Kërkohet dorëheqja e Flora Brovinës, pjesë e marshit O’Connell dhe Jahjaga

Aktuale

Kërkohet dorëheqja e Flora Brovinës, pjesë e marshit O’Connell dhe Jahjaga

Më: 20 maj 2019 Në ora: 12:31

(E plotësuar) - Duke kërkuar drejtësi, dinjitet, profesionalizëm dhe sinqeritet në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, shumë aktivistë, qytetarë e deputetë i’u bashkuan marshit në mbështetje të tyre. Marsh ky i cili filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, deri tek Kuvendi i Kosovës. Protestuesit kanë bërë edhe një herë thirrje për dorëheqjen e deputetes Flora Brovina.

Pas publikimit të fotografisë nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, me të cilën pretendonte se paraqet kryerjen e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila fotografi doli të jetë e dyshimtë, ka pasur reagime të shumta nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e po ashtu edhe nga familjarët e tyre.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare Rehabilituese të të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se i mbetët Kuvendit të Kosovës që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Ajo ka cituar edhe disa nga fjalitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale, të cilat janë adresuar në këtë qendër.

Rushiti: I mbetët Kuvendit të Kosovës që të marr përgjegjësi për dëmin e shkaktuar

“Jemi mbledhur këtu për të sjellur reagimet e të mbijetuarve nga dhuna seksuale pas skandalit me foto në Kuvend, e cila ringjalli traumën e tyre dhe rikthej emocionin e luftës tek personat e mbijetuar  të dhunës seksuale  dhe mbarë  shoqërisë duke e thelluar heshtjen dhe stigmatizimin e tyre, dhe i mbetët Kuvendit të Kosovës që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Prandaj të mbijetuarit kërkojnë që: pamjet e tilla nuk e kanë vendin në parlament, por në gjykatë, ne po vuajmë në heshtje, e ju godisni  në dhimbjen tonë, duam drejtësi, por nuk duam vuajtjet e tona t’i shohin edhe fëmijët tanë. Dhembja jonë, turpi juaj”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar nga institucionet e vendit që të mbijetuarit e dhunës seksuale të përkrahen në mënyrë të dinjitetshme. Madje, ajo tha se nuk do të lejojnë që publikimi i një fotografie të përmbys një proces të tërë.

Linda Sada, nga “Medika Gjakova” tha se ai skandal,  të mbijetuarit e dhunës seksuale i ka kthyer prapa në vitet 1998-1999.

Image

Sada: Kjo ngjarje na ka kthyer mbrapsht

“Kjo ngjarje ka bërë, që puna dhe angazhimi jonë që nga paslufta për të përmirësuar shëndetin mendor dhe fizik të të mbijetuarve na është kthyer mbrapsht. Janë rrënuar përpjekjet tona për t’i ofruar qasje në drejtësi dhe për integrimin e tyre në shoqëri, na keni kthyer në vitin 99. Mirëpo ne duhet të ju tregojmë juve politikanëve të nderuar, që ne nuk do të ndalemi, do të përkrahim, do të mbrojmë, respektojmë dhe do të trajtojmë me dinjitet heroinat tona të cilat rezistuan në luftë dhe na krijuan historinë në liri”, tha ajo.

Ajo tha se nuk do të lejojnë që të keqpërdoret vuajtja e të mbijetuarve për qëllime dhe interesa të tjera. Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që sa më shpejt të zbardhet e vërteta për skandalin, që sipas saj, ka ndodhur me fotografinë e shpalosur në Kuvendin e Kosovës.

Vëllai i të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfijes, Nafi Krasniqi tha se si për ironi të të gjithë të mbijetuarve të torturës, të enjten në Kuvend të Kosovës u shfaq kjo fotografi nga Flora Brovina. 

Krasniqi: Vasfija është tronditur me këtë fotografi

“I thërrasim institucionet e hetuesisë, drejtësisë që sa më shpejt të zbardhet rasti, e vërteta në lidhje me këtë fotografi, për shkak se aty del që nuk është e vërtetë. Nëse nuk është e vërtetë, atëherë me të vërtetë i ka bërë një dëm të madh Kosovës, dëm të madh punës që është bërë për këto 20 vite...Në ato momente me të vërtetë Buqja ka qenë e shokuar për shkak se ato pamje të llahtarshme aty, secila viktimë e gjen vetën aty edhe me të vërtetë na ka tronditur ”, tha ai.

Krasniqi tha se dorëheqja e Brovinës, është më e pakta që mund të bëjë ajo.

Ky marsh u organizuar nga gjashtë organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Qendra Kosovare për rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT, Rrjeti i Grave të Kosovës, Medika Kosova, Medika Gjakova, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Shoqata Drejtësi për të Gjithë. Marshit iu bashkua edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, deputetë të opozitës e shumë qytetarë të tjerë.

Pas marshimit, në shenjë solidarizimi, parulla me thirrjen “Më trajto dinjitetshëm”,  është ngjitur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.

***

Në marshin e organizuar nga organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për t’i mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u kërkua dorëheqja e deputetes se PDK-së, Flora Brovina.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, e ka dënuar publikimin e fotografisë së rrejshme nga deputetja Flora Brovina, që pretendohej dhunimi i një gruaje shqiptare nga forcat serbe.

“Jemi mbledhur këtu për të shprehur shqetësimin e thellë ndaj publikimit të fotografisë në Kuvendin e Kosovës. Tani i mbetet Kuvendit që të marrë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar. Nuk do të lejojmë që me publikimin e një fotografie të përmbyset e gjithë puna e mundimshme që kemi bërë”, u shpreh ajo.

Pas prononcimeve që kanë dhënë përfaqësuesit e organizatave për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, protestuesit kanë bërë thirrje për dorëheqjen e deputetes Flora Brovina.

Pjesë e këtij marshi ka qenë edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell.

***

Organizatat që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kanë organizuar marsh protestues në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ky marsh protestues është reagim ndaj publikimit të fotografisë së rrejshme të deputetes së PDK’së Flora Brovina si dëshmi që u paraqit në Kuvend për dhunimet që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë protestë po marrin pjesë ish Presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruiari O’Connell dhe kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari.

Me slloganin kryesor “Më trajto dinjitetshëm” ky marsh protestues ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, dhe po vazhdon deri tek sheshi “Ibrahim Rugova” pranë Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat