime dhe milionët e Fondit të luftës “Vendlindja Thërret’, i cili është udhëhequr prej zyrtarëve të lartë të PDK’së.

“Janë premtuar shumë vende të punës. Duhet të shikojnë kontratat mbi vepër që janë bërë në Postën e Kosovës. Janë premtuar vende pune për secilin delegat, janë premtuar mijëra euro për një votë”, ka thënë Bazaj.

Ai ka thënë se duhet të shihen të punësuarit në muajin e fundit me kontratë mbi vepër në Postë dhe të hulumtohen punësimet tash e tutje në këtë ndërmarrje publike.

“Janë shitur delegatët”, ka konstatuar ai pa dhënë detaje për këto konstatime.

“Kadri Veseli më ka thënë se i ka premtuar edhe Sejdi Hoxhës, nipit të nipit. Nuk është me rëndësi pse e ka marrë degën ai. Faji është te tradhtari Ramiz Lladrovci, i cili ka bërë fushatë për Sejdi Hoxhën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka incizime me fjalët e zyrtarëve të PDK’së se çka thonë për të dhe për zgjedhjet e partisë.

“Z. Hoxha ka qenë figurë më tepër jashtë Drenasit. Këta po donë njerëz që prindërit e tyre kanë bashkëpunuar me UDB’në dhe Serbinë”, ka thënë ai.

Bazaj ka thënë se po të merrte udhëheqjen e PDK’së më në Drenas nuk do të shkonin disa prej figurave kryesore të Partisë.

“Sinqerisht, nëse do ta merrja Degën e PDK’së, disa liderë të ashtuquajtur të PDK’së nuk do të kishin pasur vend më në Drenas. Fatmir Xhelili, Adem Grabovci e shantazhues tjerë nuk i kishim lënë më të na udhëheqin”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i PDK’së ka lëshuar akuza në drejtim të Kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovicit, për të cilin ka thënë se janë prishur pse s’e kishte dëgjuar për një rast kriminal. Ai thotë se para disa vitesh, Lladrovci i kishte kërkuar të ia dërgonte një milion e gjysmë euro dikujt në Gjermani.

Bazaj nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këtë akuzë përveç fjalëve.

“Po është e vërtetë në mars të vitit 2016, Ramiz Lladrovci më pati kërkuar t’ia çonte përmes meje një miku të tij. E kam refuzuar. I kam thënë se nuk i marrë këto pare. Me para të “Vendlindjes Thërret” ende janë duke blerë edhe vota”, ka shtuar ai.

Naim Bazaj ishte larguar nga PDK’ja edhe më 2016 kur kishte kandiduar si i pavarur përballë Ramiz Lladrovicit. Por, Kadri Veseli e kishte bindur të hiqte dorë nga gara për t’ia lëshuar rrugën Ramiz Lladroviit.

Atëkohë, Bazaj ishte bindur urdhërave të Veselit.

Tash, Bazaj thotë se nuk do të ketë kthim prapa pasi përjetoi tradhtinë e dytë nga Veseli dhe zyrtarët tjerë të PDK’së.

“Pajtim tradhtie. Nuk i fali kurrë tradhtarët. Më thanë në dhjetor të vitit 2016 se nëse ke gjak shqiptari hiqe. Më premtuan, me rrejtën dhe më tradhtuan. Më premtuan se brenda disa muajsh do të bëhem Kryetar i Degës”, ka thënë ai.

Ky ish-zyrtar i PDK’së thotë se Partia e Veselit do të tkurret edhe më shumë dhe do t’i humbë përpos Drenasin edhe Kaçanikun, Ferizajn e Dragashin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...